CH-Ballkani

Rrëfehet njëri nga të lënduarit, si u sulmuan në Serbi

Njëri nga të lënduarit është në gjendje të rëndë, derisa tjetri ka pësuar lëndime në Novi Sad vetëm sepse folën shqip

Flet njeri nga shqiptarët e Kosovës që u rrahën brutalisht në Novi Sad të Serbisë. Raportohet se njëri prej tyre është në gjendje të rëndë.

Çlirim Maloku, është emri i 19 vjeçarit nga Hasi i Prizrenit i cili tashmë është në gjendje të rëndë shëndetësore. Ndërkaq i lënduari tjetër G.B, raportohet se ka pësuar lëndime më të lehta trupore. Ky i fundit ka folur pas sulmit që i ka ndodhur në qytetin serb.

Ai për “Blicin” serb ka rrëfyer edhe momentin e sulmit. “Kemi qenë duke shkuar në shtëpi. Kam parë një linjë të taksisë në stacion dhe i kam thënë atij në shqip që të nxitojë. Pastaj, dy persona kanë ardhur dhe kanë filluar të na sulmojnë. Më pas kanë ardhur edhe dy të tjerë”, ka thënë B.G, i cili nga mediat serbe thuhet se flet serbisht dhe jeton në Novi Sad, përcjell albinfo.ch.

Ndërkohë që për gjendjen e tyre shëndetësore kanë folur edhe nga spitali. “Të dy djemtë janë dërguar në Qendrën Klinike. Njëri ka qenë i lënduar më lehtë dhe është dërguar për në shtëpi. Ndërkaq, tjetri ka marrë lëndime të rënda në kokë dhe i është nënshtruar operacionit. Gjendja e tij është stabile tanimë”, ka thënë sekretari provincial i shëndetësisë, Zoran Gojkoviq.

Kujtojmë se në lidhje me sulmin në fjalë kanë reaguar të gjithë krerët shtetërorë të Kosovës.

Ata kanë kërkuar që fajtorët lidhur me këtë ngjarje të sillen para drejtësisë, duke shtuar se kjo ngjarje dëshmon se nuk ka lëvizje të lirë në shtetin serb.

Arrestohen katër persona

Ministri i Punëve të Brendshme i Serbisë, Nebojsha Stefanoviq, tha se policia e Novi Sadit ka arrestuar katër persona të dyshuar për sulm ndaj dy të rinjve shqiptarë, të cilët janë rrahur në natën midis së shtunës dhe të dielës në këtë qytet.

“Policia, pas hetimeve intensive disaorëshe, i ka identifikuar të gjithë sulmuesit që kanë rrahur dy të rinjtë dhe ka arrestuar katër të dyshuar për këtë vepër penale”, tha Stefanoviq, raporton Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë.

Stefanoviq tha se, “edhe pse hetimet e deritashme, përfshirë bisedat me të dyshuarit dhe njërin prej viktimave, tregojnë se indicenti nuk është nxitur në baza kombëtare, policia do t’i hetojë të gjitha akuzat në detaje dhe do të vijë deri tek e vërteta”.

Njëri nga të rinjtë që është rrahur dhe plagosur keq, është operuar në Qendrën Klinike të Vojvodinës dhe gjendja e tij shëndetësore raportohet të jetë stabile.

Sulmin e dënuan presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, Qeveria e Vojvodinës, parti të opozitës dhe organizata joqeveritare.