Kosova

Post Festum Muajit të Filmit Kosovar në Bernë, “Kino Kosova”

Intervistë me bashkëthemeluesin e Kulturalink-ut, Sabahet Metën, lidhur me organizimin e muajit të Filmit Kosovar në Bernë

Synimi i aktivitetit “WMuaji i filmit kosovar” në Bernë ishte që shtatori do t’u kushtohej filmave të prodhuar në Kosovë dhe diasporë, filma që trajtojnë aspekte të ndryshme të shoqërisë kosovare (dhe evropiane), siç janë migrimi, rolet gjinore, drejtësia dhe barazia, çështjet e vizave etj.,  thotë Sabahet Meta, ashkëthemelues i Kulturalink (organizatori i ngjarjes) në intervistën e tij për albinfo.ch

Albinfo.ch: Si rrodhi ideja që të sillni filma kosovarë ne Zvicër ?

 Sabahet Meta: Ne si organizatë, Kulturalink, morëm këtë detyrë që të krijojmë programe lidhëse dhe shkëmbime për artistë dhe të rinj në përgjithësi, të cilët përdorin aftësi artistike, të tilla si: fotografi, video, teatër, art figurativ dhe muzikë, si një mjet për promovimin dhe kuptimin e kulturës sociale dhe përmirësimin e mendimit kritik.
Qëllimi kryesor është ndërtimi i një ure kulturore midis rajonit të Ballkanit dhe Zvicrës.

Unë që vij nga Kosova dhe tani jetoj në Bernë për gati 7 vjet, me siguri që e shoh potencialin dhe nevojën për lidhjen e këtyre dy vendeve në një nivel kulturor pasi që jam këtu dhe atje shpesh, jam më i informuar për ngjarjet në përgjithësi në të dy vendet. Këtu pra ishte kryesisht frymëzimi dhe ideja, shoh hapësirën për t’i lidhur këto dy vende më shumë në një nivel kulturor, në këtë rast në bazë të filmave të tanishëm kosovarë – nga Kosova, dhe nga diaspora. Përmes tyre kemi sjellë historitë në qarkullim që nganjëherë na tregojnë më shumë për Evropën dhe Zvicrën sesa për vetë Kosovën.

Cili është qëllimi i këtij aktiviteti kulturor?

Qëllimi ishte që muaji shtator do t’u kushtohej filmave të prodhuar në Kosovë dhe diasporë, filma që trajtojnë aspekte të ndryshme të shoqërisë kosovare (dhe evropiane), siç janë migrimi, rolet gjinore, drejtësia dhe barazia, çështjet e vizave etj.

Shoqëria pasqyrohet në filma dhe nga ana tjetër, filmat ndikojnë në shoqëri duke ndryshuar përfaqësimet dhe duke ndryshuar mendimet e shikuesve.

Si i keni përzgjedhur filmat që u shfaqën gjatë shtatorit në Bernë ?

Filmat janë përzgjedhur për potencialin e tyre për të pasqyruar betejat dhe dëshirat e një shteti të ri të vendosur në kufijtë gjeografikë dhe politikë të Evropës.

Jemi përpjekur të mbulojmë shumë tema sociale. Disa filma i kemi parë më parë gjatë disa festivaleve të tjera, si për shembull gjatë Dokufest-it, dhe disa të tjerë i kemi parë gjatë procesit organizativ me sugjerim nga QKK (Qendra Kinematografike e Kosovës).

Kush e ka mbështetur këtë ngjarje në Bernë?
Meqenëse përmenda QKK-në, ata ishin mbështetës të idesë që nga fillimi. Shumicën e kontakteve  i morëm përmes tyre, për shumicën e filmave edhe ata mbajnë të drejtat autoriale. Po ashtu, ata sugjeruan edhe filmat bazuar në idenë e projektit që kishim.
Kinemaja ku janë shfaqur filmat, “Kino in der Reitschule” dhe kolektivi i saj ishin të përfshirë në organizim po aq sa Kulturalink.
Fondacioni i programit “SüdKulturFonds” ka mbështetur ardhjen e mysafirëve tanë, regjisorë të filmave. Gazeta të ndryshme lokale si Der Bund, që promovuan projektin dhe Ambasada e Republikës së Kosovës në Bernë, ndihmuan në përhapjen e lajmit për Kino Kosova tek komuniteti ynë. Shumicën e produksionit të filmave si dhe regjisorët i konsiderojmë si partnerët tanë, pasi u solidarizuan me iniciativën tonë në lidhje me këtë ngjarje.

