Integrimi

Takimi me kandidatët për Asambletë Komunale të Gjenevës, ngjarje e shënuar

Komuniteti Shqiptar i Gjenevës ka bashkuar mbrëmë në një nga sallat e “École de Vernier-Place” të Gjenevës pjesën dërmuese të kandidatëve me origjinë shqiptare, të cilët në zgjedhjet e 19 prillit të këtij viti konkurrojnë për pozitën e Këshilltarit në disa nga komunat e Gjenevës.

Tubimin e ka hapur Kryetari i Komunitetit Shqiptar të Gjenevës, inxh. Ali Sh. Mehmeti. Ai në fillim të fjalës së tij u ka dëshiruar mirëseardhje të gjithëve,duke i uruar secilit sendërtimin e ëndrrës së tij. Pastaj z. Mehmeti ka sqaruar se ky tubim qëllim të vetëm ka njohjen e bashkatdhetarëve tanë me 19 kandidatët me origjinë shqiptare dhe me programet e partive të tyre. Komuniteti Shqiptar si organizatë jofitimprurëse dhe apolitike askujt nuk i imponon votimin e individit të caktuar apo të subjektit partiak. Zgjedhja i mbetet si vullnet i lirë qytetarit. Ai votën e tij e çon kah kandidati apo partia të cilën e konsideron si kredibile dhe si përfaqësuese të denjë të interesave të tij,ka thënë z. Mehmeti. Pastaj në podium janë shfaqur sipas renditjes të nominuarit për asamblistë nga partitë e tyre përfaqësuese. Studenti 21-vjeçar Gëzim Ilazi, i pozicionuar në krye të listës nga Partia Socialiste – dega Vernier në Gjenevë, është shprehur:
“Gjuhën amtare të përvetësuar kaq mirë ua atribuoi si meritë prindërve të mi, të cilët krahas mësimit të rregullt, më angazhuan në shkollën shqipe”.

gj1

Ndërkaq vazhdoi: “Gjenevën e ndiej me shpirt si atdhe timin, sepse këtu kam ardhur kur isha vetëm njëvjeçar. Prandaj për vendin që më rriti dhe më dha mundësi studimi dhe ecjeje përpara është krejt e natyrshme që të ndiej edhe detyrime. Zotohem se do të bëj çmos që të jem në shërbim të të gjithë qytetarëve të Vernies, njëlloj pa më shkuar asnjëherë mendja që dikujt t’i krijoj avantazhe të pamerituara. Në të kundërtën, as që do ta synoja këtë pozitë”.

Leutrim Hebibi, bashkëmoshatar dhe bashkëpartiak i Gëzimit, thotë:  “Unë si student i inxhinierisë këtu në Shkollën e Lartë të Gjenevës e kam studiuar në hollësi programin e socialistëve gjenevianë dhe, për dallim nga programet e partive të tjera rivale, ky program më ka joshur dhe më ka mbushur shpresë se është program i  përsosur që shpie drejt arritjeve dhe avancimeve në të gjithë sektorët”.

“Në rast fitoreje, nuk do të mungojë ndihma ime në realizimin me përpikëri të projekteve të hartuara nga ana e socialistëve, të cilët edhe pretendojnë që t’i përfaqësoj në nivelin komunal”.
Ndërkaq Valdete Sopi, arsimtare në një nga shkollat e Gjenevës, ende në vazhdim të mandatit të Këshilltares nga legjislatura e mëparme në Komunën Vernier të Gjenevës, thotë: “Edhe kësaj radhe do të provoj marrjen e një mandati të dytë, në mënyrë që mbetjen gjysmë të disa projekteve t’i finalizojmë në periudhën e ardhshme katërvjeçare”.
Po ashtu edhe zonja Sopi është pjesë e Partisë Socialiste në qytetin Vernier të Gjenevës.

