Kosova

Rizbuloje vendlindjen si turist

Shtigje për ecje në mal për adhuruesit e aventurave në natyrë? Po. Akomodime tradicionale, që të risjellin në kujtesë rrëfime nga fëmijëra e prindërve? Po. Argëtim urban si në çdo vend tjetër evropian, po ku të gjithë flasin gjuhën tënde? Vende të trashëgimisë nën mbrojtjen e UNESCO-s për ata që e duan historinë? Kuzhinë e pasur vendase, ashtu si gatuante gjyshja dikur, por dhe makiatoja më e shijshme në botë? Sigurisht. Mirësevini në Kosovë, destinacioni i ri evropian i turizmit që po merr hov

Pushimet në Kosovë mund t’i kaloni me shumë dinamizëm, nëse merrni informata se ku të shkoni dhe çfarë të bëni. Tani më shumë se kurrë ka mundësi që të shpenzoni kohën duke shijuar dhuratat e natyrës në kombinim me aktivitete argëtuese dhe të shëndetshme, të organizuara për individë të çdo moshe, për grupe të vogla apo të mëdha. Mund të vizitoni objekte të tashëgimisë historike dhe shpirtërore, të kaloni një ditë me argëtimin ditor dhe jetën e natës në Prishtinë, të flini në bujtina ku pajisjet janë të reja, por mikpritja është e njëjta ndër shekuj.

Produkte si biçiklizmi në male, ngjitja e shtegut të hekurt, zipline, paragllajding, kajaket apo testimi i fuqisë tuaj fizike në Parkun e Aventurave janë ndër aktivitetet më të fundit që operatorë të ndryshëm turistikë vënë në dispozicion të vizitorëve në shumë qytete të Kosovës.

Nëse kaloni më shumë kohë në Prishtinë, ju sugjerojmë një shëtitje me biçikletë në Gërmi apo një vizitë në parkun arkeologjik të Ulpianës. Për adhuruesit e mistereve, dhoma e aventurës “escape room” ju vë një orë në dispozicion për të zgjidhur misterin e Sherlok Holmsit. Ndërsa jetës së natës tipike prishtinase i janë shtuar restorante me koncepte të reja dhe menu për çdo shije.

Në të vërtetë, akomodimi dhe ushqimi tradicional janë ndër pikat më tërheqëse dhe më të vlerësuara nga turistët që vizitojnë Kosovën për herë të parë dhe një ndër arsyet kryesore – bashkë me mikpritjen e ngrohtë të njerëzve – se përse turistët vendosin të kthehen sërish. Shtëpizat në malet e Rugovës, bujtinat, hotelet, hostelet për më të rinjtë dhe tani edhe mundësitë përmes Airbnb e bëjnë shumë të lehtë vendimin për të ardhur në Kosovë.

“Ia vlen ta vizitosh Kosovën, ka natyrë shumë të bukur dhe shumë histori” thotë Lauren Kim, gazetare nga Koreja e Jugut, e cila shkruan për destinacionet nëpër botë. Për Sona Shah, pronare e një agjencie turistike nga India, “Kosova ka infrastrukturë shumë të mirë, ushqim të shkëlqyeshëm dhe njerëz mikpritës”. Që të dyja e vizituan Kosovën për ta zbuluar se çka ofron. Kosova po bëhet e njohur si destinacion edhe në skajet më të largëta.

Kosovën mund ta eksploroni vetë, por mund të angazhoni edhe guidat apo udhërrëfyesit lokalë, të cilët janë të specializuar për t’iu krijuar përvojat më të bukura si vizitorë dhe e bëjnë më të lehtë planifikimin e ditëve në vendlindje.

Zhvillimi i sektorit të turizmit në Kosovë ka marrë një kthesë serioze viteve të fundit. Janë zhvilluar produkte të reja turistike, infrastruktura dhe shërbimet janë përmirësuar dukshëm, janë fuqizuar lidhjet mes operatorëve turistikë vendas dhe të huaj si dhe është intensifikuar promovimi ndërkombëtar i Kosovës si destinacion. Ky është veçse fillimi.

