Integrimi

Rrugëtim përrallor mes miteve dhe legjendave në veprat e piktorit Nevzat Bejtuli Kica

Bashkëbisedim i albinfo.ch me artistin Nevzat Bejtuli Kica me rastin e ekspozitës së veprave të tija në Lozanë.

Nevzat Bejtuli Kica – Foto: ©albinfo.ch/Rromir Imami

Rrugëtimi përallor

Me të hyrë në galerinë ku ishin të ekspozuara punimet e piktorit Nevzat Bejtuli Kica, u ndjeva sikur të jem para shkrimit të një përralle të mbushur me mite dhe legjenda mesjetare. Kisha mundësinë të vendosi nëse dua që rrugëtimin ta filloj me Gjergj Elez Alinë, të shoqëroj Kalorësin e parë duke shkuar drejt Lirisë; ose të bëj Takimin e parë me Doruntinën dhe të shohim Lojën dhe Garën e kuajve duke biseduar me kalorësit. Hapsira e swiss Art space, në Lozanë, ku qëndrojnë të ekspozuara veprat e Kicës, është disajnuar në atë mënyrë që secili vizitor të bën një rrugëtim të vetin, një rrugëtim jo konvencional dhe jo të përkufizuar nga rregulla standarde.

 

Nevzat Bejtuli Kica – Foto: ©albinfo.ch/Rromir Imami

“Guernika” e Pikasos

Në tekstin e katalogut, shkrimtari dhe publicisti Salajdin Salihu shprehet me këto fjalë:
“Derisa je në atelienë e Kicës vazhdon të udhëtosh nëpër kohëra. Si përfytyrime të shfaqen vizatimet e para nëpër shpella, ku njeriu shfaqet me atribute të kafshëve të adhuruara… Të shfaqet “Guernika” e Pikasos, ku zë vend kali. Të shfaqet një kalorës shpirt aventurier që udhëton hipur mbi kalin e tij, Rosinantin… Të duket se je Don Kishtoi i Mancës, shpirti aventurier i tij, shpirti i një artisti… Ti do t’i ngjaje atij kalorësi dhe do të vazhdoje udhëtimin fiktiv nëpër kohëra nëse nuk do të zgjohej përbrenda teje Sançoja, forca e arsyes. Këtu ndalesh: qëllimi yt është të rrëfesh diçka nga ajo që ke parë e jo vetëm të zhytesh në botën e paskajshme të përfytyrimeve… Megjithatë, derisa qëndron në këtë atelie, ti ndjen se nuk mund të rrëfesh ndryshe, përveç se me gjuhën e harruar të simboleve…”

Veprat e artistit Nevzat Bejtuli Kica, të cilin ngurrojsha ta thërras axha Nevzat, përkrah dallimit 15 vjeçar në moshë, për herë të fundit i pash të ekspozuara në Galerinë Kombëtare të Maqedonisë në Janar të vitit 2021. Me qëllim të informimit të lexuesve dhe artdashësve te platformës Albinfo.ch ne zhvilluam një bisedë miqësore.

Nevzat Bejtuli Kica - Portret

Nevzat Bejtuli Kica – Foto: ©albinfo.ch/Rromir Imami

Bashkëbisedimi me artistin

Albinfo.ch: A mundeni të na tregoni si erdhi te bashkëpunimi që ju të ekspozoni në Lozanë?  

 Nevzat Bejtuli Kica: Para katër vjetëve konkurrova në ekspozitë kolektive. Kam konkurruar me gjashtë piktura në këtë galeri dhe gjashtë pikturat janë pranuar. Në fakt, kam marrë pjesë në ekspozitën kolektive më 2016. Më 2017 mora pjesë në një ekspozitë të dytë kolektive. Pastaj isha në bisedime me menaxherin e galerisë për një ekspozitë të vetme. Bisedimet ishin rreth një vit. Pas ekspozitës në Maqedoninë Veriore, si qëllim kisha ekspozitën personale në këtë galeri, erdhi momenti dhe ky projekt u realizua. 

 

Albinfo.ch: Çka mundin vizitorët të presin dhe të shohin nga kjo ekspozitë?

