Lajme

Si e ‘zēvendësoi’ Covid-19 gripin sezonal?

Teksa bota po rihapet, a do të ketë një shpërthim të gripit, shkruan The Economist

Në shtator 2020, mjekët dhe zyrtarët e shëndetit publik në Hemisferën Veriore ishin në gatishmëri të lartë. Ata nuk e dinin si do të sillej Covid-19 në dimrin e parë të pandemisë.

Viruset e frymëmarrjes kanë tendencën të rriten gjatë motit të ftohtë. Ishin edhe shqetësimet e zakonshme për gripin, virusi që ndryshon formë dhe vret shumë njerëz çdo vit. Në rastin më të keq, mjekët kishin frikë se do të shpërthenin njëkohësisht Covid-19 dhe gripi, duke mbingarkuar  spitalet dhe duke rritur numrin e të vdekurve.

Por kjo nuk u konkretizua kurrë. Rastet e Covid-19 vazhduan të rriten në pjesën më të madhe të botës në fund të vitit 2020 dhe në fillim të vitit 2021, por vala e gripit nuk goditi kurrë. E megjithatë, të njëjtët ekspertë janë sërish të shqetësuar. Mungesa e gripit në vitet 2020-‘21 ndoshta i ka përkeqësuar perspektivat për 2021-‘22: shpërthimet e virusit mund të ndodhin më shpejt, të zgjasin më shumë dhe të prekin shumë më tepër njerëz se zakonisht.

Gripi sezonal shkaktohet nga një grup virusesh që qarkullojnë në të gjithë botën midis zogjve, njerëzve dhe gjitarëve të tjerë. Sezoni i gripit në Hemisferën Veriore – pra Amerika e Veriut, Europa, Afrika e Veriut dhe Azia Perëndimore – zakonisht fillon rreth tetorit të çdo viti dhe arrin kulmin në janar ose shkurt. Në Hemisferën Jugore, sezoni fillon rreth majit dhe arrin kulmin midis qershorit dhe gushtit.

Dy lloje virusesh shkaktojnë gripin. Viruset e gripit A e kanë origjinën tek zogjtë dhe derrat. Nënllojet H1N1 dhe H3N2 (të emërtuar sipas strukturave të dy proteinave në sipërfaqet e tyre) gjithashtu infektojnë njerëzit. Gripi B infekton vetëm njerëzit.

Ndërsa këto viruse ndryshojnë dhe përhapen, ata janë të aftë të rikonfigurojnë proteinat në sipërfaqet e tyre, duke i bërë ato më pak të dallueshme për sistemin imunitar të njerëzve, madje edhe ata që kanë kaluar viruse të ngjashme më parë. Si rezultat, vaksinat e gripit duhet të përditësohen dhe riadministrohen çdo vit.

Duhen të paktën gjashtë muaj për të krijuar, për të testuar dhe për të prodhuar sasi të mëdha të vaksinave të gripit, kështu që duhet vendosur shumë përpara sezonit të gripit se cilat versione të vaksinave duhen synuar.

Sistemi Global i Mbikëqyrjes dhe Reagimit ndaj Gripit (GISRS) është një rrjet laboratorësh dhe institucionesh të shëndetit publik në 123 vende, që mbledh mostra të organeve të frymëmarrjes gjatë gjithë vitit. Ata rendisin gjenet e çdo virusi të gripit dhe karakterizojnë proteinat në sipërfaqet e tyre për të krijuar një ide të detajuar të viruseve më të përhapur të gripit në qarkullim, si po zhvillohen ato viruse dhe cilat të reja po shfaqen.

Duke pasur këto të dhëna, çdo shkurt dhe shtator, OBSH mbledh ekspertë për të rekomanduar se cilat lloje të gripit duhet të synohen nga vaksinat e ardhshme për Hemisferën veriore dhe Jugore.

Në shkurt 2021, duke përdorur informacionin nga viruset që qarkullonin në muajt e mëparshëm në Hemisferën Jugore, ekspertët zgjodhën katër viruse për vaksinat e këtij viti për Hemisferën Veriore. Nga fillimi i tetorit, këto vaksina duhen injektuar tek njerëzit.

Pasiguria e madhe për dimrin e ardhshëm është nëse janë zgjedhur viruset e duhura për vaksinim. Ky është gjithmonë një problem, por është veçanërisht i mprehtë këtë vit. Më pak se 0.2% e mostrave globale testuan pozitive për gripin, midis shtatorit 2020 dhe janarit 2021.

Midis vitit 2017 dhe 2020, kjo normë ishte 17%. Numri i shtrimeve në spital me grip në Amerikë në sezonin 2020-21, ishte më i ulëti që kur nisën regjistrime të tilla në vitin 2005. Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve tha se kishte regjistruar vetëm një rast të një fëmije që vdiq nga gripi në sezonin 2020-‘21 në Amerikë, krahasuar me 199 fëmijë në 2019-20.

