Lajme

Pas vdekjes së 15-vjeçarit në kantier, vetëm kryepunëtori kosovar pranon fajin

“E pranoj aktakuzën ashtu siç është shkruar. Më vjen shumë keq për familjen Radakovits që ka humbur djalin”, tha kosovari 70-vjeçar, tashmë i pensionuar

Dy portugezë dhe një kosovar janë akuzuar për shkak se një nxënës 15-vjeçar i zanatit të ndërtimtarisë ka vdekur në një kantier ndërtimi në Dietikon. Vendimi do të vijë javën e ardhshme.

Aksidenti që kishte ndodhur më 5 dhjetor 2019 në Dietikon i kishte kushtuar me jetë adoleshentit nga Geroldswili, Yves Radakovits.

Njëri nga portugezët, 22-vjeçari ka dhënë vetëm këto dy deklarata: “Não recordo-me” dhe “não vou responder”, që do të thotë: “Nuk më kujtohet” dhe “Nuk do të përgjigjem”, transmeton albinfo.ch. Dhe kështu marrja në pyetje e tij përfundoi shpejt.

Seanca e Gjykatës së Qarkut të martën kishte të bënte me vdekjen e nxënësit nga Geroldswil. Pllaka betoni me peshë prej disa tonësh kishin rënë mbi Yves Radakovits më 5 dhjetor 2019 dhe i kishin marrë jetën. Kjo kishte ndodhur vetëm sepse të tjerët ishin treguar shumë dembelë për të siguruar siç duhet pllakat e betonit.

Për shkak të kësaj vdekjeje në kantierin e ndërtimit në Alemannenstrasse 3/5 në Dietikon, prokurori publik i Cyrih-Limmat ka akuzuar dy portugezë dhe një kosovar për vrasje nga pakujdesia.

Fillimisht është marrë në pyetje punëtori 22-vjeçar portugez, shkruan limmattalerzeitung.ch. A e kishte vendosur ai shkallën kundër elementëve të murit prej betoni, të cilat më vonë ranë si domino? A i kujtohen atij edhe panelet e murit prej betoni që ishin aty? Vazhdon të punojë përkohësisht? Për të gjitha këto dhe pyetje të tjera nga gjyqtari, ai u përgjigj vetëm se nuk e mban mend dhe se nuk dëshiron të bëjë asnjë deklaratë.

I akuzuari i dytë po ashtu portugez, një inxhinier mekanik 36-vjeçar, gjithashtu nuk ka dashur të bëjë asnjë deklaratë. Ai e bëri të qartë këtë në fillim të pyetjes së tij. “Me gjithë respektin e duhur, nuk do të bëj deklaratë sot. Ajo tragjedi, ai aksident, ka ndodhur shumë kohë më parë, përcjell albinfo.ch. Nuk e mbaj mend edhe aq mirë incidentin. Nuk kam bërë asnjë gabim dhe jam i pafajshëm”, tha ai.

Vetëm i akuzuari i tretë, një kosovar tashmë pensionist 70-vjeçar, i cili punonte në kantier si operator vinçi dhe kryepunëtor, nuk ishte i heshtur si dy të akuzuarit tjerë.

“E pranoj aktakuzën ashtu siç është shkruar. Më vjen shumë keq për familjen Radakovits që humbi djalin e tyre. Nuk dua të bëj komente të tjera”, tha kosovari në fillim të pyetjes me zë të ngjirur, transmeton albinfo.ch. Nga familja e viktimës, të cilët ishin ulur në rreshtin e sallës së gjyqit, u dëgjuan të qara. Lotët rrodhën. Kosovari nuk ka dashur t’u përgjigjet pyetjeve më të detajuara të gjyqtarit.

Seanca, e cila filloi në orën 8:30 të mëngjesit të së martës, më pas u ndërpre për një pushim pak pas orës 9:30 të mëngjesit, pasi tri marrjet në pyetje kishin përfunduar tashmë. Pushimi përfundoi në orën 10:00. Pas kësaj kanë vijuar deklaratat e avokatit mbrojtës dhe të prokurorja publike. Kjo e fundit kërkon dënimin për vrasje të pavullnetshme për të tre të dyshuarit. Për të tre ajo kërkon shqiptuar nga tetë muaj burgim me kusht me kohë prove prej dy vjetësh.

“Dënimi i propozuar prej tetë muajsh është sigurisht në kufirin më të ulët”, është shprehur  avokati i familjes Radakovits, i cili në kërkesën e tij bëri të qartë se si e gjithë familja “po kalon ferrin mendërisht” dhe po ndihet tmerësisht keq.

Avokatii kryepunëtorit kosovar kërkon gjobë në vend të burgimit

Mbrojtësi i kryepunëtorit dhe operatorit kosovar të vinçit, i cili e pranon fajin, ka kërkuar që ai të mos dënohet me burgim të kushtëzuar prej tetë muajsh, por me gjobë me kusht prej 90 tarifash ditore prej 60 frangash.

Ndërsa mbrojtësit e dy portugezëve kanë kërkuar pafajësi për klientët e tyre.

Pas deklaratave, gjykata do të tërhiqet për të shqyrtuar vendimin. Ai duhet të shpallet të enjten, më 10 nëntor.