Koronavirusi: çast pas çasti

Qeveria, pandemia dhe absurditetet në Kosovë*

Nuk e di nëse VV-ja me kryeminsitrin aktual do ta bënte më mirë gjatë një mandati. Por, e di që këta persona që kanë qeverisur para VV-së dhe që dëshirojnë prapë të qeverisin do të vazhdojnë me avazin e vjetër si deri tani

Të gjithë e kemi përcjellë me vite të tëra gjendjen politike në Kosovë. Me ardhjen e secilës qeveri, mendoja, në rregull, edhe pse fituan këta ose ata, ndoshta në variantin më të keqë, mbetet kështu siç është, sepse më keq është vështirë të bëhet. Në një vend demoktratik nuk ka se si të bëhet ende më keq. Por, fatkeqësisht, secila qeveri që ka ardhur deri në vitin 2019, ka arritur t‘ia kalojë qeverisë tjetër për keqqeverisje. Për qeverinë aktuale, për shkak të kohës së shkurtër në qeversje, nuk mund të bëhet një vlerësim definitiv.

Deri më tani është menduar që nga qeveritë e kaluara korrupsioni dhe vjedhja e shtetit dhe futja dhe lënia në mjerim e qytetarëve, gjithmonë me parullat «po mundohem për qytetarët» dhe «kaq shumë po ia duam të mirën popollit etj.». Me kalimin e kohës mbetëm duke shpresuar se ata mund të ndërgjegjësohen dhe, së paku, të kenë kufi kur bëhet fjalë drejpërdrejt për shëndetin publik.

Në këtë situatë të pandemisë, mendoja, që ndoshta do të marrin së paku shembull nga shumica e vendeve të zhvilluara dhe të bëhen bashkë të gjithë, të paktën për një kohë deri sa të stabilizohet situata me virusin Corona.

Por, ata nisën mocionin për ta rrëzuar qeverinë dhe për ta lanë vendin pa qeveri në kohën më të vështirë të vendit që nga përfundimi i luftës. Në mbledhjen e Kuvendit me deputetë që i kishin shkruar fjalimet e tyre dhe më dukej që COVID 19 ishte fjala e vetme, që e ngritnin kokën duke mos shikuar në letrat që i lexonin. Deputetët rrëzuan qeverinë, kuptohet, «për të mirën e popullit ». E përsëritnin COVID-19 shumë shpesh, aq shpesh sa që në shikim të parë dukej që me të vërtetë kishte rëndësi për ta. Fatkeqësisht, kjo fjalë ishte vetëm një floskulë për ta.

Këtë na treguan të zgjedhurit që, përveç që ua kanë marrë shumë njerëzve edhe kafshatën e gojës, luajnë edhe me jetën e tyre. E kaluan edhe një kufi. Por, një gjë me duket tani shumë e qartë: të zgjedhurit e popullit nuk e çajnë kokën, jo vetëm për mirëqenien ekonomike të qytetarëve, por as për shëndetin e as për jetën e tyre.

Kur dëgjoja të zgjedhurit gjatë seancës si dhe në intervista të ndryshme pas saj, se si „e mbronin“ popullin dhe shtetin, me shkonte mendja, „ku ishin këta më herët?“.  Disa, bile duke thënë edhe që qeveria aktuale në ikje, shkuarje apo sido që të jetë, nuk ka përvojë të qeverisjes, për atë nuk mund ta qeverisin vendin. Ia shtroja pyetjen vetes, ku na solli «përvoja» e këtyre që kanë qeverisur kaq gjatë ? Për cilën përvojë po flisnin? Për përvojë në keqqeversje?

Qeversja është përgjegjësi. Shumica prej tyre nuk e kanë kuptuar që futja në qeveri është obligim për të punuar për të mirën e popullit. E qeverisjet e deritanishme, me përjashtim të ndonjë ministri aty-këtu, janë futur aty në rend të parë sa për të përfituar personalisht diçka nga pozita, duke e harruar shumë shpejt mandatin e dhënë nga populli për të punuar në të mirën e popullit.

Por, sido që të jetë. Për të qeverisur më mirë  se qeveritë e kaluara nuk është vështirë. Po të respektoheshin vetëm dy gjëra: të mos gënjehej dhe të mos vidhej. E këto dy gjëra i di secili prej nesh që nga fëmijëria.