Si shpjegohen nivele kaq të ulëta të gripit? Për shkak të Covid-19, njerëzit mbanin maska ​​në fytyrë, mbanin distancë nga njëri-tjetri, lanin duart, shmangnin transportin publik dhe qëndronin në shtëpi. Kjo ndihmoi në kufizimin e përhapjes së viruseve të tjerë të frymëmarrjes, përfshirë gripin.

Por ky rezultat i mirë ka një pasojë shqetësuese. Vaksinat për gripin në përgjithësi janë më pak efektive se ato për Covid-19; ato parandalojnë rreth 70% të infeksioneve tek të rriturit e shëndetshëm dhe rreth 50% tek të moshuarit. Fakti se sa mirë funksionon një vaksinë varet se sa mirë komponentët e saj përputhen me llojin viral që ka prekur një person.

Kur ato përputhen dobët, vaksinat janë më pak efektive në parandalimin e infeksionit dhe sëmundjeve të rënda, duke rezultuar në epidemi më të këqija. Duke pasur parasysh varfërinë e informacionit në dispozicion për llojet e gripit që qarkullojnë, Akademia e Shkencave Mjekësore (AMS) në Britani, mendon se gjasat e mospërputhjeve janë më të larta këtë vit.

Një tjetër pasiguri e madhe është si do të përgjigjet sistemi imunitar i njerëzve kur ata preken nga gripi, pasi e kanë shmangur atë për më shumë se një vit. Sezoni i butë i gripit në periudhën 2020-‘21, ishte ndoshta i mirëpritur në një kohë kur Covid-19 po vriste me dhjetëra mijë njerëz dhe po shtronte shumë të tjerë në spital. Por kjo do të thotë gjithashtu se shumë më pak njerëz janë ekspozuar ndaj viruseve të gripit vitin e kaluar, kështu që nivelet e imunitetit natyror në popullata, do të jenë relativisht të ulëta. Një valë gripi në një mjedis të tillë “mund të jetë problematike”, paralajmëroi AMS.

Parashikimet

Edhe njerëzit që janë ekspozuar më parë, janë në rrezik. Imuniteti ulet me kalimin e kohës. Për më tepër, viruset e gripit ndryshojnë me shpejtësi, kështu që kujtesa e sistemit imunitar për gripin e një sezoni nuk mund të jetë shumë e dobishme kundër viruseve të rinj. Disa kanë pak ose aspak mbrojtje kundër gripit – sidomos foshnjat dhe fëmijët e vegjël të cilët kurrë nuk janë ekspozuar ndaj tij.

Hulumtimet mbi shpërthimet e mëparshme të gripit në Amerikë, japin disa të dhëna mbi atë çfarë mund të ndodhë në vitin 2021. Një studim i vitit 2013, ekzaminoi situatën pas dimrave të butë, kur shkalla e transmetimit të gripit ishte më e ulët se zakonisht dhe kjo rezultoi në epidemi me intensitet më të ulët. Studiuesit zbuluan se 72% e epidemive pasuese ishin më të rënda se mesatarja. Ato fillonin 11 ditë më shpejt dhe shkalla e rritjes së epidemisë ishte 40% më e lartë. Ashpërsia e tyre përkeqësohej që në fillim, sepse më pak njerëz vaksinoheshin në atë periudhë.

Parashikimet nga AMS kanë treguar se, nëse britanikët do t’i kthehen mënyrës së jetesës para-pandemike, në skenarin më të keq, vendi mund të përballet me një epidemi dimërore gripi 2.2 herë më vdekjeprurës se normalisht. Vitet e fundit, gripi zakonisht ka vrarë 10,000-30,000 njerëz në vit në Angli. Sezoni 2017-18 ishte sezoni më i keq i kohëve të fundit, me rreth 26,000 vdekje.

Virusi sincitial i frymëmarrjes (RSV) siguron më shumë të dhëna se çfarë mund të ndodhë në Hemisferën Veriore. RSV është një shkak kryesor i shtrimit në spital dhe vdekjes te fëmijët e vegjël, veçanërisht ata më pak se një vjeç. Raportet nga e gjithë bota treguan një ulje prej 98% të rasteve të RSV gjatë pandemisë. Por studiuesit në Australi gjithashtu zbuluan se, pasi ishin lehtësuar kufizimet e distancimit fizik në muajt e fundit të vitit 2021, rastet e RSV u rritën.

Ato arritën kulmin në dhjetor, në vend të qershorit ose korrikut të zakonshëm. Kulmi ishte pothuajse tre herë më i lartë se zakonisht dhe kishte shumë më tepër raste të infeksionit tek fëmijët më të rritur. Mjekët në Nju Jork gjetën rezultate të ngjashme pas marsit 2021.

