Integrimi

Pensionist Zvicre, 4 vite pa pension!

Adem Ismajli është njëri nga kosovarët që prej vitit 2012, kur është pensionuar në Zvicër, nuk ka marrë asnjë cent nga pensioni që duhej t’i dërgohej çdo muaj. Ai, po bën jetë të vështirë në Kosovë, në mungesë të një marrëveshjeje për pensionet mes shtetit të Kosovës dhe Zvicrës

 

Tek del ngadalë në oborrin që nuk i duket fundi nga dyert e hyrjes së shtëpisë, Adem Ismajlit, 68 vjeçar nga Komogllava e Ferizajit, i “çelen” sytë tek sheh përpara Lubotenin. Njëra nga majat e larta në tërësinë e maleve të Sharrit në Kosovë që duket ngado prej oborrit të tij, në pjesën jug-lindore të Kosovës, i kujton kosovarit Alpet zvicerane. Majave të tyre, ai kaloi vite të tëra pune në Zvicër. Madje edhe u lëndua rëndë, gjersa ishte duke bërë shpime të tokës, me qëllim që të bëheshin analiza të dheut. Kjo ishte puna e tij në Zvicër, ku shpesh, thotë se kishte vende ku mund të ngjiteshin vetëm me helikopter, pasi atje më parë s’kishte shkelur këmbë njeriu.

“Në Zvicër kam punu në një firmë që merret me shpimin e tokës. Ka qenë punë e rëndë. Atje kam qëndru nga 18 korriku i vitit 1973 deri më 18 korrik të vitit 2012, kur edhe dola në pension”, rrëfen për jetën e tij në gurbet burri shtatmesëm.

Pensionisti Adem Ismajli nuk merr asnjë cent nga paratë që i takojnë

Nga viti 1994 ai kishte marrë pension invalidor në Zvicër, por kur mbushi moshën e pleqërisë, në pajtim me autoritetet zvicerane kishte marrë paratë e trustit pensional dhe kishte vendosur të kthehej në Kosovë. Për Albinfo.ch ai, ka treguar se këto veprime i kishte marrë pasi ishte konsultuar edhe me avokatin e tij, që të fillonte të marrë pensionin në Kosovë. Për këtë, ai ka ende në posedim edhe vendimet që i kishin lëshuar autoritetet zvicerane.

“I mora paratë nga trusti pensional dhe vendosa të kthehem në Kosovë”, thotë Ismajli. Ai ka treguar se nga kursimet e bëra nga puna e tij disa vjeçare në Zvicër, ishin mbledhur hiç më pak se 150 mijë franga zvicerane. “I mora paratë, erdha këtu dhe ndërtova shtëpinë”, rrëfen Ismajli.

Por, ndonëse ai posedon vendimin që për çdo muaj do të duhej t’i alokoheshin nga 1292 franga zvicerane pension, Adem Ismajli nuk merr asnjë cent nga paratë që i takojnë. Kjo, për shkak se shteti i Zvicrës kishte shkëputur marrëveshjen me Ish Jugosllavinë, për të paguar pensionet për shtetasit e Kosovës. E gjithë kjo ka ndodhur pak vite pasi Kosova u shpall shtet i pavarur. “Këtë fakt nuk ma ka treguar avokati në Zvicër. Pasi, unë do të mundja t’i marr paratë atje në Zvicër”, thotë Ismajli. Sipas vendimit të autoriteteve zvicerane, edhe djali i tij, Ismajl Ismajli, derisa t’i përfundonte studimet do të merrte nga 517 franga në muaj. Por, as kjo pagesë nuk po i bëhet djalit të vogël të Ademit. Kështu, ai është detyruar të ndërpresë studimet, që kishte filluar në Kolegjin AAB.  “Për shkaqe financiare djali u detyrua që ta lë fakultetin për disa vjet. Tash po i vazhdon studimet por me vështirësi të mëdha financiare”, ka treguar Ismajli.

Në luftë me sëmundjen e rëndë, pa para

Ai ka treguar për albinfo.ch se në jetën e tij kurrë nuk është ndjerë më keq se kur ishte sëmurë rëndë dhe do të duhej të operohej në spitalet e Kosovës. Por, afër vetes, thotë të mos kishte para të mjaftueshme, që do t’i gjendeshin në ato momente të vështira.

