Lajme

Sot shënohet 12-vjetori i bombardimeve të NATO-s

Sot Kosova shënojë përvjetorin e dymbëdhjetë të sulmeve ajrorë të NATO-s më 1999 kundër regjimit të Slobodan Milosheviqit. Këtë vit, megjithatë, rasti ka rëndësi të re, ngase ditë më parë, BE dhe NATO filluan sulmet kundër sistemeve të mbrojtjes ajrore të Muammar Gaddafit në një përpjekje për të mbrojtur civilët në Libi.

Ditën e 24 marsit të vitit 1999 u dha urdhri për sulme mbi caqet serbe në Serbi dhe në Kosovë, që cilësohet si ditë historike. Kjo datë shënon fillimin e fundit të një epoke të rëndë për popullin në Kosovë dhe paralajmërimin se pranverat e ardhshme do të jenë ndryshe.

Pas tre muajsh luftë nga ajri me forcat kriminale serbe, forcat tokësore të NATO-s hynë në Kosovë, ku edhe pas 12 vjetësh janë ende duke qëndruar, ndonëse në numër më të vogël. Ajo ditë për shumicën e qytetarëve të Kosovës do të mbetet gjithnjë në kujtesën e tyre.

Para 12 vitesh, NATO-ja i filloi sulmet kundër caqeve serbe për t’i ndaluar operacionet e tyre në Kosovë dhe për ta parandaluar spastrimin etnik. Pas kësaj, regjimi i Milosheviqit e filloi në Kosovë zbatimin e operacionit “Patkoi”, me synim zbrazjen e saj nga shqiptarët, kështu që masakrat nëpër treva të ndryshme të vendit u bënë përditshmëri e shqiptarëve të Kosovës.

Gjysma e popullatës u përzu me dhunë nga trojet e veta, ndërsa NATO-ja e vazhdonte fushatën e bombardimeve për 78 ditë. Në fillim të qershorit të vitit 1999 Milosheviqi dorëzohet, e pranon Marrëveshjen e Kumanovës, sipas së cilës, ushtria dhe policia serbe duhet të tërhiqen nga Kosova.

Nëntë vjet pas fillimit të bombardimeve të NATO-s mbi caqet e ushtrisë serbe dhe largimit të këtyre trupave nga Kosova me 12 qershor të po të njëjtit vit. Kosova shpalli pavarësinë me 17 shkurt të vitit 2008. Deri tash ajo është njohur shtet  nga 75 vende të botës.

Presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli, lidhur me 12 vjetorin e fillimit të bombardimeve të NATO-s mbi caqet ushtarake serbe, ka thënë se kjo ditë ishte ngjarje e madhe historike që i hapi rrugë çlirimit dhe pavarësimit të Kosovës. Sipas tij, realiteti i sotshëm në Kosovë i jep legjitimitet dhe të drejtë absolute vendimit ndërkombëtar për sulme ajrore kundër Serbisë më 1999.

Në përvjetorin e 12-të të fillimit të fushatës së NATO-s në Kosovë, ambasadori i SHBA-ve në Prishtinë, Christopher Dell, ka thënë se është çast për të menduar lidhur me turbullirat që çuan në ndërhyrjen e NATO-s si dhe për shtetin e Kosovës që doli nga konflikti.  Sipas tij, pas atyre trazirave, populli i Kosovës u zotua që të sigurojë që Kosova të bëhet një demokraci e fortë, shumetnike, pluraliste dhe e denjë për sakrificat që çuan në pavarësinë e Kosovës. “Tash, 12 vjet pasi që NATO-ja veproi, mbetet detyrim i Kosovës dhe i të gjithë kosovarëve që të mbrojnë trashëgiminë e ndërhyrjes së botës në emër të tyre”, ka thënë Dell.

Ndërkohë po sot, në orën 12:00, në sheshin Shumadia, në pjesën veriore të Mitrovicës, do të mbahet një miting me moton “Së bashku për Serbinë”, duke përkujtuar këto bombardime.

I ashtuquajturi shef i Qarkut të Mitrovicës, Radenko Nedelkoviq ka thënë se nga mitingu do të dërgojnë porosi se serbët e veriut të Kosovës nuk duan të integrohen në institucionet kosovare. Sipas tij, për popullin në veri të Kosovës të vetme institucione janë ato të shtetit serb dhe se këto institucione nuk kanë kujt t’i jenë paralele.

Kjo ditë ndër shqiptarët festohet me organizime të ndryshme, ku iu falënderohet forcave të NATO-s që intervenuar për të ndaluar spastrimin etnik në Kosovë.