Disa qeveri të vendeve të zhvilluara flitnin për „luftën’’ kundër virusit Corona, edhe Qeveria e Kosovës përgatitej të futej në „luftë“ kundër virusit. Në deklarata natën vonë shihej që në qeveri nuk ishin gjithë në të njëjtën vijë të frontin për mënyrën e „luftimit“. Është normale që me gjysmëdezereterë nuk shkohet në „luftë“, jo vetëm kundër virusit, por as kundër korrupsionit të rrënjosur në Kosovë. Që një ministër, i cili sillet në atë mënyrë para virusit, e sidmos gjatë virusit, duhet të largohet, më duket është e drejtë. Madje, një person që sillet ashtu, siç sillej ai gjatë negociatave për koalicion, nuk duhej në as një mënyrë të ishte as pjesë e qeverisë.

Por, nuk më duket në rregull mënyra e largimit të ministrit. Pasi që kryeministri ka pranuar në fillim  të punojë me një ministër të tillë, atëherë nuk duhet të befasohet kaq shumë me sjelljet e tij.

Veprimi i kryeministrit duhej të ishte, së paku në fillim, më i matur. Për hirë të situatës, në të cilën është vendi, do të ishte korrekte së paku të kontaktohet paraprakisht kryetari i LDK-së dhe t’i ofroheshin dy opsione me një afat shumë të shkurtër, p.sh. dy ose tri ditë:

  1. Ministri të japë dorëheqje vetë,
  2. LDK-ja ta tërheqë vetë ministrin.

Nëse nuk do të pranohej asnjëri opsion, atëherë mund ta kishte shkarkuar pa pëlqimin e partnerit qeverisës. Kryeministri ka pranuar të hyjë në kolaicion me LDK-në dhe të qeverisë katër vjet, kështu duhet të ishte e mundur të presë dy apo tri ditë.

Pa marrë parasysh se sa respekt meritojnë një pjesë e udhëheqëve të LDK-së, të cilët janë bashkfajtorë për gjendjen e mjerueshme që jemi sot, ishte dashur për hirë të korrektësisë dhe respektit ndaj elektoratit të LDK-së, i cili ka treguar se në cilin drejtim dëshiron të shkojë LDK-ja, duke e mbështetur masovisht Vjosa Osmanin.

Këtë të fundit po e akuzojnë ose tentojnë ta njollosin si përkthyese të Hashim Thaçit. Ja në çfarë niveli e bëjnë debatin. Po flasim për persona në pozita të larta të partisë së tyre edhe hiç më pak se edhe për një ish-ministër të Punëve të Brendshme. Pra, njerëzit që janë futur në koalicione me Hashim Thaçin dhe jo vetëm që i kanë mundësuar të qeverisë për vite të tëra, por në fund edhe ia kanë bërë si dhuratë postin e presidentit për pazaret e tyre, e akuzojnë Vjosa Osmanin se paska përkthyer për Hashim Thaçin. Kjo është e turpshme!?

Nga një kryemnistër që ka marrë për detyrë dhe pretendon ta ndryshojë Kosovën për të mirë, pritet të jetë më i kujdesshëm gjatë qeverisjes. Jo për hirë të ministrave dhe partnerëve të tillë, por sidomos për hirë të situatës aktuale. Së paku të mundohet që të mbetet (po, kuptohet, jo me çdo kusht) sa më gjatë që është e mundur në qeveri, sepse vetëm kështu mund ta ndryshojë vendin.

Sjellja e kryeministrit ma kujton shprehjen popullore «për inatë të resë, me vdektë djali» (për të mos e marrë atë thënien me plesht e me jorgan).  Pra, kryeministri për inat të një ministri rrezikoi rrëzimin e qeverisë në kohën më të keqe të mundshme.

Ai nuk do të duhej të ishte i befasuar që po ata udhëheqës që kanë keqqeverisur sa herë që u është dhënë mundësia për të qeverisur, do ta bënin atë që e bënë, rrëzimin e qeverisë. Gjithsesi gjasat kanë qenë që qeveria të rrëzohet edhe për shkak të reciprocitetit (kështu kërrcënonte partneri i koalicionit), sepse i kanë ngrënë fjalët e veta, duke hequr dorë nga reciprociteti i premtuar (pra të mbetemi pa taksë dhe pa reciprocitet).  Por, ndoshta nuk do të ishte rrëzuar në fillimin e fazës më delikate të përhapjes së virusit në Kosovë.

Edhe kërcënimin me rrëzim për shkak të reciprocitetit udhëheqësit e LDK-së e arsyetonin me kërkesën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për heqjen e saj. Por, kur shtetet si Gjermania, Zvicra, Franca, Britania e Madhe etj. i bënin thirrje LDK-së të mos e prishin kolaicionin në këtë kohë, nuk dëgjuan fare.

Pse ky dëgjim selektiv i ndërkombëtarëve? Kur i konvenoi LDK-së për ta rrëzuar qeverinë me mbështetjen e partive të tjera, atëherë nuk i dëgjoi zërat e disa partnerëve strategjikë, siç dinë të thonë kur u konvenon, dhe e votuan mocionin për rrëzim.