“Para dy vitesh u operova në fyt. Ishte e rëndë që si një pensionist i Zvicrës pas tërë atyre viteve pune dhe kontributi në Zvicër të mos kisha mundësi të kem në shfrytëzim paratë e mia, kur më duheshin më së shumti”, ka treguar ai. Para se të operohej, ai kishte shkuar edhe një herë në Zvicër, ku kishte kërkuar të tërheqë paratë që atje tashmë i grumbullohen. “Por, nuk pati shans që të tërheq asnjë cent. Më thanë që derisa të arrihet një marrëveshje mes shteteve nuk mund të tërhiqen ato para”, ka treguar ai.

Adem Ismajli thotë se ka paraqitur ankesa edhe në Ministrinë e Punës dhe i është drejtuar edhe Ambasadës së Kosovës në Zvicër. Por, deri tash, sipas tij, nuk është bërë asnjë zgjidhje. “Nuk jam i vetmi. Janë miliona franga të kosovarëve të tubuara në Zvicër, e që pensionistët nuk po mund t’i tërheqin për shkak të mos lidhjes së një marrëveshjeje mes Kosovës dhe Zvicrës”, ka thënë Ismajli. Ai ka treguar se nuk ka pasur iniciativa të mjaftueshme nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale për të ardhur tek një marrëveshje e re, pas shfuqizimit të marrëveshjes mes Zvicrës dhe ish Jugosllavisë, shtet ky i shpërbërë.

“Tash po jetojmë nga të hyrat që siguron djali si auto-mekanik, Por, nuk ka edhe aq punë”, thotë plaku, që ndjehet barrë e të tjerëve. Por, një gjë, thotë se është i sigurt. “Duke i ditur ligjet zvicerane, po të ishte e kundërta, që shtetasit zviceran të kishin fonde në Kosovë, kjo tashmë do të ishte një çështje e harruar”, thotë Ismajli.

Ministri Abrashi: Shpejt do të ketë marrëveshje për pensionet me Zvicrën

Ministri i punës dhe mirëqenies sociale Arban Abrashi ka thënë ekskluzivisht për “Albinfo-ch” se arritja e një marrëveshje me Zvicrën ne fushën e pensioneve ka qene një nder prioritetet e tij qysh nga marrja e mandatit ne këtë ministri. “Kemi pasur kontakte të shumta me palën zvicerane, janë zhvilluar disa takime ekspertësh për të shqyrtuar gjendjen aktuale dhe për të hapur rrugën për arritjen e një marrëveshjeje mes dy shteteve”, ka thënë ministri Abrashi. Si rezultat i këtyre takimeve, thotë se kanë arritur që në fillim të vitit 2016 të nënshkruajnë një marrëveshje pilot me palën zvicerane për te testuar funksionimin e dy sistemeve ne rast të arritjes së marrëveshje. “Ne jemi dakorduar që kjo fazë të përfundojë në gusht të vitit 2016, me ç`rast rezultatet e kësaj marrëveshjeje pilot do të ndihmonin në vlerësimin e ri nga pala zvicerane për arritjen e një marrëveshjeje të plotë mes dy shteteve”, ka thënë ministri i punës i Kosovës, Arban Abrashi. Nga takimet e deritashme, thotë se janë shkëmbyer shumë të dhëna mes palëve. Ministri Abrashi tha se beson që në pjesën e dytë të vitit 2016 do të fillojnë bisedimet zyrtare mes palës zvicerane dhe kosovare për arritjen e një marrëveshjeje bilaterale në fushën e pensioneve.

Ngjashëm shprehen edhe në Zyrën Federale të Zvicrës për Sigurime Sociale (BSV). I pyetur nga albinfo.ch, shefi për komunikim në këtë zyrë, Harald Sohns ka konfirmuar fillimin e projektit pilot në këtë drejtim në mes të Zvicrës dhe Kosovës.

“Organet kompetente të Zvicrës dhe ato të Kosovës aktualisht, në kuadri e një pilot projekti që zgjat deri në mes të muajit gusht të këtij viti po e testojnë një bashkëpunim ndërshtetëror (në këtë fushë) duke u mbështetur në rastet konkrete. Rezultatet e këtij testimi do të duhej na e mundësonin një vlerësim të ri për marrëdhëniet në mes të Zvicrës dhe Kosovës në gjysmën e dytë të vitit 2016, ka theksuar Sohns për albinfo.ch. Por, “nëse Zvicra do t`i fillojë dhe kur do t`i fillojë bisedimet për një Marrëveshje të re për sigurimet shoqërore, do të varet nga rezultatet e projektit pilot dhe tash për tash mbetet e hapur”, ka përfunduar shefi për komunikim në BSV.