Shqipëria

Shqipëri: Gazetarët pengohen nga qeveria dhe nga pronarët

Mediat në Shqipëri vazhdojnë të ndeshen me mungesën e transparencës së qeverisë, me pengesa nga agjenci të ndryshme shtetërore si dhe me kushtet e vështira të punës, ndërsa presionet më të mëdha bien mbi gazetarët investigativë.

Këto janë disa nga gjetjet e raportit vjetor që publikoi Rrjeti “Gazetërët e Sigurt për Ballkanin Perëndimor” mbi “Treguesit e Nivelit të Lirisë së Mediave dhe Sigurisë së Gazetarëve në Shqipëri për vitin 2021”.

Raporti thekson se “gjatë vitit 2021 në Shqipëri u regjistruan shenja të përkeqësimit të lirisë së shprehjes, të drejtës së informimit dhe lirisë të shtypit”.

Në raport theksohet se ndikimin më negativ ndaj lirisë së shprehjes dhe lirisë së medias e jep lidhja e fortë mes interesave ekonomike e politike në media, ku përfshihen edhe ndikimi i krimit të organizuar.

“Përdorimi i mediave për shantazh rrezikon të bëhet diçka normale në Shqipëri”, thuhet në raport. Mediat janë pëqëndruar te disa pronarë/familje, të cilët i përdorin ato për ndikime politike dhe përfitime ekonomike”, thuhet në raport.

Autorja e raportit për Shqipërinë, Blerjana Bino, vlerësoi se “viti 2021 ishte viti i përqëndrimit më të madh të pushtetit politik, me një nivel të lartë korrupsioni, me rënie të fuqisë transformuese në procesin e integrimit europian, me polarizim të skajshëm politik pozitë – opozitë si dhe brenda vet opozitës, si dhe me ndikim të fortë social ekonomik të krizave, e në këto kushte u shtuan vështirësitë për mediat”.

Rrjeti “Gazetarët e sigurt” ka regjistruar dhe raportuar 14 raste sulmesh fizike kundër gazetarëve të televizioneve News 24, Ora News, Fax News, Top Channel, A2CNN.

Autorja Blerjana Bino thotë se dhuna fizike ndaj gazetarëve është vetëm një pjesë e vogël e vështirësive të tyre të shumëllojshme, nga kërcënimet dhe mungesa e transarencës prej agjencive shtetërore dhe deri tek kushtet e vështira të punës dhe presionet ndaj gazetarëve prej vet pronarëve”.

Raporti mbi Treguesit e Nivelit të Lirisë së Mediave dhe Sigurisë së Gazetarëve në Shqipëri thekson se autoritetet në mënyrë të tërthortë bëjnë një mori presionesh që të duket si e vjetëruar gazetaria profesionale dhe ndërkohë ngrihen fushata shpifëse kundër mediave, bëhen padi në gjykatë për shpifje, kërcënimet me padi kundër gazetarëve investigativë.

Raporti thekson se në vitin 2021 vihet re censurë dhe vetëcensurë në redaksitë e mediave në Shqipëri, të cilat vijnë nga presionet politike dhe ekonomike, mungesa e qëndrueshmërisë financiare të mediave, mungesa e profesionalizmit dhe mungesa e etikës dhe e respektimit të të drejtave të gazetarëve.

“Në Shqipëri censura dhe vetëcensura janë më të zakonshme në mediat audiovizive dhe në shtypin, që kontrollohen nga një pjesë e vogël e familjeve të fuqishme, të cilat kanë lidhje biznesesh në tregjet e rregulluara”, thuhet në raport.

Ky është viti i dytë që Rrjeti Gazetarët e sigurt të Ballkanit perëndimor nxjerr raport për Shqipërinë. Njëkohësisht me këtë raport dalin raporte mbi gjendjen e medias edhe për 5 shtete të tjera në rajon dhe për Kroacinë./VOA