Bota

Siguria e aeroplanëve Boeing vihet në pikëpyetje

Kompania amerikane e prodhimit të aeroplanëve Boeing është duke u përballur me pyetje, pasi aeroplani i kompanisë “Ethiopian Airlines” është rrëzuar të dielën, duke lënë të vdekur 157 persona.

Kjo njëherësh ka shënuar rrëzimin e dytë të aeroplanit të llojit, 737 Max 8, në pesë muajt e fundit, andaj veçse ka filluar të krahasohet ky incident me atë që ka ndodhur në Indonezi në tetor të vitit të kaluar.

Në përgjigje ndaj këtij incidenti, një numër i kompanive ajrore kanë hequr dorë nga aeroplanët e këtij modeli.

Ekspertët, në anën tjetër, kanë thënë se ende është shumë herët për të kuptuar se çfarë ka shkaktuar këtë incident, shkruan rel, përcjell albinfo.ch.

Kompania “Ethiopian Airlines” ka thënë se fluturimi ET302 ka zgjatur vetëm gjashtë minuta para se të rrëzohej në Addis Abeba.

Ajo po ashtu ka thënë se piloti ka njoftuar se ka vështirësi dhe ka kërkuar të kthehet sërish në vendin nga është nisur.

“Në këtë periudhë, ne nuk mund të vendosim asgjë”, ka thënë drejtori i kompanisë “Ethiopian Airlines”, Tewolde Gebremariam, në Aeroportin Ndërkombëtar, Bole.

Dukshmëria është thënë të ketë qenë e mirë, mirëpo vëzhguesit e trafikut ajror kanë thënë se “shpejtësia vertikale nuk ka qenë stabile”.

Sipas kompanisë, edhe kapiteni, Yared Getachew, ka pasur “performancë të mirë” me më shumë se 8.000 orë fluturime.

Pasagjerë nga më shumë se 30 shtete kanë qenë në bord, duke përfshirë banorë të Kenias, kanadezë, amerikanë, britanikë, gjermanë, rusë dhe një serb.

Kombet e Bashkuara kanë thënë se 19 anëtarë të agjencive bashkëpunëtore kanë qenë në mesin e viktimave.

Deputeti sllovak, Anton Hrnko, ka konfirmuar përmes një postimi në Facebook, se gruaja dhe dy fëmijët e tij kanë qenë në aeroplan.

Ndërkohë një grek ka thënë se ai kishte planifikuar të udhëtonte me atë fluturim mirëpo ka arritur me dy minuta vonesë.

Përmes një postimi në Facebook, Antonis Mavropoulos ka shpërndarë një fotografi të biletës, duke thënë se e diela ka qenë “dita e tij me fat”.

Autoritetet në Etiopi e kanë shpallur të hënën ditë zie kombëtare.