Lajme

Shoqata shqiptare në Kanada dhuroi maska me simbole të Kosovës dhe Shqipërisë

Po bëhen më shumë se gjashtë javë në karantinë të detyrueshme të shoqërisë kanadeze, nevoja për ndihmë ndaj njëri-tjetrit sa vjen e shtohet.  Meqë aktivitetet komunitare shqiptare janë anuluar të gjitha, aktivistët e mbledhur rreth Shoqatës së Bashkësisë Shqiptaro-Kanadeze të Torontos në Kanada kanë nisur aktivitetin e tyre human me dy gjeste me vlerë.

Organizata e famshme bamirëse në Kanada “Compass Food Bank” në Toronto që kujdeset për ushqime dhe veshmbathje për shtresat e ndryshme të kësaj shoqërie, por edhe për shpërndarje falas të ushqimit tek njerëzit me nevoja të veçanta, ka njoftuar se ka marrë disa maska si dhuratë nga shoqata më e madhe e komunitetit shqiptar të Kanadasë.

Maskat u dorëzuan nga kryetari i shoqatës Bujar Zejnullahu dhe nënkryetarja rena Breznica, aktivistë të dalluar në komunitet prej disa vitesh. Ata, në emër të komunitetit shqiptar, falënderuan punonjësit dhe vullnetarët e “Compass Food Bank” për punën e tyre në këtë kohë të jashtëzakonshme dhe sfiduese për gjithë njerëzimin, me ç’rast shkëmbyen edhe përvojat e tyre në punët vullnetare në mbarëvatjen e komunitetit në përgjithësi. Në një deklaratë për gazetën “Diaspora Shqiptare” z. Zejnullahu theksoi se kanë dorëzuar rreth tridhjetë maska për punëtorët dhe vullnetarët e organizatës bamirëse në Toronto. Përmes një postimi në rrjetin e saj në Facebook, Organizata Bamirëse Kanadeze “Compass Food Bank” ka falënderuar shoqatën dhe komunitetin tonë dhe drejtuesit e saj për dhuratën shumë të nevojshme në këtë kohë pandemie.

Vetëm pak kohë pas këtij gjesti human me shoqatën bamirese të Torontos, Shoqata e Bashkësisë Shqiptaro- Kanadeze “ka ndërmarrë një iniciativë për porositjen dhe shpërndarjen e disa maskave me motive shqiptare, edhe për komunitetin shqiptar këtu”. Sipas kryetarit të shoqatës z. Zejnullahu tashmë ka nisur pajisja me maska e anëtarëve të shoqatës, të cilët kanë nevojë.  “Maska të tilla do t’i dhurohen edhe bizneseve thelbësore shqiptare që operojnë në Toronto apo GTA (Greater Toronto Area), varet sipas kërkesave dhe mundësive që t’i mbërrijmë bizneset shqiptare në Ontatio”- thekson z. Zejnullahu.

Maskat me ngjyrë të kuqe dhe të kaltërt u punuan nga stilistja e njohur shqiptare Tatjana Kaci- Sherifaj, ndërkaq stemat e flamurit të Shqipërisë dhe Kosovës u vendosën nga aktivistët e vetë shoqatës.