Kosova

“PYLLI I ARINJVE Prishtina” – vendi ku natyra flet me vizitorët 

Vendi ku arinjtë e keqtrajtuar kanë gjetur shpëtimin dhe lirinë. Një hapësirë ku vizitorët e çdo moshe shijojnë natyrën. E vetmja qendër për edukim mjedisor shumëdimensional. Gjithashtu, një model modern drejt praktikave të vetëqëndrueshmërisë dhe shfrytëzimit efiçient dhe miqësor të burimeve të natyrës

“PYLLI I ARINJVE”, vetëm 20 kilometra larg Prishtinës, në fshatin Mramor, shpaloset para vizitorëve si ndonjë peisazh i pikturuar me mjeshtëri dhe që ka marrë jetë në mes të pyllit të dendur. Teksa i afrohesh hyrjes për vizitorë, përveç bukurisë natyrore, mënjehërë të bie në sy rregulli dhe pastërtia që mbizotërojnë në çdo kënd dhe element të këtij lokacioni që është i veçantë në Kosovë për shumë arsye.

 

Shtëpi dhe rehabilitim për arinjtë e keqtrajtuar

Këtu është shtëpia e përjetshme e 20 arinjve nga Kosova dhe Shqipëria, të shpëtuar nga kafazët dhe kushtet e mjeruara ku mbaheshin më parë. Tani, secili ari ka në dispozicion së paku 5,000m² për të shijuar të qetë dhe të patrazuar jetën në liri, në habitatin e tyre natyror. Duke qenë kafshë kryesisht vetmitare dhe që rrinë me grupe të kufizuara, “PYLLI I ARINJVE Prishtina” e ka projektuar dhe përshtatur hapësirën që secili ari të ketë territorin e vet dhe të mos e pengojnë njëri-tjetrin.

“Arinjtë janë në proces rehabilitimi dhe tre vitet e para janë më të vështirat. Për shkak se kanë jetuar shumë gjatë në robëri, ata e kanë humbur aftësinë për të mbijetuar vetë në natyrë, por edhe frikën nga njeriu. Prandaj do të jetojnë këtu gjithë jetën” tregon Afrim Mahmuti, menaxher i kësaj qendre.

“PYLLI I ARINJVE Prishtina” është projekt i nisur nga organizata globale për mirëqenien e kafshëve “VIER PFOTEN” nga Austria. Misioni i organizatës është të zbulojë kafshët që vuajnë nga veprimet e njeriut, t’i shpëtojë dhe t’i mbrojë ato. Shpëtimi i arinjve që mbaheshin nëpër restorante në Kosovë, si formë argëtimi për klientët, u bë dhe pikënisja e këtij lokacioni që, në vitin 2020, është shndërruar në një nga atraksionet turistike më të njohura të Kosovës.

Çdo ditë, shtatë kujdestarë të specializuar përkujdesen për shëndetin dhe mirëqenien emocionale të arinjve. Dieta e arinjve është e studiuar mirë: 85% janë fruta dhe perime, ndërsa në vjeshtë arinjtë marrin ushqime me më shumë kalori, në përgatitje të gjumit dimëror. Arinjtë kanë kontrolle të rregullta veterinare, mbikëqyrje të shëndetit dhe sjelljes.

“Jemi ndryshe nga kopshti zoologjik” shpjegim Afrim Mahmuti. “Ne nuk i detyrojmë arinjtë të dalin për vizitorë. Ata kanë shpellat e veta, të krijuara nga ne ose që i gërrmojnë vetë, kanë lodrat e tyre dhe vetëm kur dëshirojnë, shfaqen për vizitorët”.

Qendër për edukimin mjedisor “THESARET  E NATYRES” – mësojmë për natyrën në natyrë

Vetëm gjatë vitit 2019, “Pyllin e Arinjve” e kanë vizituar 43,000 vizitorë, prej tyre rreth 8,000 nxënës, në grupe të organizuara nga shkollat. Fundjavat janë plot vizitorë, kryesisht familje. Në verë, vizitorët më të shumtë vijnë nga diaspora. Çdo ditë, grupe të të rriturve dhe fëmijëve vijnë të ecin përgjatë shtegut të “Pyllit të Arinjve”, të vizitojnë Qendrën ku ka informacione të shumta për jetën e arinjve dhe kujdesin për natyrën dhe të kalojnë një ditë argëtuese rrethuar nga natyra.

