Gruaja

Shtetasja e Maqedonisë mbahet prej një viti e gjysmë e bllokuar në Dubai

Nga Ambasada e Zvicrës, të cilës i qe drejtuar, nuk kishte marrë asnjë ndihmë. “Prej afër 30 vitesh jetoj në Zvicër dhe papritmas duhej që Maqedonia e Veriut të jetë kompetente për mua, edhe pse prej atje kam ardhur si fëmijë”, thotë 42 vjeçarja e cila nuk është shtetase e Zvicrës

Iman Gustafssonn është një grua 42 vjeçe, shtetase e Maqedonisë së veriut, e cila prej 30 vitesh jeton në Zug të Zvicrës. Mbiemrin Gustafsson e ka nga martesa e mëhershme me një suedez, shkruan watson.ch dhe medie tjera zvicerane.

Iman, për përkatësinë etnike të së cilës mediet në fjalë nuk ofrojnë informacione, është bërë temë mediale për shkak të një ngjarjeje që i ka ndodhur dhe që po e mban peng prej një viti e gjysmë.

Në shtator të vitit 2017 gruaja që vuan nga disa probleme psikike dhe duhej të kurohej në Zvicër, kishte shkuar për pak kohë në Dubai për shlodhje. Vetëm pak ditë më pas ajo njihet me një irkaian me të cilin lidh miqësi, transmeton albinfo.ch. Pas disa ekskursioneve të përbashkëta në afërsi, ata vendosin të shkojnë së bashku në Abu Dhabi. Duke qenë se duhej të zgjoheshin heret, vendosën të flinin në dhomën e tij të hotelit. Kur ajo shkon për të bërë dush në banjo, ai pajtohet që të qëndrojë në terracë, është rrëfimi i saj për mediet zvicerane.

Por, aty ka ndodhur diçka që e ka dëshpëruar atë dhe ka shkaktuar një fatkeqësi pas tjetrës për qytetaren e Maqedonisë dhe banoren e Zvicrës. Irakiani e ka filmuar fshehurazi atë gjersa ndodhej nën dush dhe ajo e kishte parë këtë. Kur i ka kërkuar që t`i fshijë xhirimet, ai ka kundüërshtuar, kështu që ajo ia merr me forcë telefonin nga dora.

“Aty e pashë videon dhe e vërtetova se ai nuk kishte qëndruar në terrasë por më kishte filmuar mua nën dush”, thotë ajo. Nga frika se ai mund ta ketë shpërndarë tashmë videon më tutje, ajo alarmon policinë. Por irakiani u deklaron policëve se ata ishin një çift dhe se kishin pasur edhe marrëdhënie intime (jashtëmartesore) mes vete.

Pasi që një gjë e tillë në Dubai konsiderohet shkelje e ligjit të sheriatit, gruas iu mor pasaoporta dhe u detyrua t`u nënshtrohet testimeve në spital, përcjell albinfo.ch. Testimet tregojnë se ajo nuk kishte pasur seks me irakianin. Por megjithatë ajo është detyruar të paraqitej në një proces gjyqësor, ku është pyetur kryesisht për jetën e saj seksuale. Prej aty transferohet për një periudhë kohore në një qeli burgu.

Nga Ambasada e Zvicrës, të cilës i qe drejtuar, nuk kishte marrë asnjë ndihmë. “Prej afër 30 vitesh jetoj në Zvicër dhe papritmas duhej që Maqedonia e Veriut të jetë kompetente për mua, edhe pse prej atje kam ardhur si fëmijë”, thotë 42 vjeçarja e cila nuk është shtetase e Zvicrës.  Ndërkaq, edhe vetë Maqedonia veriore nuk e ndiente veten kompetente për Iman-in në këtë rast.

Kështu, asaj, edhe pas një viti e gjysmë ende nuk i është kthyer pasaporta. Për pasojë, ajo e ka humbur tashmë banesën në Zug dhe merr vetëm një pension invalidor prej 900 dollarëve. Një shumë qesharake kur vetëm dhoma e saj në Dubai kushton 850 franga në muaj. E pastaj vijnë edhe medikamentet dhe përkujdesja psikologjike…

Ndërkohë, një vendim gjyqësor nga shkurti i vitit 2019 shpall se Iman nuk konsiderohet më si e dyshuar dhe se hetimet ndaj saj janë ndërprerë. Por për të marrë sërish pasaportën, ajo duhet të paguajë një gjobë prej 2000 frangash. Për gruan me prejardhje nga Maqedonia, kjo është një dritë në fund të tunelit.