Kosova

Pika kufitare Kosovë-Maqedoni në Stanqiq, mund të hapet në shtator

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka vizituar pikën kufitare me Maqedoninë e Veriut, në  Stanqiq-Bellanoc, ku së bashku me zëvendëskryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, kanë inspektuar punimet në ndërtimin e pikës doganore në këtë lokacion.

Zëvendëskryeministri Hoxhaj ka falënderuar zëvendëskryeministrin Osmani për angazhimin dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm për mbarëvajtjen e këtij projekti, transmeton albinfo.ch.

Zëvendëskryeministri tha se këtë vizitë po e realizojnë në 20-vjetorin e tërheqjes së forcave serbe nga Kosova, krejt kjo me qëllim që t’i jepet kuptim simbolik kësaj pike kufitare që do t’i afrojë këto dy vende.

Zëvendëskryeministri i Kosovës paralajmëroi përfundimin e punimeve në këtë pikë në fund të muajit gusht, ndërsa hapjen për qarkullim të qytetarëve vetëm pas pak javësh.

Po ashtu, zëvendëskryeministri Hoxhaj ka paralajmëruar se pika të reja kufitare do të ketë edhe me vende të tjera fqinje.