Shqipëria

Shqiptarët, ‘maniakë’ pas telefonave

Sipas statistikave të paktën 51.47% e shqiptarëve preferojnë që të përdorin internetin përmes celularit

Shqiptarët e përdorin shumë internetin, por në bazë të statistikave më shumë preferojnë nga telefoni se sa nga kompjuteri.

Sipas të dhënave nga Numëruesi i Statistikave, një platformë online ndërkombëtare, që në bazë të përpunimit të të dhënave nxjerr edhe tendencat, tregon se të paktën 51.47% e shqiptarëve preferojnë që të përdorin internetin përmes celularit, shkruan ‘monitor’.

Këtu përfshihen orët totale të kaluara online në një faqe të caktuar dhe mjeti nga bëhet aksesimi. Në këtë pjesë nuk përjashtohen as klikimet për shkak të punës. Kjo tregon se deri diku celulari po zëvendëson edhe kompjuterin e zyrës për çështje pune, përcjell albinfo.ch.

Gjithsesi kompjuteri tradicional nuk e ka humbur magjinë e tij. Të paktën 45.95 % pjesës së orëve të kaluara online bëhen përmes kompjuterit.

Më pak i përdorur duket se mbetet tableti, një version i mesëm mes kompjuterit dhe celularit, por që në shumë raste shmanget për shkak se është një kosto shtesë dhe jo gjithkush mund ta përballojë. Vetëm 2.5% pjesës së orëve të kaluara online nga ana e qytetarëve bëhet përmes këtij mjeti.