E-Diaspora

Përse Gjon nuk shkruhet John?

Intervistë për albinfo.ch me Gjon’s Tears [Gjon Muharremaj] mbi identitetin, Eurovizionin, pyetjet pa përgjigje dhe jetën në Mars

Gjonin e “takova” për herë të parë në Bibliotekën Kantonale dhe Universitare të Fribourg-ut. Ishte aty me një grumbull pyetjesh, përgjigjet e të cilave shpresonte t’i gjente në këtë tempull të dijes. Në një atmosferë e cila evokon skena te filmave të Tarkovskit dhe të David Lynch-it, ai vazhdimisht, duke na u lutur, përsëriste: “Répondez-moi” (Përgjigjmuni)! “Përgjigjmuni… përse vdekja vjen pas jetës?… përse vrapojmë pa u ndalur asnjëherë? …përse lutemi, secili për vete? … përse jam i huaj këtu dhe atje?”.

Portret i Gjon Muharremaj
Gjon Muharremaj – (foto: © Rromir Imami, albinfo.ch)

Kështu, natyrisht, në mënyrë virtuale, e kanë takuar edhe qindra mijëra të tjerë, të cilët e kanë parë në Youtube këngën me të cilën Gjoni duhej të përfaqësojë Zvicrën në Eurovizionin e sivjetmë, i cili për shkak të pandemisë u anulua.

Gjoni jo-virtual nuk dallonte shumë prej atij të cilin e kisha “takuar” te biblioteka. Pyetjet ishin ende aty dhe tash do të përpiqeshim t’i zbërthejmë përmes një bashkëbisedimi, ku shtjelluam edhe gjëra të tjera nga karriera e tij.

Duke kërkuar hobin, e zbulova pianon

Në moshën 7-8-vjeçare, si të gjithë bashkëmoshatarët e tij, Gjoni ishte në kërkim të një aktiviteti ose hobi i cili do ta bënte të lumtur. Kjo ishte mjaft e rëndësishme për të, duke marrë parasysh se të gjithë shokët e klasës e kishin një hobi, kryesisht ndonjë sport.
“Gjatë këtij kërkimi, në shkollën e muzikës në Bulle, rashë në kontakt me pianon. Me këtë instrument krijova një relacion, i cili më prekte më shumë se sporti. Me admirim i shikoja arritjet e personaliteteve me famë, si Mozart-i, Beethoven-i dhe Bach-u. Megjithatë, mbasi isha mjaft i tërhequr si person, ideja për të kënduar gjeti shprehje në këtë moshë. Relacioni im me pianon ishte shumë intim dhe nuk dëshiroja ta ndaj me të tjerët. Thjesht, pianoja ishte një sekret i imi”, shpjegon për albinfo.ch, Gjoni.

Portret i Gjon Muharremaj
Gjon Muharremaj – (foto: © Rromir Imami, albinfo.ch)

Elvis Presley dhe lotët e gjyshit

Gjyshi i Gjonit, Hamidi, sapo kishte ardhur nga Kanadaja. I entuziazmuar me atë që kishte mësuar në orët e pianos, Gjoni luan disa këngë para tij. Sapo mbaron, ai e pyet nëse mund ta këndonte një këngë për të.

“Unë nuk e kisha provuar deri në atë moment këndimin – rrëfen Gjoni – dhe kjo ishte një gjë e re për mua. U pajtova ta këndoja një këngë. Edhe po të mos dalë mirë, mendova, nuk do të ishte ndonjë problem, pasi që ishte vetëm gjyshi aty. Ashtu i papërgatitur, e nisa këngën, atë të Elvis Prisley-t “Can’t help falling in love with you”, duke mos pasur aspak idenë se a këndoj mirë apo jo. Kur hodha shikimin drejt gjyshit, e pash me lot në sy. Ishte hera e parë që e shihja gjyshin duke qarë”. Këtu Gjoni  e ndal rrëfimin për disa çaste që të vazhdojë më tutje: “Për mua ky ishte një çast shumë i veçantë – e shikoja gjyshin tim me lot në sy. Me dukej sikur përmes këngës depërtova në shpirtin e tij. Aty sikur e fitova guximin që një gjë intime të mund ta bëj edhe para të tjerëve, të këndoj publikisht.

Nga E bukura more deri tek Je t’aime

“Pa ditur asgjë unë, gjyshi kishte aranzhuar që të marr pjesë në emisionin Ti vlen në Shqipëri, ku si mysafir do të këndoja një pikë muzikore”. Kështu e nis rrëfimin e tij për albinfo.ch Gjoni kur flet për përvojat e tij të para të këndimit në publik. “Atje u paraqita me këngën Moj e bukura more. Gjithë eksperienca ishte shumë e re dhe e panjohur për mua. Pa asnjë përgatitje paraprake performova në këtë emision, por nuk isha i kënaqur me paraqitjen time. Aty i premtova vetvetes që ashtu nuk do të marr më pjesë në ndonjë paraqitje publike. Nuk hoqa dorë prej këndimit, por thjesht desha që radhës së ardhshme të dal më i përgatitur”.

