Bizneset

Suksesi i “e.a.Partners AG” vjen falë punës korrekte dhe transparencës

“Të mos shikojnë vetëm diplomën, por të kërkojnë profesionistë, t'u shikojnë edhe punën që e kanë bërë”. Kjo është këshilla që arkitektët Kelmend Abazi dhe Flamur Elmazi u japin të interesuarve për të ndërtuar

Se bashkimi i bën njerëzit më të fortë dhe më të suksesshëm këtë më së miri e dëshmojnë edhe arkitektët Kelmend Abazi dhe Flamur Elmazi, njëri me origjinë nga Kërçova e tjetri nga Struga, të cilët për disa vite radhazi punojnë së bashku në Zvicër. Të dy janë arkitektë të dalluar në punët e tyre. Ata veprojnë në një firmë që e krijuan bashkë “e.a Partners AG” në Zürich.

Kur i pyet se sa e vështirë është të funksionojnë punët në partneritet, ata thonë se të punosh me një partner është gjëja më e thjeshtë dhe se e gjitha që duhet, është respekti, përkushtimi dhe sinqeriteti ndaj njëri-tjetrit.

Projektet e tyre në bashkautorësi shtrihen në disa qytete të Zvicrës, sidomos pas vitit 2010.

Në një intervistë për albinfo.ch ata kanë shpalosur punën e tyre ndër vite së bashku dhe suksesin që kanë arritur, që kur kanë filluar biznesin e tyre.

Punën e tyre e pëlqejnë të gjithë, përfshirë këtu edhe kompani të mëdha prestigjioze zvicerane. Prandaj, nuk ka rëndësi në qoftë se i kontraktoni për një rinovim të shtëpisë apo ndërtim nga themeli, ata do të ofrojnë më të mirën, që klienti të ndahet i kënaqur.

Flamuri dhe Kelmendi, në intervistën për albinfo.ch flasin për vështirësitë dhe përparësitë që ka biznesi i ndërtimeve në Zvicër dhe sa i kushtojnë rëndësi shqiptarët arkitekturës, për të veçantat e kësaj pune, si dhe për synimet për të ardhmen.

Duke shpalosur ofertat e kompanisë që udhëheqin prej 7 vjetësh, Kelmendi dhe Flamuri, tregojnë se bëjnë më shumë punë se sa arkitektët ngase ata janë edhe përgjegjës për planifikimin e objekteve, për realizimin e tyre dhe menaxhimin e shpenzimeve gjatë ndërtimit.

Kelmend Abazi dhe Flamur Elmazi

Albinfo.ch:  Cilën punë e keni më për qejf, rinovimin apo ndërtimin nga themeli?

Kelmend Abazi: Ka projekte të ndryshme dhe varet nga projekti. Disa dalin më të bukura në qoftë se rinovohen dhe disa të tjera në qoftë se punohen nga fillimi. Mirëpo ne nuk e kemi problem asnjërën.

Flamur Elmazi: Përparësia e jonë është se ne e kemi prioritet koston e projektit dhe se a do të përfitojë pronari nga ky projekt. Kjo është analiza e parë që e bëjmë. Pastaj ne e prezantojmë te pronari atë që e kemi punuar dhe në fund i mbetet vet pronarit të marrë vendimin.

Albinfo.ch: Si vendosët të punoni së bashku?

Kelmend Abazi: Ne fillimisht u njoftuam në vendin ku punonim dhe pastaj vendosëm që të bëjmë diçka bashkë. Kemi tetë vite që zyrtarisht punojmë së bashku në firmën tonë të përbashkët, ndërsa 10 vjet në përgjithësi.

Albinfo.ch: Si keni arritur të funksiononi për kaq gjatë së bashku?

Flamur Elmazi: Falë sinqeritetit dhe punës së hapur. Ne nuk mbajmë të fshehur asgjë nga njëri-tjetri dhe nuk jemi të lidhur familjarisht pas gjërave. Ne na lidhë profesioni dhe biznesi dhe çfarëdo që të vendosim, e vendosim së bashku, asnjë vendim nuk merret pa pëlqimin e të dyve.

Albinfo.ch: Cila ka qenë oferta e parë për plan të shtëpisë apo objektit?

Flamur Elmazi”: … për një turk ka qenë. Rinovim shtesë. Ky ka qenë d.m.th projekti i parë, i realizuar në vitin 2012. Dhe falë punës sonë, është zgjeruar rrethi i klientëve dhe kemi vazhduar tutje.

Albinfo.ch: A ka arkitekt të këqij?

