Jeta në Austri

Shqiptarët në jetën politike në Austri

Integrim do të thotë edhe pjesëmarrje. Mjerisht, më shumë se sa faktorë, shqiptarët në Austri vazhdojnë të jenë aktorë pasivë të skenës politike dhe spektatorë të painteresuar për të kontribuar përmbajtësisht në jetën shoqërore në këtë shtet mik. Kjo u vërtetua edhe në zgjedhjet e 11 tetorit të këtij viti

Më 11 tetor u mbajtën zgjedhjet për këshillat e 23 qarqeve të Vjenës si dhe për Këshillin Komunal të qytetit, i cili njëherësh shërben edhe si parlament i Landit të Vjenës, njërit ndër 9 të tillë në Austri. Kësaj radhe, në garë për një ulëse në ndonjërin nga këta këshilla ishin edhe tri kandidate me origjinë shqiptare: dy prej tyre anëtare të Partisë Socialdemokrate të Austrisë (SPÖ) dhe njëra nga Partia Popullore e Austrisë (ÖVP). Asnjëra prej tyre nuk ia doli që të mbledhë numër të mjaftueshëm votash. Pyetja që të gjithë duhet t’i shtrojmë vetvetes do të duhej të ishte: ‘‘Pse kur të tjerët ia dalin, ne dështojmë?’’.

Ndryshimet nuk bëhen vetvetiu, njerëzit i bëjnë ato të ndodhin. Por, cilët njerëz? Dhe si?

Një pjesë e konsiderueshme e shqiptarëve jetojnë në Evropën perëndimore. Shumica prej tyre tashmë posedojnë shtetësinë e vendeve rezident të cilave janë. Kështu atyre u është njohur edhe e drejta pasive dhe aktive në zgjedhjet që zhvillohen në nivele të ndryshme në këto shtete. Me këtë edhe mundësia që të zgjedhin dhe të jenë të zgjedhur si kandidatë të partive politike të regjistruara si të tilla, të inciativave të ndryshme qytetare apo si të kandidatë të pavarur.

Në rastin e Austrisë, si njëri nga vendet më të prekura nga fenomeni i migrimit, për fat të keq, shqiptarët ende nuk po arrijnë të gjejnë format dhe metodat e duhura që do të rezultonin me një përfaqësim real, së paku në proporcion me numrin e tyre, në këtë vend alpin. Në këtë proces ata ende po ballafaqohen me sfida nga më të ndryshme, gjë që po e vështirëson dhe ngadalëson promovimin e tyre si qytetarë të barabartë në raport me popullatën vendase dhe të huajt e tjerë, një pjesë e të cilëve kanë arritur të pozicionohen shumë më mirë në administratën dhe institucionet lokale dhe qendrore.

Konsiderohet në Austri jetojnë rreth 80 mijë shqiptarë (nga të gjitha trevat). Edhe pse statistika të mirëfillta nuk janë prodhuar ndonjëherë, besohet se pothuajse gjysma e tyre janë të pajisur me shtetësi austriake. Por, sa prej tyre dalin fare të votojnë? Mbase kjo shifër sillet nën 10%. Ndoshta dhe më pak se kaq. Me këtë bëjnë që edhe si grup të mos jenë dhe aq atraktiv për subjektet politike vendëse. Si pasojë, numri i shqiptarëve të angazhuar nëpër partitë politike në këtë shtet mbetet skajshmërisht i ulët, përderisa roli i tyre në subjektet ku aderojnë kufizohet në grumbullimin e atyre pak votave për partitë.

Anton Marku

Parlamenti i Vjenës ka 100 ulëse. Disa prej këshilltarëve/deputetëve kanë prapavijë migrantësh (turq, kroatë, grekë, etj). Këshillat e qarqeve kanë, varësisht nga madhësia dhe numri i banorëve në to, 40-60 ulëse. Në to ka shumë përfaqësues të komuniteteve të ndryshme që jetojnë në Vjenë. Në asnjërin prej tyre nuk ka ndonjë këshilltar me shtetësi austriake e me prejardhje shqiptare.

