Kosova

Që nga ’99-a, Finlanda ka dhënë për Kosovën 50 milionë euro

Shërbimi Korrektues i Kosovës nuk ka pasur deri tani mbështetje nga niveli politik. Për këtë po premtohet se do të ketë fuqizim dhe mbështetje nga Qeveria e re.

Kështu u tha sot në pjesën përmbyllëse të projektit për “Fuqizimin e mëtejshëm të Shërbimit Korrektues dhe Shërbimit Sprovues në Kosovë”.

E pranishme ishte edhe zëvendësudhëheqësja e misionit nga Ambasada e Finlandës, Sargit Salakari, e cila tha se Finlanda ka numrin më të vogël të burgosurve në Evropë. Ndër të tjera, sipas saj, ky vend skandinav ka dhënë për Kosovën 50 milionë euro që nga viti 1999, përcjell albinfo.ch.

“Qëllimi i këtij projekti ishte që të mbajë autoritetet e Kosovës… Për shembull, rehabilitimi dhe integrimi dhe që të privohet nga përsëritja e veprës pas daljes nga burgu. Kur flasim për numrin e ulët të burgosurve, kisha dashur të ndaj statistikat e të burgosurve. Ky raport tregon se Finlanda ka numrin më të ulët të të burgosurve në BE. Ne kemi burgje të hapura dhe të mbyllura”, deklaroi ajo.

Udhëheqësi vendor i “Projektit të binjakëzimit”, Rasim Selmani, ka bërë të ditur se ky projekt ka filluar 30 muaj më parë, ndërsa drejtori i përgjithshëm i Agjencisë Finlandeze për Sanksione Penale, Arto Kujala, nuk ka mundur të ishte i pranishëm në këtë projekt përmbyllës pas përhapjes se coronavirusit.