Muzikë
Rita Ora paralajmëron album të ri dhe turne botëror në vitin 2026
Këngëtarja shqiptare Rita Ora konfirmon albumin e katërt dhe një turne ndërkombëtar
Këngëtarja me origjinë shqiptare dhe famë botërore, Rita Ora, ka konfirmuar se po përgatitet për publikimin e albumit të saj të katërt në studio, si dhe për një turne ndërkombëtar që do të nisë në vitin 2026, pas disa vitesh pauzë nga skena live, përcjell albinfo.ch.
Në një intervistë për një radio në Melbourne, artistja e njohur për hitet “Anywhere” dhe “For You” u shpreh se është plotësisht e përqendruar në projektin e ri muzikor.
“Me siguri do të ketë një album. Jam shumë e fokusuar në këtë projekt dhe do të nis një turne – nuk kam bërë një turne albumi që nga viti 2018,” tha ajo.
Rita shtoi se periudha e fundit ka qenë e mbushur me projekte në film dhe televizion, por tani dëshiron të rikthehet fuqishëm në muzikë:
“Karriera ime ka qenë shumë interesante. Kam punuar në film dhe TV, pra në një drejtim tjetër. Në vitin e ri do të përqendrohem më shumë në veten time – për ta pastruar gjithçka dhe për të udhëhequr me qëllim.”
Turneu i ardhshëm do të përfshijë edhe Australinë dhe Zelandën e Re, dy vende që Rita i konsideron “shtëpi të dytë” pas martesës së saj me regjisorin nga Zelanda e Re, Taika Waititi, në vitin 2022.
“Jam 100 për qind e sigurt që do të jem në turne në Australi, pastaj në Zelandë të Re, dhe më pas do të kthehem sërish – është si shtëpia ime e dytë,” u shpreh ajo.
Përveç albumit të ri dhe turneut, këngëtarja ka zbuluar se po përgatit edhe një dokumentar ekskluziv me pamje “nga prapaskena”, që përfshin tetë vite materiale filmike të mbledhura përgjatë karrierës së saj.
“Kam filmuar veten për tetë vitet e fundit dhe një ditë do të duhet ta përdor gjithë atë material,” tha ajo me entuziazëm, duke shtuar me humor: “Më ka ndodhur që të përmbyten dhomat e zhveshjes, që veshja të mos më arrijë me kohë. Ka pasur raste kur nuk kam pasur as grimere dhe jam fshehur pas syzeve të diellit.”
Me këtë rikthim të shumëpritur, Rita Ora pritet të sjellë një tjetër valë suksesi ndërkombëtar, duke dëshmuar sërish aftësinë e saj për të bashkuar elegancën, energjinë dhe autenticitetin artistik në një projekt të vetëm.
Të tjera nga Muzikë
E-Diaspora
-
Një ditë e bukur plot gëzim dhe kujtime të paharrueshme ...një shëtitje me karakter shkollor të nxënësve të disa shkollave shqipe dëshmoi edhe njëherë se organizimet... -
Ilirët sjellin shpirtin shqiptar në Festën e Ngjyrave në Aigle -
Dy motrat shqiptare që humbën jetën në aksident ishin nga Zvicra – flet babai i tyre -
Kthehet nga Gjermania, mërgimtari përballet me vjedhje në shtëpinë e tij -
Manifestim kulturor shqiptar në Bavari, nderohet figura e komandantit Bekim Berisha – “Abeja”
Jeta në Zvicër
-
Ilirët sjellin shpirtin shqiptar në Festën e Ngjyrave në Aigle Shoqata Kulturore dhe Artistike Ilirët nga Lozana do të përfaqësojnë kulturën shqiptare në edicionin e 26-të... -
Zvicra planifikon batalion me dronë dhe robotë luftarakë deri në vitin 2028 -
Si po ndihen të rinjtë zviceranë? Studimi zbulon sfidat kryesore -
Alba Festival 2026 solli atmosferë festive dhe yjet e muzikës shqiptare në Cyrih -
Anëtari zviceran i ekuipazhit të MV Hondius është liruar nga karantina












