Portrete të firmave

Restoranti “L’Etoile”, një histori suksesi në Lozanë

Mikpritja, ngrohtësia, cilësia e ushqimit, puna e bërë me zemër dhe jo thjesht vetëm për fitim, janë vetitë që karakterizojnë stafin e restorantit “L’Etoile”, në Lozanë

Restoranti i tyre quhet ”L’Etoile”. Ata janë pesë pjesëtarë të një familjeje shqiptare që i janë përkushtuar gastronomisë, një bar-restoranti të këndshëm dhe që lë mbresë unike. Kanë arritur të kenë sukses për një kohë rekord, falë kujdesit, profesionalizmit dhe dëshirës për të qenë të suksesshëm.

Vendi ku ndodhet ky bar-restorant është në Lozanë. Është një restorant i këndshëm me ambiente bashkëkohore, të bollshme  e plot dritë, me hijeshi, pastërti e për më tepër me pjesëtarë stafi që të lënë mbresa të veçanta me përkujdesjen e tyre. Lokali ka një rritëm shumë pozitiv me pikë në ‘’Tripadvisor’’ apo ‘’Thefork’’ që janë orientuese për gjithë udhëtarët dhe dashamirësit e gastronomisë.

Familja shqiptare që e drejton restorantin ”L’Etoile” përbëhet nga 5 anëtarë; prindërit dhe 3 djem. Djali i parë është 24 vjeç dhe quhet Ersen, i rregullt, i buzëqeshur dhe i gjendur sa herë duhet në shërbim të klientëve, zemërgjerë dhe shumë mikpritës, si e gjithë familja. Ai është të thuash lideri i “l’Etoile”. Djali i dytë është Denisi 22 vjeç dhe djali  i tretë është Alpi, 12 vjeç. Që të dy me të njëjtat tipare që e karakterizojnë edhe Ersenin.

Nën kujdesin e prindërve, Isufit dhe Emines, biznesi po merr hov cilësor. Prindërit janë gjithmonë të pranishëm por ata pak nga pak po ia lënë në dorë biznesin e tyre djalit të madh Ersenit me qëllim që edhe ai të fitojë përvojë dhe të ecë mirë në këtë aktivitet të vështirë për t’u ushtruar.

Puna në restorant do një bashkëveprim në grup dhe në një ritëm të ndërsjellë ku detyrat shkëmbehen midis njeri-tjetrit e kjo nuk lë shteg për të pasur të meta. Ekipi duhet të punojë në harmoni, që klientët të ndahen të kënaqur.

Që në pamjen e parë paraqitet një ambient i këndshëm në një verandë dhe një ambient i brendshëm plot dritë dhe gjallëri, sa hapësira lejon intimitetin e klientëve për të qenë në qetësi dhe ndjesi autonome. Por gjithashtu ky restorant ofron hapësirë të bollshme për evente familjare apo miqësore.

Çdo gjë varet nga kërkesa e klientëve, mbreti i kësaj familje dhe kjo familje e ka për nder që kjo klientelë të ngelet e kënaqur. Në një shumëllojshmëri të ushqimit, me karakteristika të ndryshme evropiane dallohet një kombinim i mishit, zarzavateve dhe tipareve të veçanta të pijeve të ndryshme. Klientët në këtë lokal janë të shumëllojshëm si dhe vetë menyja. Dallohen shqiptarët por edhe të huajt.

E diela për stafin do të thotë pushim, po dhe ky pushim rrit gatishmërinë për të bërë planet e javës. Ata janë një ekip i pandalshëm për të ecur para. Për ngrohtësinë dhe mikpritjen, virtyte këto edhe të shqiptarëve, restoranti ka nota shumë të mira nga klientët që duken herë pas here në këtë restorant. Përveç kësaj çmimet janë të leverdishme dhe të mira për klientët, një arsye më shumë që shoku-shokun ta sjellë për një mbrëmje apo për një drekë të këndshme falë dhe muzikës së veçantë. Kënaqësia e klientëve duket edhe kur klientët e përditshëm apo rastësorë postojnë foto të lokalit në rrjete sociale. Nga këtu merr shkas dhe udhëtimi im në këtë restorant dhe si e zënë në grackë unë nuk mund t’i ndahem këtij restoranti. Herë pas here, kur kam kohë dhe kur dua të ndryshoj ambient, të reflektoj apo të kaloj ndonjë orë kënaqësie vij tek ‘’L’Etolie’’. Është bërë refren i përditshmërisë.