Pse është kështu kërkon një analizë, e cila mund të trajtohet si fenomen, i cili ka disa shkaqe, por dhe pasoja. Në këtë kontekst, reflektimi adekuat do të ishte: Sa intelektualë shqiptarë ka Vjena? Kush janë ata? Ku janë ata? Sa janë ata aktiv në shoqëri? Pyetjet tjera që presin përgjigje do të ishin: A kanë shqiptarët në Austri preferenca politike ndaj një apo disa partive të caktuara? Në çfarë niveli është vetëdija e tyre politike?

Është për t’u admiruar guximi i atyre kandidatëve të diasporës shqiptare të cilët, në një moment të jetës së tyre, marrin vendimin që të garojnë në zgjedhjet austriake. Por ata nuk po ia dalin të dallohen me ndonjë fushatë parazgjedhore për t’u mbajtur mend. Kështu si e kanë kuptuar dhe si veprojnë ata në politikë, nuk punohet më as në viset nga vijmë, në Ballkan. Pjesa me e madhe e tyre, edhe përkundër shumë viteve të kaluara në Austri dhe mundësive dhe rasteve të panumërta, për një kohë të gjatë kanë qenë të shkëputur nga organizimet e komunitetit tonë. Me apo pa qëllim. Me apo pa vetëdije. Shkaqet mund të jenë të ndryshme.

Deri më tani, një fushatë klasike e një kandidati shqiptar në Austri dukej përafërsisht kështu:

Në aspektin organizativ kandidati fillon të ‘‘aktivizohet’’ vetëm disa javë para zgjedhjeve. Zakonisht lëviz vetëm, pa ndonjë grup të bashkëpunëtorëve apo vullnetarëve apo i shoqëruar nga ‘‘lobues’’ nga qytete të tjera, e të cilët në Vjenë pakkush i njeh. Për marrje me qira të një lokali për komunikim ditor me qytetarët apo krijim të një shtabi zgjedhor vetjak as që bëhet fjalë.

Në aspektin teknik takimet i bën në ambiente të mbyllura (kafene, klube-shoqata, etj). Në këto raste, e tërë biseda fokusohet në shpërndarje të kartëvizitave dhe ‘‘programeve’’ (fletëpalosje të vogla, në format A5), për të mos u parë më.

Në aspektin promovues shumica prej tyre nuk kanë të hapur web-faqe në internet. Të gjithë kanë nga një të tillë në platformën sociale në facebook. Ato, në vend se të përdoreshin për prezantimin e ideve, inicimin e bashkëbisedimeve me votuesit potencialë dhe tematizimin e çështjeve me interes të përbashkët, shfrytëzohen për pëlqime, urime dhe dëshira për njëri-tjetrin.

Në Austri në përgjithësi dhe në Vjenë në veçanti ka shumë intelektualë shqiptarë. Një pjesë e madhe e tyre kanë studiuar në universitetet më me renome të këtij vendi dhe fituar tituj të ndryshëm akademikë. Ata janë kryesisht të moshës së mesme dhe të re, të pajisur me dituri dhe përvojë të mjaftueshme për tu kyçur në jetën shoqërore dhe politike të shtetit ku jetojnë dhe veprojnë. Disa edhe e bëjnë këtë, por jo në numër të mjaftueshëm, përderisa preferencat politike të bashkësisë shqiptare janë të padefinuara strategjikisht dhe institucionalisht.

Integrim do të thotë edhe pjesëmarrje. Mjerisht, më shumë se sa faktorë, shqiptarët në Austri vazhdojnë të jenë aktorë pasiv të skenës politike dhe spektatorë të painteresuar për të kontribuar përmbajtësisht në jetën shoqërore në këtë shtet mik. Kjo u vërtetua edhe në zgjedhjet e 11 tetorit të këtij viti. Mbetet për t’u shpresuar se kjo gjendje do të ndryshojë në vitet në vijim.

 * Anton Marku ka përfunduar studimet master në shkencat politike në Universitetin e Vjenës. Për katër vite (2009-2013) ka shërbyer si diplomat në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Austri.