Gjon Muharremaj
Gjon Muharremaj – (foto: © Rromir Imami, albinfo.ch)

Pas kësaj eksperience Gjoni kalon shumë kohë duke dëgjuar se si këndojnë këngëtarë të ndryshëm të kalibrit të Celine Dion-it dhe Whitney Houston-it. Ishin këto këshillat e gjyshit të tij. Kështu kalon ditë të tëra në dhomën e tij duke ushtruar me këto zëra, që ishin shumë më afër zërit të tij fëmijëror, shkruan albinfo.ch. Ndërkohë, organizatorët e edicionit të parë të emisionit Albanians got talent, pasi që e kishin parë dhe dëgjuar zërin e Gjonit duke e kënduar Moj e bukura more, e ftojnë të marrë pjesë në këtë garë.

“Tash e dija që jam i përgatitur për këtë manifestim”, shpjegon Gjoni. “Këtë herë vendosa ta këndoj një këngë në gjuhën frënge, të cilën, duhet pranuar, e kisha më afër veshit tim. E përzgjodha këngën Belle Notre-Dame de Paris, të cilën e këndova para jurisë të cilën e përbënin Rovena Dilo, Altin Basha dhe Armend Rexhepagiqi. Ajo që më preku më së tepërmi dhe që më inkurajoi edhe më shumë ishte komenti i Rovena Dilos, kur më tha që unë nuk këndoja si një fëmijë, por me zërin e një fëmije këndoja si një këngëtar i rritur. Në gjysmëfinale u paraqita me këngën Je t’aime, e cila u prit jashtëzakonisht mirë nga të gjithë. Pas atij performimi nuk dilja dot nëpër Tiranë”, e vazhdon me ekzaltim Gjoni shpjegimin e tij. “Në çdo 20 metra më ndalnin dhe më përshëndetnin. Ishte një përjetim shumë special për mua. Tash isha i bindur dhe e dija se dua të këndoj para të tjerëve”.

Udhëtimi drejt Eurovizionit

Pas pjesëmarrjes së suksesshme në Shqipëri, vijojnë ftesat për Gjonin që të marrë pjesë në La France a un talent dhe, rrjedhimisht, më vonë edhe në Zvicër. Këto dy përvoja i japin atij edhe më shumë eksperiencë dhe ai njihet më për së afërmi me industrinë e muzikës. Kjo rezultoi edhe me ofertë për të bërë një album me SONY-in. Megjithatë, Gjoni vendosi të mos e ndërmarrë këtë hap.

Gjon Muharremaj
Gjon Muharremaj – (foto: © Rromir Imami, albinfo.ch)

“Aty e vërejta që nuk isha gati ta bëj një album, pasi që nuk isha gati teknikisht dhe nuk e kisha identitetin tim në kuptim të muzikës, stilit dhe zërit”, shpjegon Gjoni në intervistën e tij për albinfo.ch. “Prej atij momenti i ndalova të gjitha ofertat dhe pjesëmarrjet në gara të tjera, me të vetmin qëllim, për t’u fokusuar në vetvete dhe te muzika ime. Kalova pothuajse 6-7 vite duke dëgjuar lloje të ndryshme të muzikës nga e gjithë bota, me qëllim që ta kuptoj se si arrihet deri te ai zë. Njëkohësisht vazhdova edhe me kurset e këndimit”.

Pjesëmarrjes në Evrovizion i paraprin paraqitja e Gjonit në La Plus Belle Voix në Francë. Pa ditur gjë ai, nëna e Gjonit bën një regjistrim të një performimi të Gjonit dhe atë ia dërgon këtij emisioni, prej ku e ftojnë të marrë pjesë. Aty arrin deri në gjysmëfinale. Pas asaj pjesëmarrjeje, Gjoni merr disa propozime dhe ftesa për të marrë pjesë në Eurovizion.
“Të gjitha këto oferta i refuzova”, tregon Gjoni. “Megjithatë, bendi Aliose më ftoi të marr pjesë me një kamp muzikor, ku vendosa të shkoj pa e ditur se për çka, në fakt, bëhet fjalë. Kur arrita në kampin muzikor në Cyrih, mu bë e ditur që ishte kamp për pjesëmarrje në Eurovizion. Kishim vetëm një ditë në dispozicion dhe unë erdha me idenë time të melodisë së këngës Répondez-moi. Edhe pse ishte gjithçka shumë shpejt, unë e kisha idenë e qartë se çka doja si muzikë dhe si tekst, por jo edhe si produksion. Versioni i këngës së përpunuar e kaloi vlerësimin e jurisë së përbërë prej qindra personave të sferave dhe profesioneve të ndryshme dhe pasi mori më tepër pikë në mesin e mbi 500 konkurrentëve, u përzgjodh si këngë përfaqësuese e Zvicrës në Eurovizion”.