Kjo më kishte ngacmuar për shumë kohë që të njoh më nga afër dhe të marr në intervistë Ersenin, djalin udhëheqës të aktivitetit që bie në sy falë punës së tij. Ai e pranon këtë intervistë dhe ne shkëmbejmë disa pyetje në lidhje me restorantin.

Ju si familje, nga cili moment vendosët të merreni me gastronomi?

Prej babait. Ai gjithmonë e ka pasur ëndërr të ketë restorantin e tij familjar, mbasi që ai punonte në gastronomi dhe ia arritëm qëllimit, jemi këtu dhe më shumë përkrahemi sa shtohet klientela.

A ndiheni se jeni të vlerësuar nga klientët dhe nga puna juaj?

Po! Sepse kuzhina jonë është cilësore, kur klientët janë kënaqur dhe ne jemi të kënaqur kur klientela ndihet kështu, ky është qëllimi ynë si familje dhe i imi, si anëtar i kësaj familje.

Çka admirojnë klientët tek restoranti juaj?

Mikpritjen, ngrohtësinë, kualitetin e ushqimit, vend familjar dhe që punën e bëjmë me zemër se kështu jemi edukuar, të punojmë jo thjesht për fitim, por për të arritur qëllimet tona.

Ju jeni shqiptarë dhe si familje keni ngritur një restorant që ka një ambient kaq të këndshëm për, të huajt, shqiptarët, zviceranët apo klientelën tuaj të zakonshme. A bëni shpesh evente dhe ahengje për klientët dhe shqiptarët, konsumatorët që dëshirojnë të vijnë në grupe?

Po patjetër! Ne jemi në dispozicionin e klientëve: ditëlindje, martesa, ahengje të ndryshme, sikur darkat e fund vitit, të gjitha opsionet janë të hapura dhe ne i mirëpresim të gjithë në çdo kohë. Ne jemi pasqyrë për ta, falë tyre  dhe falë këtij bashkëveprimi plotësohemi dita-ditës. Jemi të ndërgjegjshëm që puna ka përgjegjësi dhe lodhje, por kur ke të bësh me klientë kaq të mirë puna kthehet në kënaqësi, devotshmëri dhe motivim.

Si është vlerësuar aktiviteti juaj nga organizmat monitorues si “Tripadvisor” apo “Thefork”?

Fatmirësisht kemi nota shumë pozitive. Monitoruesit si “Tripadvisor dhe “The Fork” na kanë dhënë notat maksimale, e që është një mburrje dhe krenari për ne që kanë vlerësuar kaq shumë restorantin tonë. Është përgjegjësi e madhe! Kjo na motivon shumë dhe është një forcë që na bën që ne të shtojmë dëshirën për të zgjeruar mënyrat e shërbimit për të qenë në lartësinë e duhur.

Cili mund të jetë specialiteti i ditës apo i javës në restorantin tuaj?

Oh, specialitet tona ndryshojnë sipas javës dhe janë me çmime të volitshme.

A jeni të kënaqur nga ky aktivitet?

Po, shumë! Ndihem i plotë sepse jam afër klientëve të cilëve ju ofroj kënaqësi nëpërmjet kuzhinë dhe shërbimit tim. Restoranti po ecën shumë mirë!

Çfarë vizioni apo synimi keni ju në të ardhmen si familje dhe si aktivitet për një administrim më të mirë?

Të vazhdojmë në të njëjtën mënyrë dhe pse jo në të ardhmen jemi të hapur për përmirësime të reja falë përvojës tonë dhe falë bashkëveprimit në grup si një familje e pandarë.

Çfarë ngelet në mendje po të vizitosh këtë restorant?

Ambienti, kualiteti i ushqimit, mikpritja, ngrohtësia familjare që ju ofrojmë sikur të ishit në shtëpinë tuaj, me një tarracë gjatë dimrit, e cila i ka oxhaqet e saj, kurse në verë e mbuluar përreth me gjelbërim dhe lule. Në çdo stinë kemi dhe ne një stinë plot me gjallëri e larmi shërbimesh. Jemi të sinqertë në angazhimet tona, para se ta kënaqim vetën, e kënaqim klientin. Pa këtë marrëdhënie nuk do të kishte besim por nuk do të kishte as sukses.

Zamira Bytyqi

/shkrim i sponzotizuar/