Kosova

SHBA-ja bën thirrje për vazhdimin e dialogut dhe njohje reciproke

Shtëpia e Bardhë i bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë të lënë mënjanë retorikën ekstremiste dhe të punojnë për një marrëveshje që përqendrohet në njohjen reciproke mes tyre.

Në një deklaratë me rastin e 20 vjetorit të përfundimit të operacionit të NATO-s, që i dha fund spastrimit etnik në Kosovë, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Judd Deere, ka deklaruar se Prishtina dhe Beogradi duhet të dyfishojnë përpjekjet për të punuar drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, të përqendruar në njohjen reciproke.

“E vetmja rrugë për një të ardhme më të mirë është një dialog midis fqinjësh që të synojë normalizimin e marrëdhënieve dhe t’i hapë rrugën Serbisë dhe Kosovës të kenë vendin e tyre të ligjshëm brenda komunitetit euroatlantik,” tha zëdhënësi Deere, percjell albinfo.ch.

Po ashtu, ka theksuar se Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të ndihmojnë gjatë gjithë këtij procesi.