Kelmend Abazi: Si në çdo profesion edhe në profesionin e arkitektit ka të mirë dhe të këqij. Po ashtu shpesh bëhet ngatërrim në mes të një ndërtuesi dhe një arkitekti. Dhe ka dallim, është ndryshe kur punon me një arkitekt dhe ndryshe me një ndërtues (Generalunternehmer). Në portofolion tonë janë së paku tetë vjet studimi dhe eksperience.

Albinfo.ch: A ka ndodhur që ta keni punuar një projekt dhe nuk është pranuar nga klientët.

F.K: Arkitekti i keq e punon një projekt mund të themi pa bashkëpunim me klientin, e te ne kjo gjë nuk ndodhë sepse ne veprojmë në parimin “duke punuar duke i treguar” çdo gjë e bëjmë së bashku me klientin. Çdo projekt që e bëjmë ne është specifik, nuk ka “copy paste” në punën tonë.

Albinfo.ch: A i ndërtoni shtëpitë sipas stilit tuaj apo sipas trendit?

Kelmend Abazi: Ne nuk e ndjekim asnjëherë trendin. Ne i përshtatemi lagjes, klientit dhe normalisht që ka modernizime dhe shkojmë me kohën ndërsa fjalën e fundit e ka gjithmonë klienti.

Albinfo.ch: A përshtatet gjithmonë hapësira që e keni të disponueshme me idetë tuaja?

Flamur Elmazi: Gjithmonë jo, ne mundohemi në shumicën e rasteve, por janë kriteret të cilave ne duhet t`u përmbahemi dhe rregulloret në fuqi të komunës, të dhënat e parcelës dhe shija e pronarit. Rregullorja dhe normat të kufizojnë më shumë dhe ne duhet t’u përmbahemi.

Albinfo.ch: Çfarë i këshilloni ata që janë në kërkim të një arkitekti?

Kelmend Abazi: Të mos shikojnë vetëm diplomën, por të kërkojnë profesionistë, të ju shikojnë edhe punën që e kanë bërë dhe më e rëndësishmja ndër të gjitha është “kimia” ndërmjet pronarit dhe arkitektit. Pastaj, një arkitekt duhet të jetë i hapur dhe të fitojë besimin e klientit. Një klient i pakënaqur t`i tremb 15 klientë tjerë ndërsa një i kënaqur t`i sjellë shtatë klientë tjerë.

Albinfo.ch: Të zgjedhësh një arkitekt që është i ri, por më afër modernes apo një tjetër që ka eksperiencën, por që ndoshta nuk është shumë bashkëkohor?

Kelmend Abazi: Varet nga pronari, në qoftë se t’i synon diçka super moderne dhe nëse kohëzgjatja nuk ka rëndësi, atëherë pranoni një arkitekt të ri. Për ne klienti është mbreti, ndërsa puna jonë është ta udhëzojmë t`ia ofrojmë një zgjidhje që për të dyja anët është e pranueshme. Nganjëherë idetë e klientëve janë aq joreale sa që ne na duhet t`jua shpjegojmë se kjo që po e kërkojnë nuk është e mirë dhe e duhura për shumë arsye.

Albinfo.ch: Çfarë e dallon e.a partners nga arkitektët e tjerë?

Flamur Elmazi:e.a partners ag”, ka një një portofolio të pasur dhe një biografi (cv) me lloj lloj projektesh edhe kontratash, që klientit i ofron fillimisht profesionalizëm si në përpilimin e kontratave klasike në arkitekturë por edhe si ndërtues i përgjithshëm (Generalunternhemer) apo (Totalunternehmer) ose si planfikues i përgjithshëm (generalplaner). Klientët mund të jenë privatë apo institucionalë ose edhe zyra arkitekture që kanë nevojë për dikë si menaxher ndërtimi (Baumanager) ose edhe si ndërtues të përgjithshëm (Generalunternehmung). Do të thotë dallon e tëra nga ajo çka ofron një zyrë arkitektësh profesionistë që ofron në të njëjtën kohë edhe mandatin si ndërtues (Generalunternehmer) sesa tjerët që janë vetëm të interesuar për biznes.

albinfo.ch

Te ne nuk ka “copy paste”

Arkitekti i keq e punon një projekt mund të themi pa bashkëpunim me klientin, e te ne kjo gjë nuk ndodh, sepse ne veprojmë në parimin “duke punuar duke i treguar” çdo gjë e bëjmë së bashku me klientin. Çdo projekt që e bëjmë ne është specifik, nuk ka “copy paste” në punën tonë.

albinfo.ch
albinfo.ch
albinfo.ch
albinfo.ch
albinfo.ch

Më shumë për projektet:eapartnersag