E-Diaspora

Profesori shqiptar që bën hulumtime kundër kancerit

Shqiptarët me përgatitjet e tyre profesionale kanë arritur të jenë pjesë e institucioneve më prestigjioze në botë, madje të radhiten përkrah emrave të shquar të fushave të ndryshme.

I lindur në fshatin Radiovcë të Tetovës, Bashkim Ziberi tani është profesor në Universitetin e Harvardit. Por, arritja e tij nuk është vetëm kjo, ai madje është bërë pjesë e një hulumtimi shkencor që është duke u bërë në lidhje me luftën kundër kancerit.

Assoc. Prof. Dr. Bashkim Ziberi për IndeksOnline ka treguar më shumë rreth rrugëtimit dhe arritjeve të tij në fushën e mjekësisë, por edhe për punën kërkimore hulumtuese rreth kancerit.

“Lidhjet me Universitetin e Harvardit i kam më të hershme, sepse një nga recenzuesit e temës së Doktoratës ka qenë Prof. Dr. Michael J. Aziz i Shkollës së Inxhinierisë dhe shkencave aplikative në Harvard. E kush nuk dëshiron të jetë pjesë e Harvardit, por unë asnjëherë nuk kam aplikuar sepse i jam frikësuar ardhjes në SHBA, se nuk do kthehesha dot prapë. Sidoqoftë, unë fizikisht dhe shpirtërisht kam qenë dhe akoma jam i ndarë ndërmjet dy botërave, njëra që zhvillohet në qendrat më të njohura kërkimore shkencore dhe tjetra në vendlindjen time. Deri më sot dominon kjo e fundit. Unë mendoj se shkencëtarët janë nomadë modern, që duhet të jenë vazhdimisht në lëvizje në kërkim të sfidave të reja për të mbajtur gjallë shpirtin e rebelit shkencor në kërkim të të panjohurës.

Në këtë kuptim, por për ti dhënë pak hakun edhe pjesës së parë, për të krijuar kontakte dhe ndërtuar bashkëpunime të reja, por edhe për të prekur në karierën time shkencore një fushë që më ka flejtur çdoherë në zemër, vendosa të aplikoj në Programin Fulbright, me projekt pune në departamentin me të cilin veç kisha kontakte”.

Aktualisht Ziberi gjendet në lagjen mjekësore Longwood, ku janë të vendosura spitalet dhe qendrat kërkimore shkencore me renome botërore siç janë Instituti i Kancerit Dana-Farber, Spitali Brigham & Women dhe Fakulteti i Mjeksësisë së Harvardit në kuadër të të cilit funksionojnë qendrat kërkimore.

“Punoj në departamentin e Onkologjisë së Rrezatimit në grupin e Dr. Wilfred Ngwa, pjesë e grupit më të madh të Fizikës Mjekësore dhe Biofizikës.

Sëmundjet e kancerit janë shkaktarët e dytë të vdekjeve në botë, me rreth 17 milion raste të paraqitura në vitin 2018. Studimi në këtë fushë është sfidues ku ndërthuren shumë fusha shkencore si Fizika, Kimia, Biologjia, Mjekësia, Teknologjia e informacionit, etj. Konkretisht merrem me studime paraklinike (tek minjtë) në trajtimin e kancerit të Pankreasit dhe Prostatës me anë të biomaterialeve të mençura rrezatuese (SRB) të ngarkuar me nanogrimca të Arit”, shkruan indeksonline, përcjell albinfo.ch.

Sa i përket hulumimit që është duke bërë, ai thotë për IndeksOnline se qëllimi kryesor i këtij studimi është rritja e efektshmërisë së trajtimit të kancerit dhe të metastazave duke dërguar biomaterialet e mençura drejtë në hapësirën kancerogjene.

“Duke shfrytëzuar Radioterapinë dhe vetitë fizike (fotoefektin), grimcat e Arit rrezatojnë rrezatim lokal të përqëndruar që i shkatërron qelizat kancerogjene. Gjithashtu, antigjenet e krijuara nga qelizat kancerogjene në vdekje e sipër, së bashku me imunoterapeutikët shfrytëzohen si vaksinë për të nxitur efektin abskopal, të trajtimit të metastazave. Pra thjesht, gjatë trajtimit të një pjese të kancerit inicojmë procese që mund të zvogëlojnë deri në asgjësim të plotë të metastazave të përhapura në trup. Përparësi shtesë e kësaj metode është se të gjithë veprimin e kryen në zonën tumorale pa efekte anësore, siç i shohim në Kemoterapi apo Radioterapi. Përveç kësaj, duke ju bashkangjitur biomaterialeve të mençur dhe grimcave të Arit substanca selektive që preferojnë qelizat kancerogjene, këto materiale shkojnë drejt e në zonën tumorale, me një sasi më të madhe të ngarkesës. Së fundmi, me anë të kësaj metode mund të zvogëlojmë sasinë e Rrezatimit dhe Kemoterapisë që marrin pacientët”.

Rrezultatet e arritura nga ky hulumtim ai thotë se janë aq premtuese saqë brenda vitit do të fillohet me studime klinike tek pacientët me kancer të prostatës.

“Grupi shkencor ku jam kyçur unë ka treguar arritje të jashtëzakonshme në fushën e trajtimit të sëmundjeve të kancerit, gjë për të cilën kanë fituar edhe çmime. Një pjesë e rrezultateve janë publikuar kurse të tjerat janë në përgaditje e sipër. Nuk mund ta mëshef se puna ime këtu ka edhe komponenten emocionale, meqë një muaj para se të vij në SHBA Nëna më ndërroj jetë pikërisht nga kanceri i Pankreasit, prandaj u jamë shumë falenderues kolegëve këtu që më lejuan të merrem edhe me këtë lloj kanceri”.

Një pjesë të kohës profesori nga Tetova thotë se ia kushton edhe organizimit të Samitit vjetor të Harvardit në shëndetin Global veçanërisht për smundjet e kancerit. Ideja kryesore është si të krijohet qasje më e mirë dhe më efikase të personave të prekur nga kanceri në vendet me të ardhura të ulëta dhe mesatare. Sivjet për herë të parë ai thotë se kanë ftuar pjesëmarrës edhe nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut.

Ziberi, studimet e Masterit i kryer në Fakultetin e Fizikës dhe Gjeoshkencës në Universitetin e Leipzig-ut. Në të njëjtin Fakultet në Nëntor të vitit 2006 ka mbaruar studimet e doktoraturës në fushën e Nanoteknologjisë, gjegjësisht krijimin e nanostrukturave në materialet gjysëmpërçuese të Siliciumit dhe Germaniumit.

Nga Korriku i 2010 u kthye për të dhënë kontributin e tij në Universitetin e Tetovës në Republikën e Maqedonisë së Veriut, kontribut të cilin vazhdoj ta jep edhe sot e kësaj dite