Shqipëria

Shqipëria ka vështirësi në menaxhimin e pyjeve

Shqipëria ka rreth 1.3 milionë hektarë me pyje dhe prej vitesh përballet me sfida në menaxhimin e tyre. Në 30 vjetët e fundit sipërfaqja pyjore ka ardhur duke u zvogëluar, me pasoja jo vetëm në ekonominë e vendit, por edhe në mjedis.

“Jemi përballë disa sfidave globale, siç janë ndryshimet klimatike, por njëkohësisht kemi edhe sfidat tona lokale siç janë aftësia e menaxhimit të territoreve pyjore, aftësia për t’i administru dhe për t’u përballë me këto sfida, të cilat janë gjithnjë e në rritje në fushën e pyjeve. Shikohet vazhdimisht rritja e frekuencave të zjarreve në gjithë bazenin e Mesdheut, por sidomos në Shqipëri, dhe është shqetësuese që, ndërsa këto frekuenca po rriten vazhdimisht, afërsia jonë menaxhuese dhe reaguese mbetet pa ndryshuar”, thotë për Zërin e Amerikës inxhinieri i pyjeve, Mark Rupa.

11% e sipërfaqes pyjore në Shqipëri, ose 132 mijë hektare, janë përshkuar nga zjarret.

Në një pjesë të tyre, mundësia e ripërtritjes është e ulët për shkak të shkallës së dëmtimit.

Në anën tjetër, Drejtori i Agjencisë Kombëtare të Pyjeve, Artur Kala, thotë se pas zjarreve problematika kryesore në pyje është ajo e prerjeve të jashtëligjshme.

Në Shqipëri, rreth 8% ose më shumë se 96 mijë hektarë janë prekur nga prerjet e jashtëligjshme.

“Pas zjarreve, që normalisht është problematika kryesore ku ne kemi vënë fokusin kryesor, kemi edhe problematikën e dëmtimeve në pyje, me të cilën po punojmë fort. Kemi rritur bashkëpunimin ndërinstitucional me policinë e shtetit, po përpiqemi të forcojmë kapacitetet dhe strukturat inspektuese pranë bashkive me qëllim që të rrisin rolin e tyre monitorues dhe kontrollues në pyje. Kjo, për të parandaluar të gjitha dëmtimet dhe për të dërguar para drejtësisë të gjithë abuzuesit”, thotë Kala, përcjell albinfo.ch.

Shqipëria ka shpallur Moratoriumin 10 vjeçar të ndalimit të prerjeve në pyje si dhe ka ashpërsuar masën e dënimit për zjarrvënësit dhe autorët e prerjeve të jashtëligjshme.

Por janë të pakta rastet e ndalimit dhe dënimit të autorëve.

Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, në 100-vjetorin e shërbimit pyjor shqiptar, ka shpallur vitin 2024 si Vitin e Pyjeve në përpjekje për të mundësuar një mbrojtje dhe rehabilitim më të mirë, përcjell albinfo.ch.