Kosova
Sot shënohet 26-vjetori i eksodit të shqiptarëve të Kosovës

26-vjetori i eksodit të shqiptarëve të Kosovës shënohet sot, kur gjatë luftës në vitet 1998–1999 rreth një milion shqiptarë u detyruan nga forcat paramilitare serbe të shpërnguleshin në Shqipëri dhe Maqedoni, përcjell albinfo.ch.
Shumë prej të shpërngulurve u nisën drejt Shqipërisë dhe Maqedonisë, ndërsa mijëra shqiptarë të tjerë kaluan kufirin edhe me Malin e Zi. Qindra mijëra u zhvendosën nga shtëpitë e tyre për të gjetur strehim në malet e Kosovës.
Ata ishin fëmijë, gra dhe të moshuar, të dhunuar, të torturuar dhe të masakruar. Në çdo përvjetor të eksodit të vitit 1999, që mori përmasa biblike, në Kukës bëhet përkujtimi – dhe në dy vitet e fundit, edhe simbolikisht për shkak të pandemisë – i kësaj drame vuajtjesh ndër më të rëndat që kanë përjetuar njerëzit e kësaj toke.
Eksodi, apo dëbimi i shqiptarëve me dhunë nga vatrat e tyre, arriti kulmin pas fillimit të bombardimeve të NATO-s kundër pikave ushtarake dhe policore të ish-Jugosllavisë (Serbisë dhe Malit të Zi).
Më 27 mars, në orën 13:20, në pikëkalimin doganor të Vërmicës/Morinës, kaluan në Kukës 187 refugjatët e parë nga Kosova, ku shumica ishin fëmijë dhe gra, të cilët ndodheshin në gjendje të mjerueshme fizike dhe mendore, si dhe të plagosur me mjete të forta si: qyta pushke, shkopinj gome, etj. U morën masa të menjëhershme për transportimin e tyre me mjete të transportit civil dhe të ushtrisë nga drejtuesit e Prefekturës së Kukësit. Ata ishin kryesisht banorë të fshatrave të Prizrenit, Krushës së Madhe dhe Zymit. Fillimisht, këta refugjatë u strehuan në Pallatin e Kulturës “Hasan Prishtina”.
Deri në orën 24:00 të datës 27.03.1999, në Kukës mbërritën 12,721 kosovarë. Ndihmat e para ushqimore erdhën nga Ministria e Bujqësisë e Shqipërisë, ku më 27 mars në Kukës u dërguan kontingjente me ushqime (vaj, miell, sheqer, makarona, oriz, sapun etj.) për 2,500 persona në muaj.
Më 28 mars, fluksi i kosovarëve drejt Kukësit vazhdoi – të dëbuar me forcë nga pushtuesit serbë. Numri i tyre arriti në 13,000 banorë. Refugjatët hynin në Kukës nga pikëkalimi i Vërmicës/Morinës, ku ishin dhunuar, torturuar, masakruar dhe zhveshur nga policët serbë, duke u marrë paratë, bizhuteritë dhe çdo send me vlerë që kishin.
Vendstrehimi i tyre i përkohshëm ishte Pallati i Kulturës “Hasan Prishtina”. Më pas, pushteti lokal në Kukës hapi dyert e disa mjediseve shkollore, çerdheve, kopshteve, magazinave dhe depozitave për strehimin e të dëbuarve. Refugjatët e tjerë u strehuan në familje kuksiane, të cilat i mikpritën. Mesatarisht, çdo familje në qytetin e Kukësit kishte rreth 14 kosovarë. Ata flinin në çdo pjesë të shtëpisë.
Në krye të javës, në Kukës mbërriti karvani i dytë i të dëbuarve me rreth 70,000 kosovarë. Nga këta, 40,000 u sistemuan pranë familjeve qytetare, 10,000 në mjedise të ndryshme publike të qytetit, 6,000 në komunat Bicaj, Kolsh, Tërthore dhe Shtiqën, 12,000 në qytetin e Krumës dhe 300 në komunën Golaj. Në Kukës mbërritën 16 automjete për të evakuuar një pjesë të kosovarëve në qytete të tjera. Dita-ditës, numri i të dëbuarve rritej. Përveç strehimit në shtëpitë e banorëve kuksianë, një numër i madh kosovarësh u strehuan në kampe.
16 prilli është data kur në Kukës shënohet Dita e Eksodit, si shenjë falënderimi dhe respekti për të gjithë ata që hapën dyert për të pritur vëllezërit shqiptarë nga Kosova.
Një nga simbolet kryesore të 16 Prillit është edhe Obelisku. Kulla u ndërtua si shenjë falënderimi ndaj popullit shqiptar. Ajo është ngritur në vendin ku ishin vendosur çadrat që strehonin popullatën kosovare. Kulla është 23.5 metra e lartë dhe është e mbushur me fotografi që paraqesin ngjarjet e asaj kohe. Kulla është një nga pikat më të vizituara turistike në Kukës. Gjatë 16 prillit, ajo është vendi më i frekuentuar për përkujtim.
Për të kujtuar ditët e shpërnguljes me dhunë të shqiptarëve nga shtëpitë e tyre dhe vuajtjet e tyre nga regjimi serb, në Qendrën Përkujtimore “Bllaca ‘99” në Han të Elezit qëndron monumenti “Muri i Kujtesës” si dhe parku “Hasan Prishtina”.
Monumenti “Muri i Kujtesës” është një mozaik që simbolizon sakrificën e nënës shqiptare, bashkë me emrat e disa prej personaliteteve të shquara botërore që kontribuuan në çlirimin e Kosovës – një vepër artistike-monumentale që shpreh më së miri kujtimin dhe respektin për të gjithë ata që sollën lirinë dhe pavarësinë e shumëpritur.
E-Diaspora
-
Vjenë: Më 26 prill mbahet panairi i bizneseve shqiptare në Austri Në panairin “Vjena 2025” do të prezantohen një numër i madh firmash nga të gjitha fushat,...
-
“SRF” i kushton një artikull Egzona Ajetit si shofere autobusi
-
Takim kulturor në Waldkirch me poeten Blerina Rogova Gaxha
-
Kosovarja denoncon burrin për dhunë, dënohet vetë për raportim të rremë
-
Krimet e të huajve në Angli: Prijnë shqiptarët
Jeta në Zvicër
-
Rënie e mprehtë e turistëve zviceranë në SHBA Bie numri i turistëve zviceranë në SHBA...
-
“SRF” i kushton një artikull Egzona Ajetit si shofere autobusi
-
Eurovision 2025: Shfaqja që do të tronditë skenën në Zvicër
-
Zvicra drejt rikthimit në “Erasmus Plus” por me një çmim trefish më të lartë
-
Zvicra shënon rënie të kërkesave për azil, por kantonet mbeten të mbingarkuara