Nevzat Bejtuli Kica: Cikli i njeriut dhe kalit kam filluar të punoj para 25 vjetëve. Formati im dallon nga artistët e tjerë nga kjo lloj pikture. Raporti njeriu-kali është me shekuj, ngërthen komunikim të përbashkët dhe sfida të përbashkëta të jetës. Tregimi im ka nisur në vitin 2020 në Galerinë Kombëtare, duke vazhduar në këtë ekspozitë, me legjenda shqiptare, si Doruntina, Ali Pasha, Muja Halili, Gjergj Elez Alia. Këto legjenda nuk janë vetëm shqiptare, pasi Gjergj Elez Alija, e kam hasur edhe në Bosnjë, ashtu si edhe Muja Halilin. Kjo më dha idenë që mos të kem preokupim vetëm ngjarjen në komunitetin shqiptar, por të shohim pak më gjerë, pasi këto legjenda duhet të tregohen për tërë Ballkanin. Legjenda e Milos Kopiliqit për shembull. Serbët së fundi e mohojnë këtë histori, ndërsa shqiptarët e pranojnë, por ishte në anën e kundërt të shqiptarëve ose në anën e turqve. Këto ngjarje do të mundohem t’i prezantoj në mënyrë moderne, ndoshta në fund me një tregim të përfunduar, me një monografi vetëm të legjendave.   

Albinfo.ch: A mendoni se këto legjenda na afrojnë apo na largojnë?  

Nevzat Bejtuli Kica: Tash duhet të presim reagimin politik të veprimit tim, por jam i sigurt se legjendat kanë atë shpirtshmërinë e vet, nëse dikush mendon se diçka e ka të përbashkët, pse mos të ketë atë afërsinë e vet. Ndarja shpesh herë ka ardhur për shkak të trajtimit gabim të legjendave. Si për shembull për Gjergj Elez Alinë, ku thonë shqiptarët, Sa herë që mbi Shqipëri bie stuhia ngritët në këmbë Gjergj Elez Alia, ndërsa ky tregim është i ngjashëm edhe te boshnjakët. Besoj se do të ndikoj pozitivisht në këndin shpirtëror.   

Nevzat Bejtuli Kica – Foto: ©albinfo.ch/Rromir Imami

Albinfo.ch: Çka mund të presim në të ardhmen?  

Nevzat Bejtuli Kica: Ky projekt ende nuk ka arritur në mes. Kur flasim për legjendat ballkanike atëherë kemi një lidhje me mitologjinë ilire apo atë greke e maqedonase. Në këtë rast, ne si popull jemi të pasur, pasi kemi shumë legjenda. Legjendat tona janë shndërruar në sllave apo të popujve tjerë. Legjendat tona zanafillën e kanë para 2 mijë vjetëve, si për shembull Teuta dhe Agroni. Pra, nuk janë nga shekujt e fundit. Origjinaliteti nuk ka humbur për shkak të gjuhës, në fakt, ne flasim si Teuta dhe Agroni, por pak të modifikuar. Është e çuditshme që nën pushtimin turk, shqiptarët kanë ruajtur gjuhën me tërë segmentet e saj.  

 Albinfo.ch: Ekspozita do të jetë e hapur deri më 11.06.2022. Cili është mesazhi për lexuesit dhe artdashësit e albinfo.ch?  

Nevzat Bejtuli Kica: Do të kisha pasur nderin dhe kënaqësinë të vijnë komuniteti im. Do të kisha dëshirë të shoh më shumë shqiptarë se zviceranë, pasi në fakt në periudhën e parë të ekspozitës ka qenë e kundërta.

 Një ndër ekspozitat më të mira të galerisë

Në fund kisha mundësinë të bisedoj edhe me themeluesin e glarisë swiss Art space, z. Dragan Stefanovic i cili mes tjerash u shpresh që në këtë galeri, të themeluar në vitin 2006 së bashku me kolegen Laurence Girod-Bettens, janë organizuar mbi 170 ekspozita të artistëve nga vende të ndryshme të botës. Ekspozita e artistit Nevzat Bejtuli Kica, shprehet z. Stefanovic,  është ekspozita e parë individuale e një artisti nga Republika e Maqedonisë së Veriut. Gjatë hulumtimit tonë, ne kemi zbuluar që z. Bejtuli është një ndër liderët e artit bashkëkohor në Maqedoninë e Veriut, dhe shprehëm gadishmërinë për të ekspozuar këto vepra edhe në Zvicër. Gjatë këtyre 15-16 viteve të ekzistimit të galerisë tonë, mund t’ju them që kjo është një ndër ekspozitat më të mira që kemi pas, si nga aspekti konceptual, artistik dhe nga niveli i lartë prezantimit. Thjesht një ekspozitë e nivelit botëror.  

Dragan Stefanovic (themelues i galerise) – Foto: ©albinfo.ch/Rromir Imami

Texti dhe fotografite: Rromir Imami