Liburn Mehmetaj

Student

Çmimi për vlerësimin e punës së diplomës akademike më të mirë në Evropë i është dorëzuar ekipit të Universitetit të Friburgut, me rastin e konkursit të Bashkimit Evropian për të Drejtat e Njeriut “René Cassin 2012”. Liburn Mehmetaj, një student shqiptar, ishte një nga tre anëtarët e ekipit që fitoi.

Konkursi i Bashkimit Evropian për të Drejtat e Njeriut René Cassin u mundëson ekipeve të përbëra nga tre studentë (dy avokatë dhe një këshilltar ligjor) për të zgjidhur një situatë shkeljeje të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, fillimisht me një shkëmbim të dosjes me shkrim dhe pastaj me një gjykim fiktiv para Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut.

Çdo vit, një ekip nga Universiteti i Friburgut merr pjesë në këtë garë vjetore dhe këtë prej më shumë se njëzet vjetësh.

E pra, pas njëzet vjetëve është një i ri shqiptar, i cili me dy kolegët e tij fitoi çmimin për dosjen dhe punën e kryer më së miri.

Në dhjetor 2011 tre studentë nga Universiteti i Fribourgut, Emmanuel Badoud, Anthony Lamon dhe Liburn Mehmetaj, patën filluar të përgatisin dhe të shkruajnë dosjet akademike për edicionin 2012 të konkursit të lartpërmendur.

Ekipi arriti të kryejë punën e tij nën drejtimin e Dr. Marie-Louise Gächter-Alge, ligjëruese në Departamentin e Drejtësisë ndërkombëtare publike dhe të Drejtës evropiane. Këtë vit, situata që duhej studiuar kishte të bëjë me çështje të ndryshme që lidhen me kushtet e ndalimit të të huajve dhe dëbimit të tyre.

Faqja përkatëse e internetit të Universitetit të Friburgut bënë me dije se pas një përzgjedhjeje fillestare bazuar në dosje akademike, 16 ekipe u përzgjodhën për të mbrojtur çështjen e tyre në Pallatin e të Drejtave të Njeriut, selia e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg. Me shumë kënaqësi dhe me gëzim të madh ekipi i Friburgut mësoi se ishte kualifikuar për të paraqitur punën e tyre me gojë më 23 dhe 24 prill 2012.

Kënaqësia arriti në kulm, kur Komiteti shkencor shpalli ekipin e Friburgut, në të cilin ishte edhe studenti Luburn Mehmetaj, ekipin më të mirë në mesin e 64 ekipeve të tjera nga universitetet e ndryshme evropiane.

René Samuel Cassin (i lindur më 5 tetor 1887 në Bayonne, vdiq në 20 shkurt 1976 në Paris), ai ishte avokat, diplomat dhe politikan i famshëm francez.

Në vitin 1968, René Cassin mori çmimin Nobel për Paqe për punën e tij të kryer në lidhje me deklarimin e të drejtave të njeriut njëzet vjet më parë, për angazhimin e tij në përhapjen dhe zbatimin e saj, dhe për punën e tij si President i Gjykatës Evropiane të drejtave të njeriut. Në vitin 1969, ai përdori paratë e Çmimit Nobel për të themeluar  Institutin Ndërkombëtar të Drejtave të Njeriut.

René Cassin i dha emrin e tij Konkursit të Bashkimit Evropian për të Drejtat e njeriut i cili është hapur për të gjithë studentët e drejtësisë dhe të shkencave politike. Kandidatët duhet të dëshmojnë kapacitetin e tyre të lartë për të mbrojtur një çështje (fiktive) duke argumentuar me gojë në gjuhën franceze pozitën e tyre në bazë të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

 Biografi e shkurt

  • Emri, MbiemriLiburn Mehmetaj
  • Vendi ku vepron:Zvicër
  • Profesioni:Student

  WHO’S WHO të tjera