Koronavirusi: çast pas çasti

Drosten: Gjermania më pak e rrezikuar nga rikthimi i COVID 19

Meqënëse tani e kuptojmë më mirë virusin Corona, teorikisht një mbyllje për së dyti prej virusit mund të jetë e shmangshme, beson virologu i njohur Christian Drosten. Nga ana tjetër zbehen shpresat për një vaksinë.

Virologu i klinikës universitare të Berlinit Charité, Christian Drosten, u jep kurajo gjermanëve. Sipas tij, tani ka një mundësi teorike që gjermanët t’i bëjnë ballë një vale të dytë të COVID-19, tha shkencëtari për revistën Spiegel. Tani e njohim më saktë virusin dhe dimë më mirë se si përhapet ai. Sipas Drosten, kjo ndodh përmes pak të ashtuquajturish superspreader, pra të infektuar, që janë përgjegjës për shumë infeksione pasuese. Një zhvillim i tillë i infeksionit mund të kontrollohet më mirë.

Drosten tërhoqi vëmendjen se megjithatë mbetet e rëndësishme që një përhapje e mundshme të konstatohet shpejt dhe të ndalet, duke i çuar në karantinë të gjithë personat e kontaktit pa u zvarritur dhe duke i testuar ata fillimisht. Por periudha e karantinës mund të pakësohet dukshëm. Këtej e tutje personat e kontaktit mund të kalojnë vetëm një javë në izolim, sepse periudha e inkubacionit dhe koha, në të cilën virusi përçohet tek njeriu, është më e shkurtër nga sa mendohej fillimisht, thotë Drosten.

Virologu nga Boni, Hendrik Streeck, gjithashtu nuk beson se Gjermania mund të përballet me një valë të dytë Corona. Ai mendon se mund të ketë herë pas here shpërthime lokale p.sh. në vjeshtë. Por ai nuk beson se do të ketë një zhvillim infeksioni, që ta mbingarkojë sistemin e shëndetësisë, thotë për rrjetin e gazetave gjermane RND.

Në thelb, Streeck sheh shanse të mira për ta mbajtur virusin nën kontroll. Një ndër masat kyçe për kufizimin e infeksioneve është ndalimi i eventeve me publik të zgjeruar.

Si arma kryesore kundër virusit Corona konsiderohet një vaksinë, për të cilën po punohet me intensitet në mbarë botën. Ndërkohë kanë nisur disa prova vaksinash te njeriu, por vështirë që vaksina të dalë brenda këtij viti. Virologu Streeck dyshon në suksesin e shpejtë të përpjekjeve për gjetjen e vaksinës. Kundër HIV janë konstruktuar mbi 500 vaksina, por asnjëra nuk ka funksionuar. Duhet të jemi të përgatitur edhe për mundësinë që nuk mund të gjendet një vaksinë, sugjeron virologu.