Lajme

Sukseset dhe sfidat 45-vjeçare të Shkollës Shqipe në Gjermani

Shkolla shqipe në Gjermani ka bërë një rrugëtim prej 45 vjetësh. Në një intervistë të tijën, Sami Thaçi, kryetar i Këshilli i Arsimtarëve Shqiptarë (KASH) në Gjermani, bën një panoramë të plotë të përpjekjeve për hapjen e shkollave të mësimit të gjuhës shqipe dhe kulturës shqiptare në Gjermani, për zhvillimin dhe gjendjen e tyre të tanishme atje.

Sukseset dhe sfidat aktuale me të cilat përballet KASH (Këshilli i Arsimtarëve Shqiptarë)

Sami Thaçi, pas studimeve në Universitetin e Prishtines, dega Gjuhë-Letërsi shqipe, punoi si mësues nga viti 1977 deri në vitin 1987 në Kosovë. Më pas ai vendoset në Gjermani për të punuar si mësues në bazë të Marrëveshjes së dikurshme mes Gjermanisë dhe ish-Jugosllavisë. Prej 1987 e deri më sot ai vazhdon të punojë me shumë pasion dhe përkushtim me fëmijët shqiptarë në Wuppertal, Remscheid, Solingen, dhe Hilden.

Prej 1987 e deri më sot ai vazhdon të punojë me shumë pasion dhe përkushtim me fëmijët shqiptarë në Wuppertal, Remscheid, Solingen, dhe Hilden. Ndërkohë ai është edhe kryetar i KASH-it (Këshilli i Arsimtarëve Shqiptarë) në Gjermani, shkruan diasporashqiptare.

Fillimisht kur ka filluar të funksionojë shkolla shqipe ose mësimi në gjuhën shqipe për fëmijët shqiptarë në Gjermani? Pak histori mbi rrugëtimin e shkollës shqipe.

Sipas të dhënave që kemi, shkollat e para për mësimin e gjuhës shqipe kanë filluar nga mesi i viteve të shtatëdhjeta deri në fillimi të viteve tetëdhjetë. Si rrjedhojë e kërkesave të vazhdueshme të bashkatdhetarëve për të shfrytëzuar mundësinë që edhe fëmijët e tyre të mësonin shqip e jo serbokroatisht. Konsulatat dhe Ambasada jugosllave kanë qenë gjithmonë pengesë për hapjen e këtyre shkollave. Falë këmbënguljes së prindërve, të cilët vazhdimisht informonin institutcionet përkatse arsimore të qyteteve ku jetonin me pretendimin se gjuha shqipe nuk është gjuhë sllave dhe që shqiptarët në Kosovë kanë gjuhën e tyre amtare . Madje prindërit shqiptarë kishin protestuar shpesh para organeve gjermane. Këto veprime, pothuaj në të gjitha Landet e Gjermanisë Federale, patën sukses të shkëlqyer në hapjen dhe zgjerimin e rrjetit shkollor, në qytetet kryesore por edhe në vendbanimet më të vogla.

Deri në vitin 1990 në Gjermani punonin 26 mësues me mbi 2500 nxënës. Pas ngjarjeve të vitit 1990, shumë shqiptarë nga Kosova por edhe trevat tjera morën rrugën e mërgimit sepse ikishin humbur shpresat se mund të ndërronte situata. Madje pjesa më e madhe erdhën në Gjermani. Në këto kushte, lindi edhe ideja nga disa mësues mjaft aktiv që të formohej Këshilli i Arsimtarëve Shqiptarë, „Naim Frashëri“ në Gjermani, shkurt KASH. Pas vitit 1990 numri i nxënësve në tërë teritorin e gjerman do të rritej në mënyrë të paparitur dhe shumë shpejt. Deri në vitin 2000 numri i nxënësve arriti në rreth 8000 dhe numri i mësuesëve 88. Ky këshill mori për obligim të ndryshojë gjithëçka nga sistemi i mëparshëm. Si detyrë parësore pati shkëputjen e shkollës shqipe nga tutela jugosllave, përpilmin e plan-progaramit të ri, organizimin e konkurseve të diturisë, garat sportive si dhe aktivitete kulturore me rastin e festave kombëtare.

Konkretisht për landin apo Republiken e Renanisë veriore Vestfalisë, si paraqitet situata kur dihet që shkolla shqipe këtu ka një traditë edhe më të gjatë?

Landi i Rinit dhe Westfalisë Veriore është një histori në vete. Në NRW, patëm kushte pak më të mira se në landet tjera. Ministria e Arsimit të këtij landi iu ka krijuar të gjithë nxënësve me prejardhje jogjermane të kenë mundësinë të bejnë mësim plotësues edhe në „gjuhën e nënës “mbi baza vullnetare. Në shumicën e landeve të tjera e kanë ndërprerë këtë mësim. Vetëm landet NRW, Rheinlandpfalz dhe Niedersachsen e kanë në sistemin arsimor.

Në këtë land mësimi për herë të parë ka filluar në Euskirchen në vitin 1975 me mësuesin e parë Faik Mehmeti ( sipas shënimeve të monografis֝ së mësuesit Rifat Hamit Ura Atdheu) . Deri në vitin 1990 në këtë land ishim vetëm 7 mësues, tani jemi 22 që KASH ka kontakte dhe 4-5 që nuk kanë kontaktuar kurrë me ne apo edhe me Minsitrinë e Arsimit të Kosovës. Numri i nxënësve shqiptarë arrin mbi 2300 nxënës. Përkundër këtij numri, unë nuk mund të them se jam i kënaqur me vijimin e nxënësve. Sipas disa vlerësimeve që kemi, mendohet se vetëm 5 – 8 % – të nxënësve i kemi të përfshirë në shkollën shqipe. Shpresoj se një ditë do të kthjellohen prindërit që ta pranojnë se fëmijtë e tyre kanë nevojë të mësojnë gjuhën e të parëve. Besoj se edhe qeveritë e vendeve tona duhet të kuptojnë se gjysmën e popullit e kanë jashtë atdheut. Unë jam i vetëdijshëm se Shqipëria dhe Kosova kanë shumë çështje të tjera më të rëndësishme, por besoj se fëmijtë që jetojnë jashtë atdheut janë po aq të rëndësishëm sa ata që jetojnë në atdhe. Me që përfaqësoj KASH -in tani flas edhe në emër të kolegëve. Do të donim që ministrat e arsimit dhe ata të diasporës të vinin të takohen me mësuesit, prindërit dhe nxënësit dhe të shohin nga afër problemet e jo të vijnë veç një ditë e të shkojnë të takohen me njerëzit e familjeve të tyre. /Albinfo.ch