Lajme

Vizita e Lajçak dhe mesazhet e tij gjatë takimeve të sotme në Kosovë

"Mesazhi im përfundimtar është për unitet politik në Kosovë, dialogu nuk është përgjegjësi e një ane apo partie politike, por e të gjitha partive”, ka thënë Lajçak

Emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ka pasur disa takime gjatë ditës së sotme me zyrtar të shtetit si dhe me partitë politike në vend.

Pas takimit me u.d e presidentit Vjosa Osmani, Lajçak ka folur për rezultatin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme duke uruar Albin Kurtin dhe Vjosa Osmanin për rezultatin.

Një Kosovë që ka përfunduar zgjedhjet, i kanë dhënë një mandat të fortë zonjës Osmani dhe z.Kurtit. Kam disa mesazhe, i pari është ai urime për zgjedhjet parlamentare, që për herë të parë janë mbajtur pa një rol aktiv të komunitetit ndërkombëtar”, ka thënë Lajçak.

Emisari i BE-së ka thënë se mesazhi i dytë është që Bashkimi Evropian dhe SHBA-të, tashmë me administratën Biden kanë marrëdhënie më të afërt se që mund të parashihet.

“Mesazhi i tretë i imi është mbështetja për programin elektoral të z.Kurti dhe zonjës Osmani. BE do të mbështes vendet e reja të punës e luftimin e korrupsionit, këto janë edhe prioritete tona”, ka thënë ai.

Sa i përket vazhdimit të dialogut, Lajçak thotë se dialogu do të vazhdojë.

“Mesazhi im përfundimtar është për unitet politik në Kosovë, dialogu nuk është përgjegjësi e një ane apo partie politike, por e të gjitha partive”, ka thënë Lajçak.

Ndërsa, ushtruesja e detyrës se presidentit Vjosa Osmani, në një konferencë për media pas takimit me Lajçakun tha se duhet të hapet një kapitull i ri sa i përketë procesit të dialogut.
“Duhet të sigurohemi në radhë të parë, respektimin e vijave të kuqe të cilat nuk lejojnë të negociohet për kufijtë e Kosovës apo rregullimin kushtetues…. Kosova më 17 shkurt e ka përmbyll këtë proces dhe nuk ka çka të diskutohet shtet i pavarur dhe sovran”, tha Osmani.

Pas këtij takimi, Lajçak takoi edhe kryeministrin në detyrë Avdullah Hotin.

Hoti, pas takimit tha se e ka falenderuar Lajçkun për bashkëpunimin dhe i ka uruar sukses në finalizimin e procesit të dialogut.
“Emisarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, z. Miroslav Lajçak e falënderova për bashkëpunimin e deritanishëm në ndërmjetësimin e procesit të dialogut me Serbinë dhe i dëshirova sukses në finalizimin e këtij procesi”, shkroi Hoti në Facebook.

Ndryshe, Miroslav Lajçak, nuk deklaroi ndonjë gjë pas takimit me kryeministrin në detyrë Avdullah Hoti.

Lajçak vazhdoi vizitën e tij në zyrat e PDK-së, për t’u takuar me kreun e këtij subjekti Enver Hoxhajn.