Lajme

Sërish protesta në Francë

Raportohet përsëri për protesta në Francë, Parisi nën flakë deri në orët e para të mëngjesit. Me mijëra vetë dolën në mbrëmjen e të enjtes, në rrugë, për të protestuar kundër reformës së pensioneve, përcjell albinfo.ch.

Thuhet se demonstruesit i vunë flakën koshave të plehrave dhe 2 makinave të policisë në rrugë, si një mënyrë për të nxitur tensionet, por u përballën me një polici më të fortë e të egër se ditët e tjera. Gjithsesi, forcat zjarrfikëse, bashkë me forcat e policisë, kanë qëndruar gjithë natën në gatishmëri për të ndarë protestuesit, por edhe për të shuar zjarret e ndezura prej tyre, teksa prej ditësh punonjësit e Bashkisë së Parisit vazhdojnë punën për të pastruar rrugët e muret e kryeqytetit, të pushtuara nga plehrat, por edhe nënshkrimet kundër Macron kudo. Sipas asaj që raportojnë mediat franceze, nga përplasjet e forta mes protestuesve e policisë, 2 persona janë në koma. Protesta e radhës kombëtare kundër reformës së pensioneve është thirrur për 6 prill, ndërsa javën e ardhshme kryeministrja franceze ka ftuar për bisedime përfaqësues të sindikatave.