Përmendët që keni paraparë edhe vizita të regjisorëve të filmave? Cilët janë dhe nga erdhën?

Një qëllim i rëndësishëm i këtij projekti ishte që regjisorët të jenë të pranishëm gjatë shfaqjeve të filmave të tyre, për tu dhënë atyre mundësinë për të treguar më shumë për punën e tyre dhe për të bashkëbiseduar me audiencën, për të ndihmuar atë që kinemanë ta shohin si një vend të shkëmbimit kulturor.
Katër regjisorë nga Kosova ishin të ftuar dhe 2 të tjerë nga Zvicra por me prejardhje nga Kosova.

Fatkeqësisht jo të gjithë mund të vinin për shkak të situatës me koronavirusin. Dritëro Mehmetaj, regjisori i filmit “Zgjedhe një emër” dhe Kastriot-Pierre Jashari regjisori i filmit “Bonu Burrë” ishin të pranishëm  për Q&A.

Dritëro Mehmetaj  – regjisori i filmit “Zgjedhe një  emër”(majtas) dhe Kastriot-Pierre Jashari regjisor I filmit “Bonu Burrë” (djathtas)

Ndërsa Antoneta dhe Sevdije Kastrati nga filmi “Zana” dhe Ilir Hasanaj, regjisori i filmit “Me dasht’ Me dasht’ Me dasht’”, ishin të pranishëm nëpërmjet Skype.
Prania e tyre, në një mënyrë ose tjetër, i bëri filmat më informues dhe nxiti mendime të reja tek publiku, pasi ata folën gjithashtu për frymëzimet e tyre dhe procesin e xhirimit të filmave.
Iliri, i cili ka jetuar dhe studiuar në Zvicër e që tani jeton në Prishtinë, na tregon se si rinia në Kosovë ka shumë sfida për shkak të mungesës së mundësive dhe perspektivave të reja ndërsa, në anën tjetër, disa të rinj në Zvicër që i kanë këto nuk janë të lumtur.
“Pse keni zgjedhur estetikën e Horrorit surreal për këtë film?”, ishte pyetja nga audienca për Antonetën dhe Sevdijen. “Nuk ka për qëllim të jetë Horror. Është një jetë e vërtetë. Trauma është jeta reale dhe imazhet që tregojnë atë histori na erdhën shumë natyrshëm. Ne e humbëm motrën tonë gjatë luftës dhe unë kam pasur makthe të tilla për njëzet vjet” thotë Antoneta. Kjo është një histori e mundshme kosovare-shqiptare.

Screenshot nga filmi “Zana” e regjisores Antoneta Kastrati

Cilat janë planet e mëtutjeshme? A planifikoni që këta filma t`i paraqitni edhe diku tjetër dhe a do të ketë diçka te ngjashme edhe vitin e ardhshëm?

Ishte një eksperiencë shumë e mirë. Pas marrjes së komenteve dhe reagimeve shumë të mira nga publiku, nuk e shoh arsyen për të mos organizuar përsëri një ngjarje të tillë.
I njëjti program ose i ngjashëm mund të organizohet në një qytet tjetër.

Pasi të kemi përfunduar vlerësimin e projektit, po e shqyrtojmë mundësinë e organizimit të një festivali që do të mbahet rregullisht, me filma të prodhuar nga dhe për Kosovën.

Kush është Sabahet Meta   

Sabahet Meta ka lindur në Prizren. Jeton në Bernë që nga viti 2014 ku ka punuar në një organizatë ndërkombëtare dhe kjo ishte arsyeja e ardhjes se tij në Zvicër. Në të njëjtën kohë, ai vijoi studimet në Bernë ku dhe diplomoi në Projekt Menaxhment, Proces Kreativ dhe Lidership. Programi i studimit që ai ndoqi ishte ndërkombëtar. Ai kishte kolegë studentë nga e gjithë bota dhe thotë se, ky ishte një shkollim shtesë për të, që i ngjalli interesin për multikulturalizmin dhe tema të tjera shoqërore. Ai është bashkëthemelues i organizatës Kulturalink.

 

  • Intervista është realizuar në fillim të tetorit, për numrin aktual të revistës, albinfo.ch