Integrimi
Shpëtimi i gjen “ilaçin” frikës nga qentë
Një protezë e thjeshtë, e ngjashme me atë që përdoret për korrigjimin e dhëmbëve, mund t`i bëjë të parrezikshëm edhe qentë më të tmerrshëm
Tetovarin nga Valisi, Shpëtim Shaqiri (Tim Saciri) e njohin dhe e çmojnë më së miri ata që mbajnë qenë. Sidomos ata që ua kanë frikën disa racave të qenve të rrezikshëm. Shpëtimi duket t`i ketë gjetur “ilaçin” kësaj frike.
Se një protezë e thjeshtë, e ngjashme me atë që përdoret për korrigjimin e dhëmbëve, mund të bëjë çudira, kjo mund të shihej në ekran, në një panair në Winterthur, ku, të dielën që shkoi, Timi bënte demonstrimin e inovacionit të tij.
©albinfo.ch: Kështu duket proteza shpëtimtare e vendosur në gojën e një qeni të rrezikshëm
“Proteza”, e cila i vihet qenit në gojë, bën amortizimin në masën 90 për qind të kafshimit të qenit dhe, në veçanti ajo eviton në masë të madhe shkaktimin e plagëve. Veç kësaj, ajo i mundëson qenit një liri më të madhe krahasuar me maskën tradicionale”, shpjegon Shpëtim Shaqiri.
“Kam kaluar të gjitha shkallët e licencimit, të domosdoshme për një prodhim si ky. Së fundi, në vitin 2010 licencimi është miratuar edhe nga federata, dhe kështu prodhimi ynë ka hyrë në ligjin e ri të kësaj fushe. Mbajtja e protezave hyn tash në mesin e masave për mbrojtjen nga rreziku i kafshimit të qenve”, vazhdon ai.
Ai thotë se ka dy vite që ka filluar me të madhe puna me prodhimin dhe shpërndarjen e protezës. “Jam vazhdimisht në lëvizje. Në shumë shtete të Evropës bëj demonstrimin e zbulimit, jam i ftuar edhe nga universitete të ndryshme për të prezantuar atë. Prodhimi ka zënë tashmë vendin e vet dhe është tepër i kërkuar”.
©albinfo.ch: Duke u shpjeguar vizitorëve kureshtarë mënyrën e veprimit të zbulimit të tijSe puna ka ecur me sukses, tregon fundja edhe ky detaj: Timi dhe bashkëshortja e tij, Rushadija, kanë braktisur punën në profesionet e tyre (ai kontabilist, ajo teknike e stomatologjisë). Ata, tërë kohën ia kushtojnë prodhimit dhe plasimit të produktit. Për ta bërë këtë, ata kanë punësuar edhe disa bashkëpunëtorë. “Ndërkaq, në Zvicër dhe jashtë saj kemi rreth njëmijë partnerë që promovojnë dhe ndërmjetësojnë patentën tonë”, thotë me vetëbesim Shpëtim Shaqiri.
Shkurt, ai dhe familja e tij po i shijojnë frytet e zbulimit të tij të rastësishëm. Mirëpo, a ka qenë kaq e lehtë të vihej deri këtu ? “Aspak”, përgjigjet Timi. “Janë dashur afër tre vjet që të bëheshin të gjitha testimet për të konstatuar efektin e vërtetë të zbulimit. Pas gjithë kësaj, ne, më në fund kemi mundur t`i kushtohemi promovimit, komercializimit të produktit”.
Patenta ka kaluar nëpër testime të ndryshme, veç tjerash edhe në Universitetin e Bernës. Zbulimi ka gëzuar një mbështetje të fuqishme edhe nga eksperti i njohur i fushës, Prof-Dr Samuel Debrot, profesor universiteti nga Lozana. Profesorë, politikanë dhe artistë i janë afruar dhe e kanë inkurajuar Timin në rrugën e tij.
Suksesi i arritur, ia ka ngjallur Timit “oreksin” për përsosje të mëtejme. Kështu, ai ka zhvilluar edhe mënyrën që, përmes protezës tu jepen ilaçet qenve. “Në bashkëpunim me një universitet dhe me një fabrikë barnash, do të bëjmë të mundur futjen e medikamenteve për qentë përmes një shtojce që do t`i bëjmë protezës sonë” zbulon ai për lexuesit tanë produktin që së shpejti do të gjendet në treg.
Por, kur lindi ideja dhe si u bë që një kontabilist të ndërronte profesionin, duke u bërë prodhues i një produkti kaq specifik? “Gruaja ime ka punuar si teknike e stomatologjisë. Në biseda me të, përmendeshin edhe protezat që përdorin dentistët për korrigjimin e dhëmbëve. Dhe këtu më ka shkrepur ideja për funksionimin e një prodhimi të ngjashëm që do të amortizonte fuqinë e kafshimit të qenve”, thotë Timi.
Pastaj ai, duke qenë dhe i shkathtë nga natyra, nuk priti shumë. E verifikoi se askush në botë nuk ishte kujtuar për një produkt të tillë. I hyri punës për ta prodhuar dhe përshtatur. E patentoi dhe sot patenta është e mbrojtur në nivel botëror. “Atë nuk mund ta prodhojë askush përveç meje”, thotë ai, jo pa mburrje.
Shpëtimi e bën me kënaqësi të dukshme punën e promovimit të zbulimit të tij. Në panairin vjetor që po mbahej në Winterthur, ku prezantoheshin prodhime të ndryshme për qentë, ai, me një buzëqeshje në fytyrë, jepte e merrte me klientë të shumtë, të cilët interesoheshin për atë që po demonstronte ai. Ku ta dish, mbase prodhimi i tij, nesër, do të bëhej Shpëtimi i ndonjë jete njeriu!
E-Diaspora
-
Konsullja e Kosovës në Gjenevë viziton ekspozitën e Anjesa Dellovës në Galerinë Fabienne Levy Udhëheqësja e Konsullatës së Republikës së Kosovës në Gjenevë, Floreta Kabashi, së bashku me zëvendëskonsullen Fjolla... -
Dr. Qendrim Zahiri – një familje mjekësh me rrënjë në Kosovë dhe sukses në Zvicër -
Gjermani
Shqipdona Lahu doktoron në Universitetin Teknik të Mynihut -
Libri i Mira Kazhanit promovohet në Gjermani -
18-vjeçari nga Kosova humb jetën në një aksident në Gjermani
Jeta në Zvicër
-
AI po zgjeron hendekun digjital mes brezave në Zvicër Një studim i Universitetit të Cyrihut tregon se inteligjenca artificiale po thellon diferencën digjitale mes brezave.... -
Friburgu voton për futjen e pagës minimale prej 4,000 frangash -
Alarm për azbest në SBB: Mbi 400 trena duhet të inspektohen -
PostBus teston taksitë vetë-drejtuese kineze në Zvicër -
A janë primet tuaja të sigurimit shëndetësor ndër 10 rritjet më të mëdha?