 

Në prag të dimrit

Nëse gripi ose RSV rriten kur nivelet e Covid-19 janë të larta, disa mjekë shqetësohen se njerëzit mund të goditen nga disa viruse të frymëmarrjes njëkohësisht. Rreth një e pesta e fëmijëve që përfundojnë në spital me sëmundje të rëndë të mushkërive, janë të infektuar me viruse të shumta, thotë Stephen Holgate, një farmakolog në Universitetin Southampton.

Gjithnjë e më tepër prova po tregojnë se gripi dhe sars-cov-2 mund të bashkëjetojnë. AMS llogarit se infektimi me gripin A i bën njerëzit më të ndjeshëm ndaj sars-cov-2. Gjithashtu shqetësohet se qarkullimi më i madh i viruseve të tjerë të frymëmarrjes mund të çojë në variante më të rrezikshme të sars-cov-2.

Parandalimi i një “dyndemie” në periudhën 2021-‘22 do të kërkojë tre hapa, argumenton Dame Anne Johnson, një epidemiologe në University College London dhe presidente e AMS, transmeton monitor, përcjell Albinfo.ch.

Së pari, një përpjekje e përbashkët për të marrë më shumë vaksina, si ndaj Covid-19, ashtu edhe ndaj gripit. Duke qenë se imuniteti natyror ndaj gripit është ndoshta në nivelin më të ulët ndër vite në të gjithë botën, imuniteti përmes vaksinave duhet të kompensojë për mungesën. Kjo do të thotë se duhen vaksinuar ata që janë në rrezik të lartë, si të moshuarit, gratë shtatzëna dhe punonjësit e kujdesit shëndetësor, por edhe fëmijët, të cilët janë përhapës të jashtëzakonshëm të infeksionit.

Së dyti, meqenëse simptomat e sëmundjeve të ndryshme të frymëmarrjes, përfshirë covid-19, janë të ngjashme, mjekët kanë nevojë për qasje rutinë në testime për viruse të ndryshme në të njëjtën kohë. Testet e shpejta për gripin duhet të jenë të disponueshme në spitale, klinika, azile dhe farmaci, thotë profesor Johnson. Identifikimi i infeksioneve është i dobishëm – përdorimi në kohë i antiviralëve mund të shkurtojë një sezon gripi.

Mënyra e tretë për të shmangur virusin është që njerëzit e zakonshëm të praktikojnë atë që profesoresha Johnson e quan “higjienë e frymëmarrjes”. Rregullat e distancimit social mund të mos jenë më në fuqi në pjesën më të madhe të botës, por njerëzit ende duhet të mbajnë maska ​​në mjedise të brendshme të mbushura me njerëz. Ata gjithashtu duhet të punojnë nga shtëpia kur është e mundur.

Shkencëtarët do të përballen me sezonin e ardhshëm të gripit duke përdorur mjetet që ata e dinë se funksionojnë. Por procesi aktual për prodhimin e vaksinave të gripit është i ngadaltë – ai kërkon gjashtë muaj dhe përfshin inkubimin e viruseve në vezët e pulave ose qelizat e gjitarëve para se të nxirren dhe të pastrohen me kujdes proteinat që formojnë blloqet ndërtuese të vaksinave.

Suksesi i vaksinave mARN për Covid-19 i ka nxitur shkencëtarët të hetojnë se si të përdorin të njëjtën teknologji kundër gripit. Teknologjia mARN duhet të përshpejtojë procesin e përgatitjes së vaksinës.

Në korrik, Moderna, kompania amerikane që krijoi një vaksinë të suksesshme mARN kundër covid-19, filloi të vinte në provë vaksinën e saj mARN kundër gripit. Pfizer, prodhuesi tjetër amerikan i vaksinave mARN kundër covid-19, gjithashtu ka përshtatur teknologjinë e tij për të prodhuar një vaksinë kundër gripit. Seqirus, kompani britanike e ilaçeve, ka njoftuar planet për të filluar provat klinike të vaksinës mARN kundër gripit, në fund të vitit 2022.

Një vaksinë tipike mARN udhëzon qelizat e një personi të krijojnë një antigjen (kundër të cilit sistemi i tyre imunitar mund të krijojë antitrupa). Vaksinat mARN gjithashtu i udhëzojnë qelizat e trupit të njeriut të replikojnë vetë formën mARN. Kjo do të thotë se një dozë shumë më e vogël e vaksinës mund të nxjerrë të njëjtin rezultat imunologjik, që është i dobishëm nëse duhen vaksinuar njerëzit kundër viruseve të shumta të gripit në të njëjtën kohë dhe ajo gjithashtu mund të rrisë imunitetin ndaj Covid-19, i cili duket se do të jetë i pranishëm çdo dimër, ashtu si gripi.

 


LAJME INTERESANTE NGA INTERNETI