Kosova

Rritet numri i kosovarëve që kërkojnë viza për në Zvicër

Sipas raportit “Visa Monitoring” të Sekretariatit Shtetëror për Migrim (SEM), gjatë tremujorit të tretë të vitit 2018 janë regjistruar 1113 kërkesa për viza nga kosovarët

Në tremujorin e tretë të vitit 2018, numri i vizave Schengen me vlefshmëri territoriale të kufizuar (VTL) të lëshuara nga shteti i Zvicrës është rritur dukshëm. Sipas raportit “Visa Monitoring” të Sekretariatit Shtetëror për Migrim (SEM), thuhet se numri është rritur kryesisht për shkak të kërkesave të shumta të shtetasve kosovarë për të shkuar në Zvicër. Vetëm gjatë tremujorit të tretë të vitit që shkoi, janë regjistruar 1113 kërkesa më shumë nga kosovarët. Ndërsa këtë rritje të kërkesave për të shkuar në Zvicër, e dëshmon edhe numri i madh i qytetarëve të Kosovës, të cilët presin për termine para Ambasadës Zvicerane në Prishtinë.

Megjithëse nuk kanë pranuar të deklarohen publikisht për arsye personale, disa prej tyre, në kushte anonimiteti kanë treguar arsyet se pse duan të largohen nga Kosova. Bashkimi familjar, vizitat te të afërmit, sidomos kërkimi i një jete dhe pune më të mirë, janë arsyet më të shpeshta që i bëjnë kosovarët të marrin rrugën drejt Zvicrës, por edhe vendeve tjera perendimore.

Të zhgënjyer nga mosliberalizimi i vizave për Kosovën, ata ankohen për pritje të gjata para ambasadës dhe për numrin e madh të dokumenteve që u kërkohen.

Mungesa e perspektivës

Sociologu Albert Mecini, thotë për albinfo.ch se ka faktorë të shumtë që po ndikojnë në largimin e shtetasve kosovarë për në vendet perëndimore. Këtu, ai ka përmendur edhe mungesën e stabilitetit politik në Kosovë.

“Trendi i ikjes apo më mirë të themi i largimit të qytetarëve nga Kosova për në vendet perëndimore para së gjithash lidhet me kushtet jo të mira socio-ekonomike. Pastaj këtu mund të radhiten mungesa e perspektivës dhe disa arsye tjera siç mund të jenë niveli jo i kënaqshëm i shëndetësisë në vend, mungesa e sigurimeve shëndetësore, niveli i dobët i arsimimit dhe gjendja jo stabile politike. Të gjithë këta faktorë kanë ndikuar që qytetarët në Kosovë, posaçërisht të rinjtë, t’i shohin vendet perëndimore si mundësi e mirë për të migruar, gjithmonë me bindjen se atje do të gjejnë kushte më të mira për punë, dhe jetë më të mire”, thotë Mecini.

Sipas tij, ky fenomen i largimit të qytetarëve nga Kosova, aktualisht e zbutë papunësinë, por mund të ketë pasoja në të ardhmen.

Vërehen pasojat e trendit të largimit

“Efektet e këtij trendi të largimit të qytetarëve nga Kosova tashmë kanë filluar të vërehen nëpër disa sektorë, si në atë të publik të shëndetësisë dhe sektorët privatë të ndërtimtarisë dhe bizneseve të vogla. Kjo përkohësisht mund të ndikojë në zbutjen e numrit të papunësisë dhe rritjen e numrit të vendeve të punës, mirëpo megjithatë në aspektin afatgjatë, ikja apo largimi i qytetarëve nga Kosova mund të paraqesë një problem shqetësues, ngase do ta ndikojë komplet sistemin e organizimit social dhe ekonomik në vend”, shton ai.

Ndonëse priu me numrin më të madh të kërkesave për viza, Kosova, së bashku me Indinë, bën pjesë në vendet të cilave më së shumti iu refuzuan vizat gjatë këtij tremujori. Ndërkaq, sa u përket vizave humanitare, në këtë tremujor, 21 kosovarë morën viza të kësaj kategorie, sipas statistikave në “Visa Monitoring”. Por ky numër i madh i kërkesave për viza nuk kishte qenë edhe në muajt paraprakë të vitit 2018. Në tremujorin e parë dhe të dytë të vitit 2018, kërkesat e kosovarëve për viza drejt shtetit zviceran kishin shënuar rënie krahasuar me vitet e kaluara.

Premtimet për liberalizim të vizave kanë filluar nga viti 2010

Ndryshe, problemi me vizat vazhdon t’i përcjellë kosovarët tash e sa vjet. Premtimi i parë për liberalizimin e vizave u bë në vitin 2010, nga Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, aso kohe kryeministër. Premtimet për lëvizje të lirë për shtetasit e Kosovës vazhduan edhe nga krerët e tjerë të shtetit, por ka kaluar afro një dekadë, e Kosova vazhdon të mbetet një nga vendet më të izoluara në Europë.

Pavarësisht se në korrik të vitit të kaluar, Komisioni Europian i dha Kosovës rekomandimin pozitiv për vizat, qytetarët kosovarë nuk e fituan të drejtën e lëvizjes pa viza. Dhe kjo mund ta arsyetojë rritjen e kërkesave për viza gjatë tremujorit të tretë të këtij viti.

Sidoqoftë, pas tetë vjet premtimesh, qytetarët kosovarë me dokumente të shumta e shpresë të pakët po vazhdojnë të presin para dyerve të amabsadave, deri në liberalizim!

Këto janë arsyet më të shpeshta për kërkim vize:

Bashkimi familjar, vizitat te të afërmit, sidomos kërkimi i një jete dhe pune më të mirë, janë arsyet më të shpeshta që i bëjnë kosovarët të marrin rrugën drejt Zvicrës, por edhe vendeve të tjera perendimore.

Përkundër rekomandimit pozitiv, vizat nuk u hoqën!

Pavarësisht se në korrik të vitit të kaluar, Komisioni Europian i dha Kosovës rekomandimin pozitiv për vizat, qytetarët kosovarë nuk e fituan të drejtën e lëvizjes pa viza. Dhe kjo mund ta arsyetojë rritjen e kërkesave për viza gjatë tremujorit të tretë të këtij viti.