Madje, edhe mburren që qeveria u rrëzua me kaq shumë vota. Pra, e llogarisin sukses që madje edhe PDK, AAK e NISMA e mbështetën „mocionin e tyre“. Çfarë befasie?! Çfarë suksesi?!

Rrëzimin e bënë këto parti së bashku më qëllimin për të tentuar t‘i kontrabandojnë njerëzit e tyre në postin e kryeministrit dhe në qeveri dhe për të vazhduar me keqqeverisje. E në momente të tilla të gjithë keqqeverisësit bëhen bashkë.

Madje, shumë prej tyre e kanë mbrojtur më herët argumentin që fituesi i zgjedhjeve e formon qeverinë. E tani po mundohen të bëjnë interpretime të tjera. Por, fundja, e keqja më e vogël e tyre është ngrënia e fjalëve të veta.

Edhe qeveria në ikje, në shkuarje apo në largim etj. duhej të ishte e mundur të mbetet në detyrë së paku 100 ditë ose deri sa të kalojë pandemia. Edhe pse edhe këta menjëherë futën anëtarët e tyre në borde të ndërmarrjeve publike, siç po thonë përkohësisht, për ta ndalë menjëherë keqpërdorimin dhe njëkohësisht të bëhet zëvendësimi me ekspertë të tjerë. Nuk mund të mbrohet një veprim të tillë, pasi që ka pasur mundësi të emërohen ekspertët jopartiakë, qoftë edhe një herë përkohësisht. Edhe ekspertë jopartiakë ndoshta kishin mundur t‘i ndalin dëmet që i kanë shkaktuar me vite të tëra, qoftë ata që kanë «kunkuru» e qoftë edhe ata që pa «kunkuru» fare janë „rahatu“ në borde, sepse ata nuk futeshin aty për të punuar. Pastaj në bashkëpunim me Ambasadën e Britanisë së Madhe do të ishte bërë përzgjedhja dhe emërimi i anëtarëve të rregullt, të cilët për nga profesioni e meritojnë të jenë aty, pa marrë parasysh simpatinë partiake. Së paku, të ndiqet rruga e duhur.

Edhe një gjë që më ka rënë në sy në ditën e mocionit të mosbesimit, ishin edhe ofendimet në Parlament. Pastaj vërehej një agresivitet i madh dhe një frikë e madhe në Parlament. Pse po frikohen kaq shumë nga kjo qeveri pas një kohe kaq të shkurtër? Sidomos personat që i kanë bërë kaq keq vendit me vite të tëra. Këto pak ditë të qeverisjes nuk duket që janë më të këqija se të këtyre që na qeverisën deri para pak kohe. Pra, pse e gjithë kjo histeri pas një kohë kaq të shkurtër?

Me këta aktorë politikë që na kanë udhëhequr në të kaluarën e që janë ende në krye të partive të tyre dhe njerëzit e tyre të afërt, nuk ka alternativë tjetër, përveç që ta provojmë një mandat edhe me VV-në duke e udhëhequr qeverinë, duke shpresuar më të vërtetë që do e bëjnë më mirë se përpara.

Alternativat e tjera i dimë se cilat janë. Fatmirësisht jemi një vend demokratik dhe votuesi e bën vlerësimin dhe vendos ndryshe, nëse e sheh që ka gabuar në zgjdhjet paraprake. Pra, më së voni pas çdo 4 vjet populli mund të bëjë korrigjime.

Nuk e di pse paska ardhur koha tash, që ato parti që e kanë sjellë vendin në gjendje të mjerueshme, me persona që nuk u ngopen që sa vite duke përvetësuar pasurinë shtetërore, pra të qytetarëve të Republikës së Kosovës, të vijnë prapë në pushtet. Kur ndryshuan për kaq pak muaj?

Nuk e di nëse VV-ja me kryeminsitrin aktual do ta bënte më mirë gjatë një mandati. Por, e di që këta persona që kanë qeverisur para VV-së dhe që dëshirojnë prapë të qeverisin do të vazhdojnë me avazin e vjetër si deri tani.

Fundja, le të dalin dhe të maten në zgjedhje. Votuesi vendos se si dëshiron të qeveriset. Nësi dikush frikohet të dalë para popullit, atëherë për çfarë arsye?

Pra, sapo të stabilizohet gjendja dhe të bëhen kushtet për zgjedhje, dilni dhe matuni përsëri para popullit! Deri atëherë respektojeni verdiktin e tij të 6 tetorit 2019!

Orhan Spahiu

  • Ky është një opinion i autorit dhe nuk pasqyron domosdosmërisht qëndrimin e redaksisë.