Lajme

Stuhi të fuqishme kaplojnë Zvicrën, breshër dhe vërshime

Transporti publik në qytetin e Lucernit është rreptësisht i kufizuar. Sipas kompanisë së transportit të Lucernit, arsyeja është përmbytja

Në gjithë Zvicrën është aktualisht në fuqi paralajmërimi për mot të keq. Stuhitë më të forta janë ngritur në Oberland të Cyrihut dhe pjesë të Zvicrës lindore, transmeton albinfo.ch. Ekziston gjithashtu një paralajmërim për “stuhi të forta” në kantonet Obwalden dhe Nidwalden, si dhe në Lucern.

Transporti publik në qytetin e Lucernit është rreptësisht i kufizuar. Sipas kompanisë së transportit të Lucernit, arsyeja është përmbytja në Verkehrshaus dhe Luzernerhof. Priten vonesa në të gjitha linjat, shkruajnë mediat zvicerane. Është e paqartë se sa do të zgjasin kufizimet.

Në rajonin e Cyrihut, treni lokal S15 midis Oberglatt ZH dhe Niederweningen është ndërprerë për shkak të dëmtimit nga stuhitë. Sipas SBB-së, ende është e paqartë se sa do të zgjasë ndërprerja.

Një stuhi me bubullima të fuqishme ka shpërthyer mbi Zvicër të hënën, transmeton albinfo.ch. Pas ditëve të nxehta, tashmë ka një ftohje të theksuar. Siç shkruan Meteonews, “mbi 4500 rrufe janë regjistruar” deri në orën 15 të së hënës.

Stuhi të forta kanë përshkuar edhe Zvicrën perëndimore. Kështu, në Gifers Freiburg – kokrrat e breshrit kanë arritur një madhësi të konsiderueshme.

 


LAJME INTERESANTE NGA INTERNETI