Maqedonia

‘Shpërthen’ e dashura e blogerit: Në Shqipëri s’kanë respekt për gratë

“Të mos respektosh gratë, nuk të bën aspak për të qeshur. Jam e lodhur nga kjo botë që bën gjëra të tilla. Nuk është në rregull. Kanali im në Youtube me miliona ndjekës është për të drejtat e grave dhe ti bën këtë pyetje. Gratë në Shqipëri trajtohen si plehra, si objekt”, u shpreh ajo

Në emisionin “Xing me Ermalin” të Ermal Mamaqit, ka ndodhur një incident me të ftuarit e tij, blogerin Nas Daily dhe të dashurën e tij.

Alyne dukej mjaft e qetë në fillim të intervistës, por situata e krijuar me pyetjen e Kejvina Kthjellës, ka dalë jashtë kontrollit.

Kejvina në fillim i bën një pyetje të thjeshtë blogerit të njohur që realizoi disa video mjaft të bukura për Shqipërinë: “Ti udhëton shpesh, por kur e gjen kohën për të dashurën tënde?”, e pyeti ajo, por Ermali e ndërpreu dhe i tha “Jo, jo nuk është kjo pyetja”, dhe i kërkon atë origjinalen: “Po gjithë këto udhëtime i bën për të takuar vajza?”, raportojnë mediat shqiptare.

Aline u prek shumë, madje filloi të qajë. “Kjo është totalisht e pavend. Nuk është fare për të qeshur. E di që kjo është Shqipëria dhe ju nuk keni respekt për gratë, por kjo e kaloi cakun. Të mos respektosh gratë, nuk të bën aspak  për të qeshur. Jam e lodhur nga kjo botë që bën  gjëra të tilla. Nuk është në rregull. Kanali im në Youtube me miliona ndjekës është për të drejtat e grave dhe ti bën këtë pyetje. Gratë në Shqipëri trajtohen si plehra, si objekt”, u shpreh ajo ndërsa nuk i përmbajti dot lotët, përcjell albinfo.ch.

Pas kësaj Mamaqi vendosi që të gjithë këtë situatë ta publikonte në rrjetet sociale.

Bashkëngjitur me videon Ermali shkruante: “Edhe kjo s’na kishte bërë vaki”. Në këtë postimet vihet re edhe komenti i Nuseir Yassin, i cili shprehet se e kanë censuruar intervistën.

“Kjo nuk është në rregull. Ti nuk ke transmetuar fillimin e intervistës. Pjesën ku tregove mungesë respekti ndaj meje dhe të dashurës time. Ti ke fshehur pjesën ku njerëzit do të shikonin sa e shpifur ishte kjo intervistë. Unë prisja gjë tjetër, nuk e mendoja se ti do të përfitoje nga kjo intervistë në këtë mënyrë”, shkruan Nuseir.

Ermali e ka lexuar komentin dhe i ka kthyer përgjigje blogerit përmes një komenti:

“Hej vëlla … Më vjen keq që ndihesh kështu.

Unë kurrë nuk do të prisja pjesë të shfaqjes për të bërë ndonjë nga të ftuarit e mi të duket keq … Ne presim vetëm pjesë të vogla për t’i dhënë ritëm emisionit. Kjo është diçka që e bëjnë të gjitha shfaqjet televizive që regjistrohen paraprakisht. Videoja e plotë e këtij episodi është në fund të këtij mesazhi.

Do të doja të theksoja se për atë që u dha në transmetim, e kishe dhënë lejën ti, e mban mend? Edhe Arbëri ishte atje.

Ju gjithashtu keni një kopje të plotë të emisionit të regjistruar nga kamera juaj.

Gjithsesi, unë jam i lumtur që ky keqkuptim të paktën shërbeu për të ngritur vetëdijen për një temë të rëndësishme, si të drejtat e grave dhe barazia.

Alyne është një person i mrekullueshëm dhe ishte një nder që ju të dy ishit në shfaqjen time. Megjithatë, unë do të vazhdoj të bëj pyetje të papërshtatshme që krijojnë humor, për disa momente në shfaqjen time.

Kjo është ajo që ne bëjmë, me asnjë qëllim të shkeljes së të drejtave të një personi apo grupi njerëzish.

Falë Zotit, ne nuk jetojmë në një vend ku humori është censuruar.

Zoti ju bekoftë të dy dhe ju mirëpresim që ti dhe Alyne të vini përsëri për t’u martuar në vendin tonë.

PS: Në Shqipëri, ne nuk i trajtojmë gratë si objekte seksi!”.