Kosova

Rënie e pjesëmarrjes në Kosovë: AP raporton për zhgënjim të votuesve

Agjencia ndërkombëtare e lajmeve Associated Press (AP) ka raportuar për zgjedhjet e fundit parlamentare në Kosovë, duke theksuar se ulja e pjesëmarrjes në votime mund të jetë tregues i zhgënjimit të qytetarëve me zhvillimet politike në vend.

Në këto zgjedhje të parakohshme, Lëvizja Vetëvendosje e udhëhequr nga Albin Kurti doli forca e parë politike me rreth 43% të votave. Pas saj u rendit Partia Demokratike e Kosovës me 21.7%, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës me rreth 18%. Rezultatet përfundimtare pritet të plotësohen edhe nga votat e diasporës.

Sipas AP, ndonëse Vetëvendosje ka ruajtur epërsinë, si përqindja e mbështetjes ashtu edhe pjesëmarrja në votime kanë shënuar rënie krahasuar me zgjedhjet e mëparshme. Kjo, sipas raportimit, reflekton pakënaqësinë e votuesve me krizën e zgjatur politike në vend.

Në zgjedhjet e kaluara të mbajtura në dhjetor, partia e Kurtit kishte siguruar mbi 50% të votave, ndërsa këtë herë pjesëmarrja ka rënë në 36.3%, nga rreth 45% më herët.

Edhe media “POLITICO” ka vënë në dukje rënien e mbështetjes për Vetëvendosjen, duke theksuar se rezultati aktual mund ta detyrojë partinë në pushtet të kërkojë marrëveshje me partitë opozitare për formimin e qeverisë dhe zgjedhjen e presidentit.

Ekspertët vlerësojnë se, edhe me votat e diasporës, Vetëvendosje mund të mos arrijë shumicën e nevojshme, duke e bërë të domosdoshëm një koalicion politik për të siguruar stabilitet institucional.

Zgjedhjet u mbajtën në një klimë krize politike, pas dështimeve të përsëritura për zgjedhjen e presidentit në Kuvend, çka ka thelluar edhe më tej tensionet institucionale në vend