Integrimi

Sa të suksesshme janë bizneset e shqiptarëve në Zvicër?

Albinfo.ch ka ndjekur punimet e konventës së Bizneseve të Diasporës dhe të Huaja gjatë dy ditëve dhe ka biseduar me disa ndërmarrës nga Zvicra

Në ditën e dytë të Konventës së Bizneseve të Diasporës dhe të Huaja ndërrmarrës nga diaspora, të huaj dhe nga Kosova kanë pasur mundësi që për nga afër të njihen dhe t’i prezantojnë bizneset e tyre.

Albinfo.ch ka ndjekur punimet e kësaj konvente gjatë dy ditëve dhe ka arritur të bisedojë me disa ndërmarrës nga Zvicra. Ata kanë rrëfyer për sukseset e shqiptarëve në Zvicër dhe për vështirësitë që kanë hasur që të pranohen si shqiptarë ne tregun zviceran.

E nga këto biseda ata kanë lënë të kuptohet se të bërit biznes në Zvicër nëse jeni korrekt, kualitativ dhe punëtor, nuk paraqet problem dhe shumë lehtë mund të depërtohet.

Njëri ndër ta është Adem Osmani, i cili tashmë disa vjet që merret me pasuri të paluajtshme në Zvicër.

Osmani ka thënë gjithashtu për albinfo.ch se bashkëpunimin kryesor në biznesin e tij e ka me ndërmarrës shqiptarë, duke bërë me dije se shqiptarët në Zvicër bashkëpunojnë me njëri-tjetrin.

“Firmën e udhëheqim së bashku me bashkëshortën time dhe jemi vetëm ne të dy, mirëpo nga themeli deri te kulmi puna kryhet me kompani shqiptare, të cilat punojnë në Zvicër, ndonëse ka raste kur punojmë edhe me firma zvicerane”.

E sa i përket dallimit ndërmjet firmave zvicerane dhe atyre kosovare, Osmani ka thënë se në Zvicër ka rëndësi cilësia dhe jo sasia e produkteve.

“Zvicra nuk koncentrohet tek sasia, por tek cilësia dhe këtu në prezantim pashë shumë firma të mëdha gjigante e tek ne në Zvicër nuk ka aso firma. Në Zvicër nuk koncentrohemi në masën e produktit, por në cilësinë e produktit”, ka përfunduar Osmani.

Ndërsa Faton Rashiti nga IBS System Haus, mendon ndryshe. Ai për albinfo.ch ka thënë se bizneset kosovare janë në nivelin e duhur dhe bashkëpunimin e sheh si një mundësi të mirë  për të dyja palët.

“Jemi në Kanton të Cyrihut dhe kemi përfaqësinë e një firme kosovare që ndërton dyer dritare dhe shtëpi… Niveli që kanë arritur shqiptarët në Zvicër është shumë i lartë. Sidomos këto dhjetë vitet e fundit ka kompani të ndryshme që kanë suksese në Zvicër. Kompanitë në Kosovë janë në nivelin e duhur dhe ne shprehim vullnetin që të vazhdojmë bashkëpunimin me firmat kosovare, që t’i prezantojmë në Zvicër” ka thënë Rashiti.

Shqiptarët këtu nuk kanë punuar që të ngriten vetëm individualisht, pasi që një qëllim tjetër e ka organizata “Woman Alb World Internatcional Association” në krye me Mirela Mezani, e ai qëllim është ngritja e rolit të gruas shqiptare në Zvicër.

Ajo tha se përmes kësaj po mundohen që në çdo formë t`i integrojnë femrat atje dhe t`i pavarësojnë, pasi që sipas Mezanit, gruaja shqiptare ka shumë potencial.

Sipas saj, ndonëse ka femra të cilat shënojnë suksese këtu dhe janë të njohur, zviceranët kanë një përshtypje se gratë shqiptare duhet të punojnë akoma më shumë.

“Kemi dy lloje të bordeve internacional dhe atë të ekspertëve. Bordi internacional përfshin gratë e mirë integruara të cilat kanë qasje në botën administrative të vendeve ku qëndrojnë, dmth janë femra të suksesshme me pozicione dhe bordi i ekspertëve janë fermat e mirë integruara kudo në botë. Qëllimi i gjithë kësaj është të bëjmë një lidhje te këtyre grave të mirë integruara me studente”, thotë Mezani për albinfo.ch.

Për dy vitet e kaluara, Rrjetet e Bizneseve të Diasporës Shqiptare nga Evropa dhe projekti i USAID Empower Sektori Privat në partneritet me SIDA, kanë organizuar konferenca bashkë me Diasporën të cilat kanë shërbyer si një platformë për diskutim, dhe më e rëndësishmja, kanë krijuar lidhje midis bizneseve të Diasporës dhe Kosovës.

Të dy konferencat e mëhershme kanë numëruar 542 takime B2B mes 401 bizneseve të Diasporës dhe 132 bizneseve të Kosovës, duke rezultuar me nënshkrim e 12 kontratave, 42 marrëveshje dhe oferta të reja të iniciuara, dhe kontrata të reja të shitjes me vlerë €1.1 milion.