Por nuk është vetëm argëtim. Çdo element në këtë hapësirë është i krijuar dhe i pozicionuar për të dhënë mesazhe të fuqishme se njeriu, kafshët dhe natyra ekzistojnë në Tokë si një sistem i vetëm dhe sa e rëndësishme është që njeriu që jetë miqësor ndaj natyrës dhe si të kujdesemi më mirë. Në restorant edukativ, të krijohet përshtypja se je në pyll me arinjtë. Një “shpellë” e instaluar aty brenda u tregon fëmijëve se si ndjehet ariu. Video të ndryshme edukative shpërndajnë informatat kryesore për arinjtë. Libra, postera dhe materiale të tjera edukative janë të vendosura kudo nëpër qendrën edukative të quajtur “Thesaret e Natyrës”. Personeli i specializuar i qendrës udhëheq vizitat dhe ndan informatat. Fëmijët mund të jenë pjesë e “Shkollës së Pyllit” – orë edukative që mbahen në natyrë – ose të përcjellin programin “Treasure Hunt” (“Gjuetia e thesareve”) brenda qendrës ku mund të fitojnë certifikatën “Hero i Natyrës”!

Koncepti i “Pyllit të Arinjve” vazhdimisht është zgjeruar. Në korrik të këtij viti u inaugurua edhe “Shtegu i Natyrës”. Përgjatë 400 metrave të këtij shtegu, vizitorët hasin në risi, si kodra e milingonave, labirinti, shpella e ariut ku dëgjohen rrahjet e zemrës së një ariu, rrjeta e merimangës, apo foletë e zogjve dhe pika e vëzhgimit. Tabela të ndryshme me informata janë vendosur kudo nëpër shteg. Ky zgjerim u bë i mundur falë marrëveshjes së bashkëpunimit ndërmjet VIER PFOTEN dhe Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, përmes projektit të Swisscontact në Kosovë, Promovimi i Punësimit në Sektorin Privat.

Shumica e fondeve vijnë nga donatorë privatë, nga Evropa

“Financimi nga qeveria zvicerane ka plotësuar programin mjedisor, si një prej synimeve tona” thotë Afrimi. Ky zgjerim mundëson që “Pylli i Arinjve” të ketë ofertë edhe më të pasur gjatë tërë vitit për argëtim dhe edukim mjedisor për vizitorët e vet, duke u shndërruar në një destinacion më atraktiv.

Po ashtu, Komuna e Prishtinës ka dhënë tokën (16 ha) në shfrytëzim për 99 vite si dhe ka financuar asfaltimin e rrugës në gjatësi 2.7 km që lidh PYLLIN E ARINJVE Prishtina me rrugën kryesore.

Pjesa më e madhe e fondeve që nevojiten për mbarëvajtjen dhe mbijetesën e “Pyllit të Arinjve” vijnë nga donatorë privatë nga Evropa. “Donacionet private, qoftë në formë individuale apo të organizuara, janë jetike për ekzistencën tonë dhe vazhdimin e misionit të organizatës” tregon Afrimi.

Situata e krijuar nga COVID-19 ka prekur edhe PYLLIN E ARINJVE Prishtina, pasi për disa muaj ra dukshëm numri i vizitorëve dhe në përputhje me masat zyrtare, ndonjëherë qendra është dashur të mbyllë dyert. Prandaj dhe përkrahja nga fondet e jashtme merr një tjetër rëndësi dhe dimension për këtë qendër.

