CH-Ballkani
Pleksja e krimit me politikën
Kanabisi, kryemafiozi Balilli, tolerimi dhe bile bashkëpunimi i organeve shtetërore me krimin ishin theksimet e ministrit të shkarkuar të drejtësisë, Ylli Manjani. Cilado që të jetë e vërteta, një gjë u pa qartë se kryeministri shqiptar Rama do të jetë i vetmi at i mullarit të quajtur qeveri
![](https://www.albinfo.ch/wp-content/uploads/2017/01/ylli-manjani-560x396.jpg)
Shkarkimi i ministrit të Drejtësisë Ylli Manjanit nga Edi Rama nxori edhe njëherë në shesh pleksjen e krimit në politikë dhe diabolikën e gjykimit politik në Shqipëri. Jo vetëm opozita e quajti shkarkimin e Manjanit si prishje të omertas, do me thënë të thyerje së kodit të heshtjes së mafias, por edhe vetë Manjani në një mënyrë a një tjetër të njëjtën gjë tha. Manjani e konsideroi veten viktimë të një qeverie të korruptuar, ku u ndaka llokma, do me thënë copa e madha e tenderëve, kurse gjykatat vendet ku thjesht u mbledhkan bakshishet… Kryetari i Grupit Parlamentar na doli me një qëndrim përkëdhelës ndaj kolegut të tij partiak duke e quajtur shkarkimin e tij si zgjidhjen e vetme në alternativën mes shkarkimit të kryeministrit dhe të ministrit. Edhe vetë ministri i shkarkuar u shpreh falënderues për “mbështetjen e partisë”! Kanabisi, kryemafiozi Balilli, tolerimi dhe bile bashkëpunimi i organeve shtetërore me krimin ishin theksimet e ministrit të shkarkuar të drejtësisë…
Cilado që të jetë e vërteta, një gjë u pa qartë se kryeministri shqiptar Rama do të jetë i vetmi at i mullarit të quajtur qeveri. Në galopin e tij vërdallë mullarit, Rama dëshmoi se do të jetë i vetëm dhe i pa konkurrencë. Kjo do të mund edhe të kapërdihej disi, sepse pak a shumë shumica e krerëve të qeverive ballkanike mendësitë e atllarëve kanë, por jo edhe tolerimi i krimit e në mos më keqe edhe pakti i heshtur me të. Është e qartë se si në prononcimet e të shkarkuarit, ashtu edhe në prononcimin e opozitës ka teprime dhe keqdashje, por gjithsesi se ka edhe diç të vërtetë. E “diç” e vërteta janë pa asnjë dyshim plantacionet e kanabisit në Shqipëri, siç janë edhe jo vetëm automjetet, barkat e gomonet e mbushura të hashashit, por edhe fluturaket dhe pistat e aterrimit pranë këtyre plantacioneve. Plantacionet e kanabisit nuk mund t’i mbulojnë as shkarkimet e ministrit, as retorika e gjatë dhe bajate e ndonjëherë edhe e zbraztë e kryeministrit të kudo ndodhshim të Republikës së Shqipërisë. E “diç” e vërteta është liria e “ Eskobarit të Ballkanit” dhe administrimi i tij sovran në mbretërinë e zgjeruar të plantacioneve të tij.
Është e qartë se Edi Rama dhe qeveria e tij gjetën një Shqipëri – Lazarat jo vetëm në fushë të lëndëve narkotike, por edhe në shumë fusha të tjera përfshirë edhe policinë dhe drejtësinë. Është e qartë se qeverisja e çdo qeverie sado mirë të organizuar, sado objektive, profesionale dhe etike të jetë do ta kishte të vështirë të kryente obligimet e saj ashtu siç duhet, por pakti, qoftë i heshtur me krimin, qoftë edhe i segmenteve lokale, që janë jashtë administrimit të drejtpërdrejtë të ekzekutivit, janë jo vetëm se të patolerueshme, por edhe të denja për t’u hetuar dhe dënueshme. E patolerueshme është edhe mostransparenca e kryeministrit, i cili kështu lë përshtypje se ministrin e drejtësisë e shkarkoi për padëgjueshmëri e për përmbushjen e egos personale e jo për shkak të kequdhëheqjes apo keqpërdorimit të funksionit. E jotransparenca hap thesin e mëdyshjeve, të dyshimeve e të (keq)interpretimeve. Kështu me apo pa dashje qeveria e Shqipërisë bëhet kreatore e diabolizmit në të interpretuar dhe në të informuar.
Mungesa e transparencës në vendime si shkarkimi i ministrit të një resori kaq të rëndësishëm, siç është drejtësia, por dhe në veprime dhe vendime të tjera të qeverisë, jo vetëm se i hap rrugë diabolizmit në interpretime, por e vështirëson shumë rrugën e ecjes së Shqipërisë drejt ligjshmërisë dhe prosperitetit dhe me këtë edhe arritjen e saj te dyert e BE-së.
E Edi Rama u zgjodh nga shqiptarët pas dështimit të qeverisë paraprake për ta ofruar Shqipërinë aty ku dëshirojnë shumica e shqiptarëve, përveç atyre që i tremben transparencës, ligjshmërisë dhe llogaridhënies. E të tillë janë jo vetëm zyrtarët e qeverisë paraprake, por me gjasë të madhe edhe eksponentë të qeverisë së sotshme.
Përndryshe pse kjo mungesë transparence?
* Ky është një opinion i autorit dhe nuk reflekton domosdoshmërisht qëndrimet e redaksisë
E-Diaspora
-
Mërgimtarët janë duke pritur deri në 2 orë në pikën Dheu i Bardhë Fluks i mërgimtarëve drejt Kosovës ...
-
Mërgimtarja e denoncon burrin për dhunë, e sulmoi pasi vendosi të shkojë në pushime me fëmijë
-
Besmir Hoxha, profesionist në fushën e energjisë në SHBA
-
Vazhdojnë ardhjet e mërgimtarëve, pritje në Merdar
-
Pritje të gjata në disa pikëkalime kufitare Kosovë-Serbi
Jeta në Zvicër
-
Zvicra nis një fushatë ndërgjegjësimi për përdorimin e dronëve Në Zvicër, dhjetëra mijëra njerëz zotërojnë drone. Por përdorimi i këtyre pajisjeve të drejtuara kërkon të...
-
Pse dështuan iniciativat për uljen e kostove shëndetësore në Zvicër?
-
Rrezik zjarri në pyje në kantonin e Valais-it
-
7 kilometra kolona përpara Gotthard-it
-
Roche – kompania më e vlefshme zvicerane, mposht Nestlé-n