Gjon Muharremaj – ( foto: © Rromir Imami, albinfo.ch)

Mbi prejardhjen ose, përse Gjon nuk shkruhet John?

 

“Në këtë këngë desha që prejardhja të ketë një vend kyç” fillon të flasë për një temë tjetër Gjoni, duke e shpjeguar mënyrën se si u realizua kënga. “Kjo çështje më ka ndjekur qysh në shkollë, kur mënyra se si shkruhet emri im, Gjon e jo John, e inicionte pyetjen e prejardhjes sime. Ishte kjo temë e cila vazhdimisht më ndiqte, edhe pse unë nuk e shihja të arsyeshme të bisedoja rreth saj. Shpeshherë, kur më pyesnin prej nga e kam prejardhjen, më vinte t’u përgjigjem që prejardhjen e kam prej nënës sime”, thotë me sarkazëm Gjoni dhe vazhdon: “Për mua ishte e rëndësishme që ta kuptoj vetë që e kam shtetësinë e Zvicrës, por origjinën e kam shqiptare. Dhe, këtë plurikulturalitet e shoh si një përparësi dhe pasuri të pazëvendësueshme. Prandaj vendosa që temën e prejardhjes ta trajtoj edhe në këngë përmes pyetjeve. Kështu pyetjet mbeteshin pa përgjigje dhe kjo korrespondonte shumë me ndjenjën që e kisha si fëmijë kur kërkoja përgjigje për gjërat të cilat nuk kishin përgjigje”.

Aq sa janë individuale, pyetjet të cilat Gjoni i parashtron në këngë, ato janë po aq edhe universale, shkruan albinfo.ch. Janë pyetje, përgjigjet e të cilave me kalimin e kohës edhe ndryshojnë.

“Kjo është jeta”, vazhdon Gjoni, “ta pranosh se nuk i ke të gjitha përgjigjet dhe se bukuria e jetës është edhe në kërkimin e përgjigjeve, e jo në vet përgjigjet, të cilat janë të kufizuara për një kohë.

“Eurovizioni 2021” dhe planet për të ardhmen

Në “Eurovizionin 2021” Gjoni, si fitues i sivjetmë, do të marrë pjesë përsëri, mirëpo me një këngë tjetër. Me këtë edhe presioni për të prodhuar një këngë tjetër të suksesshme është më i madh.
“Me këngën e re unë dua të tregoj se nuk di të bëj vetëm një gjë”, shprehet Gjoni në bisedën me albinfo.ch. “Ne po provojmë që këngët t`i bëjmë në disa mënyra të ndryshme. Do të përpiqemi të kemi llojllojshmëri sa më të madhe për të parë çfarë rezultatesh mund të arrijmë. E di sigurt që kisha dashur të rrezikoj sepse jam i ri dhe nuk brengosem shumë për pasojat”.

Gjon Muharremaj – (foto: © Rromir Imami, albinfo.ch)

 

“Sa u përket angazhimeve me koncerte, shumica e tyre po anulohen për shkak të pandemisë. Ndërkohë, bashkë me grupin tim, jemi duke përgatitur material për një album të ri. Jemi në kërkim të një label-i, i cili – sipas të gjitha gjasave – do të jetë prej France. E kam shqyrtuar edhe një ofertë prej Shqipërie, por kam përshtypjen se dua të filloj me gjuhën frënge, e cila, mes tjerash, është gjuha e dytë më e dëgjuar pas anglishtes. Kjo nuk do të thotë se më vonë nuk do të shoh ndonjë mundësi të bëj diçka edhe në Shqipëri.

Jeta në Mars

“Nëse do të kisha bërë ndonjëherë album, kisha pasur dëshirë të bëj një cover të këngës së David Bowie-t “Life on Mars”. Vetë teksti edhe kënga janë disi jashtëtokësore dhe flasin mbi një realitet i cili na rrethon në përditshmërinë tonë, ku gjërat, dita-ditës, shkojnë e bëhen me keq”, thotë Gjoni në fund të intervistës për albinfo.ch, tek flet për preferencat e tij.

“Prej artistëve do të veçoja Grace Johns-in, kryesisht për shkak të guximit dhe vetëbesimit të saj. Ashtu është edhe në jetë: kur ke vetëbesim, ke mundësi të bësh shumë gjëra. Për mua ajo nuk është vetëm artiste, por edhe një ikonë e muzikës, si edhe e modës”.


LAJME INTERESANTE NGA INTERNETI