Shqiptaro-zviceranët dhe Zgjedhjet Federale 2015

Për Herolindën, politika është “sport” i shtigjeve të gjata

„Me rëndësi është që kam filluar të merrem me politikë. Prandaj nuk do të ndalem", thotë për albinfo.ch, Herolinda Avdili-Rexhepi

 

Në mesin e 15 emrave shqiptarë me rrënjë nga Kosova e Maqedonia që në garën e tyre për Parlamentin Nacional, kanë zgjedhur CVP-PDC-në, subjektin politik që mbështetet në vlerat kristiane, është edhe Herolinda Rexhepi.

22-vjeçarja ka tre vjet që merret me politikë dhe është e vetëdijshme se shanset për të fituar janë të vogla, por thotë se është e re në moshë dhe ka kohë që të zgjidhet herëve tjera. „Me rëndësi është që kam filluar të merrem me politikë. Prandaj nuk do të ndalem”, thotë për albinfo.ch, Herolinda Avdili-Rexhepi.

Komuniteti shqiptar të mendojë edhe politikisht

„Nëse zgjidhem deputete, do të angazhohem për familjen, si një prioritet i CVP-së, integrimin e të huajve në shoqërinë zvicerane,  si dhe në fuqizimin dhe masivizimin e CVP-së si parti e vlerave demokratike”, përgjigjet Herolinda.

Ajo thotë se votuesit zviceranë me prejardhje të huaj duhet të mendojnë mirë që të jenë pjesë e politikës, duhet të votojnë, dhe duhet të inkuadrohen në shoqërinë zvicerane.

„Komuniteti shqiptar kohëve të fundit ka bërë përparime në aspektin e integrimit dhe shkollimit këtu në Zvicër. Unë konsideroj se janë pjekur kushtet që komuniteti shqiptar të mendojë dhe të veprojë politikisht”, mendon Herolinda.

„Në Zvicër, një person që  e sprovon veten në politikë përfiton shumë, në radhë të parë në organizimin politik, i cili për ne shqiptarët është diçka e re, sidomos në zgjedhjet nacionale të këtushme”, thotë Herolinda Rexhepi.

Angazhimi në politikë, përvojë e mirë për Herolindën

Herolinda si kandidate për zgjedhjet nacionale për çdo ditë po bën përpjekje që tē përfitojë sa ma tepër nga elektorati duke e prezantuar projektin politik të CVP.

Ajo nuk ka pasur kurrë probleme si “sekonda” pasi që është e integruar mirë.

“Më e rëndësishmja për mua është që të jem një shembull i mirë për të gjithë ata që janë tepër pak të integruar”, kishte thënë në këtë ballafaqim zvicerania me rrënjë nga Kosova.

Herolinda Avdili-Rexhepi ka lindur dhe është rritur në Zvicër. Ajo ka mbaruar shkollën e pedagogjisë për njerëz me aftësi të kufizuara. Si hobi e ka pasur boksin. Ajo është aktualisht ndihmëse infermiere 22 vjeçare, prindërit e së cilës dikur moti kishin ardhur në Zvicër nga Kosova, vend i karakterizuar si mysliman. E martuar, e rritur dhe e natyralizuar në Solothurn. Politikania me prejardhje nga Kosova është angazhuar edhe në projekte humanitare, duke shpërndarë ndihma në Kosovë. Në politikë është inkuadruar prej vitit 2013, duke aderuar në partinë e të rinjve të CVP-së të Solothurnit.​

Herolinda box

“Boks miqësor” me politikanin e EDU-së

Ditë më parë ajo ishte pjesë e serisë së ballafaqimeve të kandidatëve që përfaqësojnë vlera të kundërta në garën zgjedhore për Parlamentin e Zvicrës.

Me atë rast Herolinda ishte ballafaquar me Eduard Winistörfer (67 vjeç), shef shitjeje i pensionuar dhe kryetar kantonal i partisë EDU. Politika e tij orientohet nga dhjetë urdhëresat biblike dhe nuk dëshiron përhapjen e islamit në Zvicër. Te publiku ka lënë mbresa qëndrimi i saj i hapur për shumë çështje, në mesin e të cilave edhe për religjionin.


 Të tjera nga Shqiptaro-zviceranët dhe Zgjedhjet Federale 2015