Model modern i menaxhimit të qëndrueshëm

Në përputhje me qasjen pro-natyrës që ka “Pylli i Arinjve”, kjo qendër gjithnjë e më shumë po orientohet nga praktikat e menaxhimit të qëndrueshëm dhe vetëmjaftueshmërisë. Sikurse tregon Afrim Mahmuti, ata kanë instaluar një impiant për pastrimin e ujërave të zeza. Uji i pastruar përdoret për ujitje të hapësirave të qendrës.

Një kopsht i vogël, krijuar në zemër të pyllit, siguron sasi të konsiderueshme të perimeve të freskëta që furnizojnë kuzhinën e restorantit “Thesaret e Natyrës” dhe një pjesë të ushqimit vegjetarian për arinjtë.

Në kuadër të programit për edukimin mjedisor, është krijuar edhe sistemi i riciklimit të mbeturinave. Këtu bëhet ndarja e mbeturinave në kanaçe, letër, qelq dhe plastikë. Më tutje, këto mbeturina të klasifikuara merren nga biznese të specializuara për riciklimin e tyre. Ndërsa mbeturinat ushqimore kompostohen dhe përdoren për të plehëruar kopshtin e qendrës, ose u shpërndahet fshatarëve të zonës, që prodhojnë perime dhe fruta për restorantin e qendrës.

“Pylli i Arinjve” ka marrë licensën si konsumator vetëprodhues i energjisë elektrike nga panelet solare me kapacitet 30 kW. Projekti i radhës është instalimi edhe i 10 kW i paneleve solare në mënyrë që të mbulohet 100% prodhimii i energjisë për nevojat e veta. Pritet që nga viti 2021, shpenzimet për energji nga rrjeti publik (nga linjiti) të jenë zero.

Merre një kujtim me vete

Në kuadër të qendrës “Thesaret e Natyrës” funksionon edhe dyqani i suvenireve. Arinjtë dhe natyra janë simboli kryesor në të gjitha suveniret që shiten këtu dhe fitimet nga shitja shkojnë për mirëqenien e arinjve dhe mbarëvajtjen e qendrës. Duke blerë një suvenir, vizitorët ndihmojnë edhe gratë të cilat i punojnë këto suvenire me duart e tyre. Në fakt, “Pylli i Arinjve” e ka për mision të vetin që të mbështesë gratë rurale që mbajnë familjet, duke shitur vetëm produktet e tyre: punëdore, dekorime, apo produkte natyrore si çajra të ndryshëm.

Gjithçka në këtë qendër funksionon si cikli i jetës: njeriu në mbrojtje të botës shtazore dhe natyrës; natyra që dhuron bollëkun e produkteve, ujin dhe diellin dhe një sistem ku u krijohet mundësi familjeve të zonës të gjejnë punësim apo të shesin produktet e tyre.

“Pylli i Arinjve” është destinacioni më unik në Kosovë, ku vizitorët shkojnë për të shijuar bukurinë e pyllit dhe kthehen prej atje të frymëzuar me më shumë dashuri për natyrën dhe mesazhe pozitive për ta mbrojtur atë.

Pikënisja e “Pyllit të arinjve”

 “PYLLI I ARINJVE Prishtina” është projekt i nisur nga organizata globale për mirëqenien e kafshëve “VIER PFOTEN” nga Austria. Misioni i organizatës është të zbulojë kafshët që vuajnë nga veprimet e njeriut, t’i shpëtojë dhe t’i mbrojë ato. Shpëtimi i arinjve që mbaheshin nëpër restorante në Kosovë, si formë argëtimi për klientët, u bë dhe pikënisja e këtij lokacioni.

 Suveniret me motive të arinjve

 Arinjtë dhe natyra janë simboli kryesor në të gjitha suveniret që shiten këtu dhe fitimet nga shitja shkojnë për mirëqenien e arinjve dhe mbarëvajtjen e qendrës. Duke blerë një suvenir, vizitorët ndihmojnë edhe gratë të cilat i punojnë këto suvenire me duart e tyre. Në fakt, “Pylli i Arinjve” e ka për mision të vetin që të mbështesë gratë rurale që mbajnë familjet, duke shitur suveniret.

 

 

 

 

 


LAJME INTERESANTE NGA INTERNETI