Lajme

Pse Zvicra i frikësohet embargos të gazit rus

Është thënë shumë për varësinë e Zvicrës nga gazi rus, me disa që pretendojnë se vendi varet nga ky furnizim, ndërsa të tjerë thonë se nuk është kështu. Cila është situata reale?

Gazi natyror plotëson rreth 15 për qind të kërkesave energjetike të Zvicrës. Përdoret kryesisht për gatim dhe ngrohje.

Megjithëse e blen shumicën e këtij burimi energjie përmes kanaleve të ndryshme të shpërndarjes evropiane, pothuajse gjysma e furnizimit të Zvicrës – rreth 47 përqind – është me origjinë ruse, shkruajnë mediat zvicerane, përcjell albinfo.ch.

Ndërsa Zvicra nuk po bojkoton gazin rus, Moska ka kërcënuar se do të ndërpresë furnizimet në Evropë, pasi tashmë ka mbyllur rubinetin për Poloninë dhe Bullgarinë.

Nëse kjo do të ndodhte, do të ishte “shumë e vështirë” për Zvicrën, sipas presidentit zviceran Guy Parmelin.

Arsyeja është se “Zvicra është totalisht e varur nga importi i naftës dhe gazit. Ne kemi dashur ta minimizojmë këtë varësi për një kohë të gjatë, për shembull me energjitë alternative, por kjo kërkon kohë”, tha në një intervistë Parmelin, i cili vepron edhe si Ministër i Ekonomisë i Zvicrës.

Sidoqoftë, në rast se Moska ndalon dërgesat, Zyra Federale për Furnizimin Ekonomik (OFAE) mund të minimizojë dëmin, pasi Zvicra ka rezerva të detyrueshme.

Për ta lejuar këtë, popullsia duhet të frenojë përdorimin e gazit, përcjell tutje albinfo.ch.

Kjo do të thotë se e gjithë popullata do të duhet të vendosë ngrohëset e saj qendrore 1 gradë më poshtë se zakonisht, gjë që do të rezultojë në uljen e konsumit total prej 5 deri në 7 për qind.

“Nëse gazi do të kishte mungesë, së pari do t’u kërkohet konsumatorëve që të reduktojnë vullnetarisht konsumin e tyre të gazit. Qeveria federale mund të kërkojë gjithashtu që kompanitë me instalime me karburant të dyfishtë të kalojnë nga gazi në naftë për ngrohje”, sipas Zyrës Federale për Furnizimin Ekonomik Kombëtar (FONES).

“Nëse do të kishte ende shumë pak gaz në dispozicion, kuotat e gazit mund të vendoseshin për konsumatorët e mëdhenj pa instalime me karburant të dyfishtë. Nëse është e nevojshme, kompanive mund t’u kërkohet të ndalojnë operimin. Vetëm në fazën e tretë do të prekeshin edhe familjet private dhe do të duhej të reduktonin konsumin e gazit. Sistemet e ngrohjes, duke përfshirë ujin e nxehtë në shumë raste, nuk do të ishin më të disponueshme gjatë gjithë kohës”, tha FONES.

Nëse ka një pikë që lufta në Ukrainë e ka çuar në shtëpi, ajo është se në terma afatgjatë, “Zvicra duhet të shohë se si mund të furnizojë energjinë e saj dhe ku është e mundur të reduktojë varësitë”, vuri në dukje Parmelin.

Ndërkohë, dy qytete zvicerane tashmë kanë filluar të bojkotojnë gazin rus duke mos ngrohur pishinat e tyre komunale.