Kosova

SHBA-ja mbështet ‘Open Ballkan’

Nismëtarët e Ballkanit të Hapur thonë se ky proces ndihmon integrimin europian

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhanë bekimin e tyre për Ballkanin e Hapur përmes të dërguarit të posaçëm, Gabriel Escobar.

I dërguari i posaçëm i Departamentit amerikam të Shtetit, Gabriel Escobar, ka konfirmuar pozicionimin amerikan në mbështetje të nismës për Ballkanin e Hapur.

“SHBA mbështet që iniciativa të jetë ekonomike, ky nuk është projekt politik, por është një projekt i rëndësishëm ekonomik dhe i tillë duhet të mbetet”, tha Escobar, përcjell Albinfo.ch.

Nga ana tjetër, kryeministri shqiptar, Edi Rama, ka folur sërish rreth kësaj nisme dhe propagandës ruse kinse kjo është nismë e Beogradit.

“Nëse zotëria do të ishte promovuesi apo mbështetësi i Ballkanit të Hapur, sigurisht që Ballkani do të ishte i hapur minimalisht për të. Ai nuk ka mundur të hyjë në Ballkan, sepse Ballkani për të është i mbyllur tërësisht, i mbyllur dhe për këtë arsye ai nuk ka marrë dot leje të hyjë në Ballkan”, tha Rama duke iu referuar kryediplomatit rus, Sergei Lavrov.

Nga ana tjetër, shtetet si Bosnjë e Hercegovina dhe Mali i Zi për herë të parë iu bashkuan nismës në rolin e vëzhguesit. Por Dritan Abazoviç dha sinjale për një hap më shumë në të ardhmen e afërt.