Bota

SHBA-ja shton masat pas përhapjes së koronavirusit

Guvernatori i New York-ut ka njoftuar se trupat ushtarake do të dërgohen në veri të qytetit në përpjekje për të kontrolluar përhapjen e koronavirusit të ri.

 

Garda Kombëtare do të dërgojë ushqim për individët që gjenden në karantinë në Nju Roçell, ku do të zbatohet një “zonë kontrolli” prej 1.6 kilometrash.

Ky rajon ka pasur grupin më të madh të rasteve me infeksion në SHBA, tha guvernatori Andrew Cuomo.

Një sinagogë raportohet të jetë në qendër të shpërthimit të virusit në Nju Roçell dhe rreth 1.000 njerëz tani janë në karantinë.

Guvernatori Cuomo njoftoi një sërë masash në përpjekje për të shuar përhapjen e virusit në zonë. Ai tha se “masat e ndërmarra janë një “çështje e jetës dhe vdekjes”.

Shkollat, vendet e tubimeve dhe bizneset do të mbyllen për dy javë. Zyrtarët gjithashtu do të krijojnë një strukturë të testimit të koronavirusit në një spital lokal.

Garda Kombëtare do të vendoset për të ndihmuar në pastrimin e shkollave dhe hapësirave publike, si dhe shpërndarjen e ushqimit.

Por, Cuomo theksoi se nuk do të ketë kufizime të udhëtimit në qytet.

Në Shtetet e Bashkuara janë më shumë se 1.000 raste të konfirmuara të koronavirusit deri më 11 mars. Shteti i Nju Yorkut ka 173 raste, më së shumti në SHBA.

Njëzet e nëntë njerëz kanë vdekur në vend si pasojë e virusit – 24 në shtetin Uashington, dy në Kaliforni, dy në Florida dhe një në Nju Xhersi.

Drejtori i Institutit Kombëtar të Alergjisë dhe Sëmundjeve Infektive, Dr Anthony Fauci, u bëri thirrje amerikanëve të fillojnë të marrin seriozisht rrezikun e infeksionit.

“Ne do të dëshironim që vendi të kuptonte se si një komb, nuk mund të bëjmë llojet e gjërave që bënim disa muaj më parë”, tha ai në një konferencë të Shtëpisë së Bardhë.

Në Shtetet e Bashkuara, shqetësimet u thelluan pas një rritjeje të shpejtë të numrit të rasteve të raportuara në javën e parë të marsit. Rastet me infeksionet u zbuluan në Nju-Jork,Uashington, Nju Xhersi dhe Tenese.

Kostot e larta për analiza mjekësore e bëjnë virusin veçanërisht problematik – shumë amerikanë shmangin vizitat e mjekëve. Mungesa e pagesave për pushimin mjekësor është një shqetësim tjetër, siç është edhe frika për numrin e testeve në dispozicion.

Por, nënpresidenti amerikan, Mike Pence, i cili është përgjegjës për grupin e punës që bashkërendon përgjigjen ndaj krizës, ka thënë se “çdo amerikan mund të testohet, pa kufizime, duke iu nënshtruar urdhrave të mjekut”.

Situata në vendet e tjera

Italia është një nga vendet më të goditura nga virusi, dhe vdekjet atje u rritën në 631 të martën pasi autoritetet vendosën të gjithë vendin në karantinë.

Numri i përgjithshëm i të infektuarve në Itali tani ka arritur në 10.114. Serbia ka konfirmuar rastin e 12 me infeksion të koronavirusit të ri.

Ndërkohë në Kosovë autoritetet kanë thënë se ende nuk është diagnostikuar ndonjë rast me virusin SARS-CoV-2.

Gjithashtu të martën, presidenti francez Emmanuel Macron e përshkroi përhapjen e virusit në Evropë si një “krizë të jashtëzakonshme që kërkon një përgjigje të jashtëzakonshme”.

Ai tha se Franca ishte “vetëm në fillim” të shpërthimit të epidemisë.

Turqia gjithashtu konfirmoi rastin e saj të parë, duke thënë se një nga qytetarët e saj ishte infektuar në Evropë dhe anëtarët e familjes së tij ishin tani nën vëzhgim mjekësor.

Ministrja e Shëndetësisë dhe deputetja konservatore, Nadine Dorries, është diagnostikuar me koronavirusin e ri.

Zonja Dorries, deputetja e parë që doli pozitive, tha që ajo kishte marrë të gjitha masat e këshilluara dhe ishte vetizoluar në shtëpi.

Gjashtë persona kanë vdekur në Mbretërinë e Bashkuar ndërsa deri më 11 mars janë infektuar 382 njerëz, raporton BBC.

Në nivel botëror janë identifikuar 119,000 raste të të infektuarve me koronavirusin SARS-CoV-2.

Deri të mërkurën në mëngjes janë raportuar 4.296 vdekje të shkaktuara nga sëmundja Covid-19 që e shkakton koronavirusi SARS-CoV-2. Kina – ku u zbulua për herë të parë virusi SARS-CoV-2 – ka gjithsej 80.754 raste të konfirmuara dhe 3,136 vdekje. Por, në këtë vend, të martën, u regjistrua numri më i ulët i infeksioneve të reja, me vetëm 19 raste.