Bota

S’ka barazi mes burrave dhe grave në asnjë shtet

Një organizatë e specializuar për barazinë mes burrave dhe grave konfirmoi se asnjë shtet nuk ka arritur një nivel të kënaqshëm barazie mes gjinive, duke e renditur globin shumë larg objektivave të OKB-së në këtë drejtim.

Në 2015, shtetet anëtare të Kombeve të Bashkuara miratuan në unanimitet 17 objektiva të zhvillimit të qëndrueshëm, që do të arrihen deri në 2030 në shumë fusha, përfshirë barazinë burra-gra.

Sipas ”Equal Measures 2030” (EM 2030), organizatë joqeveritare, që publikon çdo vit një raport të pavarur, shtetet nuk kanë punuar aq sa duhet për këtë problem.

Në mesin e 129 shteteve të monitoruara, asnjë shtet nuk ka arritur plotësisht premtimin e barazisë mes gjinive.

”Asnjë shtet nuk regjistron një rezultat të përgjithshëm shumë të mirë me 90 apo më shumë pikë, vetëm Danimarka (në 89,3), që ndodhet në krye të listës, është shumë pranë objektivit”, sipas ”Equal Measures 2030”, transmeton ATSH.

Drejtoresha e “Equal Measures 2030”, Alison Holder shprehet se ”nuk po i përmbahemi premtimeve për barazi që u janë bërë miliarda vajzave dhe grave”.

E pyetur nga media gjatë një konference shtypi në Vankuver për pabarazinë burrë-grua, ajo pohon se ”edhe më shqetësues është fakti se 1,4 miliardë gra dhe vajza jetojnë në shtete që kanë arritur një rezultat shumë të ulët në këtë tregues”, përcjell albinfo.ch.