Një rol të rëndësishëm në zhvillimin e turizmit në vend dhe në promovimin e Kosovës e ka patur Qeveria e Zvicrës me programet e veta të përkrahjes për zhvillimin ekonomik në vend. Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) prej vitit 2014 e ka vënë në fokus zhvillimin e sektorit të turizmit. Përmes organizatës zvicerane Swisscontact (www.swisscontact.org/kosovo) që në Kosovë realizon projektin Promovimi i Punësimit në Sektorin Privat, kjo përkrahje vjen në koordinim me sektorin publik dhe atë privat. Ekspertiza e Swisscontact për zhvillim të turizmit në mbarë botën, në Kosovë i kontribuon direkt rritjes së turizmit dhe ekonomisë lokale që sjell krijim të vendeve të reja punës, rrit të hyrat familjare dhe mirëqenien në përgjithësi.

Dy Via Ferrata: Peja dhe Zubin Potoku

Guxoni të imagjinoni se çfarë vjen pas secilit hap që hidhni dhe përgatituni për pamje spektakolare. S’ka rëndësi a keni përvojë në ngjitje malore apo jo, sepse të dy linjat Via Ferrata – një në pjesën perëndimore të vendit dhe tjetra në veri, ofrojnë qasje për të gjithë. Falë pozitës gjeografike dhe kushteve klimatike të vendit, që të dyja linjat Via Ferrata mund të shfrytëzohen pothuajse gjatë tërë vitit. Për më tepër, kontaktoni cilindo nga udhërrëfyesit lokalë të cilët janë të trajnuar, të sigurtë dhe miqësorë.

Shëtitje me biçikletë në Pejë, Prishtinë, Junik dhe Graçanicë

Kjo është një nga mënyrat më ekologjike për të përjetuar Kosovën. Mund të merrni me qira një biçikletë për të shëtitur vetëm, ose të bëheni pjesë e grupeve të udhëhequra dhe të vizitoni vendqëndrime historike – disa prej të cilave të mbrojtura nga UNESCO. Gjatë shëtitjes mund të shijoni atë përzierje speciale të së kaluarës dhe të tashmes, që e bën t’ia vlejë për të vizituar Kosovën. Nëse ndjeheni guximtarë dhe të përgatitur fizikisht, ia vlen të provoni shëtitje me biçikletë nëpër Bjeshkët e Nemuna apo Malet e Sharrit.

Ecje në mal, kamping dhe joga

Përfytyrojeni këtë: e nisni ditën me pajisjet e ecjes në mal në çantën tuaj të shpinës. Dukje ndjekur fluturat, zbuloni formacione mahnitëse të natyrës vetëm pak kilometra larg zhurmës urbane. Ditën tjetër, zbuloni balancën tuaj të brendshme duke bërë joga në ndonjë prej vendeve më të bukura të Kosovës. Tani, jeni gati për të vazhduar eksplorimin e vendit.

Shëtitje me kajake në Nashec dhe në Liqenin e Badovcit

E kuqe, portokalli ose e verdhë. Zgjidheni ngjyrën e kajakes suaj të preferuar për të lundruar tejpërtej ujërave të kaltërta të liqenit apo lumenjve nëpër Kosovë. Nën udhëheqjen e guidave të specializuar, lundrimi me kajak shndërrohet në përvojë të paharrueshme.

Zipline në Pejë

Njerëzit kanë lindur për të fluturuar dhe zipline ju ndihmon. Kapërcejeni Grykën e Rugovës nga ajri përgjatë 640 metrave të zipline, një nga dhjetë më të gjatat në botë. Por fillimisht ju duhet të ecni përgjatë një shtegu freskues malor për të arritur tek pika e nisjes. Po mendoni se çfarë shpejtësie do të keni? A mund t’ia kaloni erës? Mbetet në dorën tuaj për ta zbuluar.

