Shqiptaro-zviceranët dhe Zgjedhjet Federale 2015

Qëndresa, në garë për një ulëse në parlamentin zviceran

Qëndresa Sadriu që nga mosha 18-vjeçare në mënyrë aktive merret me politikë. Në zgjedhjet e fundit komunale Qëndresa kishte siguruar një vend në Kuvendin Komunal të Glattbrugg-ut, kurse në vitin 2014 ajo hyri në kryesi të SP-së, në qytezën ku jeton, ndërsa këtë vit ajo është është bashkëkryetare e degës në Glattbrugg.

Ajo nuk e ka në plan të ndalet përgjat rrugës së saj në politikë, sepse në zgjedhjet nacionale që do të mbahen në muajin tetor Qëndresa ka kandiduar për një ulëse në parlamentin zviceran.

Qëndresa thotë se shpesh është konfrontuar me çështje të tilla, si p.sh. fëmijët, të cilët vuajnë nga sëmundjet e rënda, e që duhet një kohë të gjatë të trajtohen në spital, patjetër duhet ta kenë mundësinë që t’i kenë prindërit afër tyre, pa pasur konsekuenca në jetën e tyre profesionale dhe sociale.

Qëndresës i intereson edhe sistemi shkollor, ku talentët duhet të jenë në fokus dhe të përkrahen, e kjo do të ndikojë që të rinjtë të jenë më të motivuar dhe të krijohet një ardhmëri më e mirë. Por nuk është vetëm fuqizimi i talentëve me rëndësi për Qëndresën, ajo thotë se te të rinjtë nuk duhet të jetë me rëndësi emri, ngjyra, kombi dhe orientimi seksual për ngritje profesionale apo studim.

“Secili njeri duhet t’i dhurojë shoqërisë diçka, pa marrë parasysh në është në formë materiale, përmes diturisë apo punës fizike”, thotë Qëndresa, duke shtuar se shumë njerëz nuk e kanë pasur rastin të jetojnë si ne që jetojmë në këtë shtet, si p.sh. sot refugjatët për një jetë më të mirë rrezikojnë gjithçka, edhe më të shtrenjtën, jetën e tyre.

“Ky vit është shumë me rëndësi për ne, sepse janë zgjedhjet dhe do të vendoset për katër vjetët e ardhshëm që t’i japin kah politikës në shtetin tonë. Hapja, solidariteti apo izolimi dhe ngecja sociale!? Unë nuk di të jetoj në një vend, i cili çdo vit e më shumë izolohet dhe të pasurit i privilegjon, por në një shtet te i cili prosperiteti dhe kualiteti i jetës është i ndarë në mënyrë të barabartë”, thotë Qëndresa Sadriu.

Por, në rast se do të fitojë Qëndresa një ulëse në parlamentin zviceran, çfarë do të mund të bëjë për shqiptarët që jetojnë në këtë shtet?

„Si deputete do të angazhohem që komuniteti shqiptar në Zvicër të trajtohet më seriozisht dhe që shanset t’i ketë të barabarta me vendësit në jetën sociale dhe ekonomike. Përmes kontaktve që do t’i kem do të mundohem ta bind komunitetin shqiptar për një integrim të plotë në jetën shoqërore, ekonomike dhe sociale në Zvicër dhe posaçërisht që të rinjtë ta kuptojnë që e ardhmja e tyre është këtu dhe askund tjetër”, tha për albinfo.ch politikania e re me rrënjë nga Kosova.

Do të mundohem t’i shfrytëzoj mënyrat moderne që përmes medieve sociale të jem sa më afër dhe përmes kontakteve familjare po ashtu shoqërore t’i motivoj njerëzit që të dalin në zgjedhje.

„Filozofia dhe ideja socialiste gjithmonë më ka interesuar dhe më ka pëlqyer dhe besoj se vetëm një shoqëri që mbahet nga politika sociale demokratike do ta çojë shoqërinë në zhvillim”, thotë më tutje Qendresa.

B297D4F7-4B40-4AB9-9931-177FEE40A5FC7F1F5E4F-23AB-43C7-A9A6-0A3F79129DA6

Kush është Qëndresa Sadriu?
 
Qëndresa Sadriu është me origjinë nga Gjilani. Ndonëse ende e re në moshën, vetëm 21-vjeçare, ajo tashmë është asambliste në kuvendin e Glattbruggut. Shkollën fillore dhe të mesme i ka kryer në Halde të Glattbruggut, kurse praktikën si asistente dentale e ka përfunduar dhe, si njëra ndër më të mirat në kantonin e Cyrihut, ka filluar maturën profesionale dhe këtë verë e ka përfunduar me sukses. 
Ngritja profesionale ka rëndësi të madhe për Qëndresen, por edhe angazhimi i saj në punët vullnetare zë një vend të posaçëm. Ajo me “Siftung pfarrer-sieber” përkujdeset për të pastrehurit dhe për të varurit nga droga, si dhe në organizatën për përkujdesjen dhe përkrahjen e fëmijëve me kancer dhe familjeve të tyre. Një ndër aktivitetet me rëndësi po ashtu në komunën ku ajo jeton është angazhimi në shoqatën kulturore „Glattalb”, e cila merret me promovimin dhe prezentimin e kulturës dhe traditës shqiptare në Glattbrugg.

 


LAJME INTERESANTE NGA INTERNETI