Kosova

Rrëfehet Haki Abazi: Më ofendoi, m’i kapi duart…

Kandidati për deputet i Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi, ka rrëfyer incidentin me Dardan Molliqajn. Ai ka deklaruar se Molliqaj përveç tij e kishte kërcënuar edhe Rexhep Hotin. Flet edhe për çantën e tij, e cila nga pamjet që ka publikuar Gazeta Sinjali shihet se përfundoi në duart e Dardan Molliqajt, përcjell albinfo.ch.

Pamjet nga momenti i rrahjes mes kandidatëve për deputetë Dardan Molliqajt e Haki Abazit, që tashmë u publikuan, kanë bërë bujë në media duke zgjuar interesim të madh te publiku. Haki Abazi ka rrëfyer për detajet dhe prapaskenat e konfliktit, të cilat nuk mund të identifikohen në bazë të videos.

Abazi ka thënë se në momentin kur po dilte në korridor me Rexhep Hotin, nga prapa po ndiqej nga Dardan Molliqaj, i cili kishte ardhur në drejtim të tij, siç thotë, duke e fyer dhe ofenduar.

“Sigurisht që ka ofendu edhe ka fy edhe ka kërku me u qartësu për punën e vet. Nuk e di, nuk më kujtohet saktësisht qysh ka qenë, por ka qenë një bërtimë e madhe për të cilën unë dhe Rexhep Hoti jemi kthy nga mbrapa për me pa se çka po ndodh”, tha Abazi.

Ai thotë se Molliqaj në atë gjendje e sulmon, duke ia kapur duart, gjë që ndikon në eskalimin e konfliktit fizik. Sipas tij, Molliqaj e ka kërcënuar edhe Rexhep Hotin, i cili kishte tentuar të ndërhynte për ta qetësuar situatën.

“Nëse e sheh momentin kur m’i kap duart që është momenti i parë, i kërcënohet Rexhep Hotit, edhe Rexhep Hoti largohet prej mesit, sepse në fillim tenton me fut krahun dhe me ndal sulmin e Dardanit. Dardani i kërcënohet Rexhep Hotit, i cili për një moment largohet, ndërsa ai (Dardani) fillon me folë dhe me sulmu fizikisht”, tha Abazi për Gazetën Sinjali.

I pyetur se a mund të jetë arsyeja e nisjes së konfliktit fizik fakti se ka përmendur gruan e Molliqajt në emision, Abazi përgjigjet: “Absolutisht jo”.

Një detaj që vërehet nga videoja e publikuar shihet se çanta e Haki Abazit përfundoi në duart e Dardan Molliqajt.

“E kanë kthy më vonë, nuk është që më ka mungu diçka nga çanta”.

Tutje, ai tha se kjo ngjarje nuk është përleshje fizike, por sulm i drejtuar ndaj tij.

“Nuk është përleshje, është sulm, shihet qartë që vjen nga mprapa, m’i kap të dy duart dhe me kërcënim kërkon me u ndalë. Ai tjetri ma vendos krahun në fyt… Fillon me sulmin verbal e tani atë fizik”, shprehet Abazi.

Ai fton organet e drejtësisë që ta trajtojnë rastin. Abazi shton se ka dhënë deklaratën e plotë në polici dhe se ka qenë i detyruar të tërhiqet dhe të mbrohet, pasi siç ka thënë, është përballur me sulm verbal dhe fizik.

Rasti është duke u trajtuar nga Prokuroria Themelore në Prishtinë dhe deri më tash janë ndërmarrë një varg veprimesh hetimore.