Eksplorimi i shpellave në Radavc

Vetëm 11 km nga qyteti i Pejës në Kosovën Perëndimore shtrihet një tunel i ngushtë që është hyrja për tek shpella e Radavcit “Bukuroshja e Fjetur”. Formacionet shkëmbore krijojnë figura shumëngjyrëse që të marrin sytë. Më në brendësi, do të shihni hauze të gurta të krijuara përgjatë shekujve nga pikat e ujit që bien. Një stalaktit në formë dore – gishtat e “Bukuroshes së Fjetur” – tregojnë drejt shtratit të shpellës, ku ndoshta gjenden thesare të fshehura nga koha.

Parku i Aventurës dhe Hulaja (Shilarësi) Gjigant

Nyjë litari, shkallë litari, shkallë druri dhe rrjetë. A mund ta thoni me shpejtësi disa herë pa gabuar? Ose më mirë, filloni përgatituni për një përvojë absolute që përmban aventurë dhe natyrë. Parku i Aventurës në Pejë, që gjendet në majë të një kodre rreth 900 metra mbi nivelin bregdetar ofron një sërë platformash ajrore të klasifikuara sipas nivelit të vështirësisë. Është aktivitet argëtues, i sigurtë dhe pamja është mahnitëse. Testoni limitet me Shilarësin Gjigant!

Ecje në dëborë në Rugovë dhe Brezovicë

Dimri erdhi. Ju merr malli për shëtitje në natyrë të paprekur. Epo, kush tha që nuk mundeni? Mbathni një palë këpucë dëbore dhe dilni të eksploroni në këmbë natyrën e ngrirë, për t’u kthyer më pas tek tryeza përplot ushqim të ngrohtë tradicional të përgatitur në enë balte, që mund ta shijoni në kasollëzat prej druri që kanë mbirë aty-këtu në fshatrat e largët malorë.

Skijim natën në shpatet e Boges

Ndjeheni romantikë apo të patrembur, apo që të dyja bashkë? Mund të provoni shkathtësitë tuaja të skijimit, por me një veçanti. Drita të posaçme ndriçojnë shtigjet e skijimit në Boge duke i bërë kështu të përshtatshme për skijim natën. Përveç se tonifikoni muskujt dhe përmirësoni qarkullimin e gjakut, ky aktivitet argëtues natën ju çon në një tejtër nivel të përvojës së skijimit.

Shtegu i Via Dinarica-s

Via Dinarica është një shteg natyror mahnitës që kalon nëpër zemër të Ballkanit Perëndimor, duke filluar në Slloveni (Alpet Dinarike) deri në Maqedoni (Vargmalet e Sharrit). Tashmë, Kosova është pjesë e kësaj përvoje të ecjes malore. Segmenti i Kosovës në Via Dinarica kalon nga fshati Reka e Allagës në Luginën e Rugovës, përmes Parkut Kombëtar të Bjeshkëve të Nemuna, drejt Gjeravicës, që është maja më e lartë në Kosovë dhe në fund, tek Malet e Sharrit.  Adhurues të natyrës të të gjitha vendeve të botës, këtë shteg nuk duhet ta humbisni.

Fluturoni mbi Prizren, më të bukurin vend

A keni qenë ndonjëherë në vendin e quajtur Cvilen? Mbi 1,000 metra lartësi mbidetare, ky lokacion të ofron një pamje të mrekullueshme të Prizrenit. Tani, kjo pamje shijohet edhe më mirë pasi mund të lëshoheni fluturim nga kjo lartësi dhe Prizrenin ta shihni duke fluturuar mbi të. Paragllajding është produkti më i ri argëtues në Kosovë.

Zgjidheni misterin që të shpëtoni

Aventurat nuk ndodhin vetëm në natyrë dhe mjedis të hapur. Ju mund të përjetoni tronditjen nga e panjohura dhe rreziku edhe teksa jeni të kyçur brenda një hapësire të kufizuar që nxjerr në pah aftësitë tuaja mendore, sensin praktik dhe shkathtësinë fizike; ku nuk mund të “mbijetoni” nëse nuk bashkëpunoni me të tjerë. RAZ Escape Room është hapësira e parë e lojës së aventurës në Prishtinë. Ejani ta zgjidhni misterin që hap dyert!