gj2

Ismet Kurteshi, një socialist tjetër nga komuna Onex, është i njohur nga të gjithë për punën e tij korrekte. Z. Kurteshi në diskutimin e tij ishte shumë i qartë. Ai tha: “Nuk dua të jem i zhurrmshëm, prandaj as edhe s’do t’u lodhi me premtime e fjalë të mëdha. Atë që është në programet tona, jam i sigurt se do ta jetësojmë. Në rast fitoreje, ky do të jetë mandati i dytë i z. Kurteshit.
Nga radhët e PDC-së në foltore doli Sami Gashi, i njohur nga shqiptarë e vendës si i palodhshëm dhe i përpiktë në punë. Gashi tha: “Qëllim imi dhe i të tjerëve duhet të jetë lufta korrekte dhe e ndershme. Kurse fituesin le ta përcaktojë elektorati. Le të fitojnë të merituarit! Se vetëm kështu fiton demokracia! Partia së cilës i takoj unë gjithmonë votën e ka cilësuar si të drejtë themelore të çdo qytetari. Çdoherë në partinë tonë do të luftojmë për mbrojtjen e vlerave njerëzore dhe begatimin e jetës së qytetarëve”.  Samiu në PDC është mjaft i respektuar, ai më 6 tetor 2013 vetëm për pak vota pati mbetur jashtë Këshillit të Madh Kantonal të Gjenevës, apo të ashtuquajturit Grand Conseil. Në PDC me Samiun bashkëvepron edhe afaristi Muharrem Ahmeti, një njohës i shkëlqyer i lëmit të gastronomisë. Ahmeti kontributin e tij në zhvillimin e mëtejshëm të komunës ku jeton e sheh si të mundshëm nëpërmjet kësaj partie, dega në Vernier.  Z. Ahmeti, një burrë dyzetvjeçar, edhe nga pamja mjaft serioz, shprehet: “Në politikë nuk kam hyrë formalisht. Në rast se do ta realizoj fitoren, detyrën e Këshilltarit do ta kryej si është më së miri”.

Emër  tjetër afirmativ dhe që gëzon respekt në radhët e PDC-së, dega në Lancy, është edhe Uran Shabani. Ai me profesion teknik i pajisjeve dhe instalimeve elektrike, këtë parti e konsideron si të qendrës. Kurse programin e saj e çmon shumë, sepse sipas z. Shabanit, kjo parti si vlerë universale e ka mbrojtjen e familjes si bërthamën kryesore të shoqërisë.  Z. Shabani vetes ia ka krijuar sukseset vetëm me përkushtim në punë, ai është i vendosur që edhe në politikë të jetë i tillë.

Granit Metushi, me profesion infermier, kandidaturën e tij e ka shtruar nëpërmjet Partisë së të Gjelbërve (Les Vertes) në komunën më të madhe të kantonit të Gjenevës, në atë të Vernier.  Metushi modest tha: “Meqë në vendin ku punoj ka më tepër femra, do të bëj përpjekje maksimale që ato në të drejta të jenë të barabarta me meshkujt në të gjitha nivelet”.

Prezantimin e këtyre kandidatëve e ka përcjellë me vëmendje edhe një numër i kënaqshëm i mërgimtarëve tanë që jetojnë dhe veprojnë në kantonin e Gjenevës. Disa nga pjesëmarrësit e këtij tubimi kanë shtruar edhe pyetje të shumta. Ku ne arritëm t’i veçojmë disa nga ato.

Ajet Hyseni, politikolog i diplomuar në Universitetin e Gjenevës, ka pyetur Sami Gashin, pretendent për pozitën e Këshilltarit në qytetin e Gjenevës, se çfarë kushtesh do të ofrojë për sektorin e ndërtimtarisë PDC-ja e Gjenevës. Z. Gashi ka thënë: “Në kuadër të Partisë kemi grupe të specializuara rreth këtyre çështjeve, të cilat konsiderojmë se sikur deri tani, edhe në të ardhmen do ta kryejnë punën e tyre me sukses, duke krijuar favore të shumta në dobi të ndërtimtarëve”.

gj3
Regjisorja dhe këngëtarja e mirënjohur, Mira Bregu, ka qenë e përqendruar te problemet e mësimit plotësues të gjuhës shqipe. Ajo ka kërkuar shpjegime nga zonja Valdete Sopi rreth asaj se çfarë ka bërë Bashkia e komunës Vernier në mbështetjen e mësimit plotësues të gjuhës shqipe. Zonja Sopi, e cila ende ushtron funksionin e Këshilltares në këtë komunë nga mandati i kaluar, tha se çështja e mësimit të gjuhës së origjinës trajtohet njëjtë për të gjitha komunitetet e kësaj komune. Kurse ngritja e cilësisë së këtij mësimi adresë duhet ta ketë vendin e prejardhjes. Ministria e Arsimit e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë në mungesë të kuadrit përkatës duhet të ofrojnë ndihmë duke angazhuar mësimdhënës të kualifikuar. Këtë problem komuniteti spanjoll, portugez dhe ai italian e kanë të rregulluar qysh herët.

Shpjegime shtesë ka dhënë rreth këtij problemi edhe z. Gëzim Ilazi, i cili në cilësinë e sekretarit  të LAPSH-it të Gjenevës ka pohuar se shkolla shqipe gjatë vitit që shkoi është ndihmuar nga Komuna e Vernier me tetë mijë franga. Gjithashtu të pranishmit janë njoftuar nga z. Ilazi se në vazhdën e kësaj ndihme kjo komunë ka vënë në dispozicion të nxënësve shqipfolës edhe klasat  për mbajtjen e orëve të mësimit plotësues të gjuhës shqipe, në të njëjtat objekte ku zhvillohet  edhe mësimi i rregullt në gjuhën frënge. Ndërkaq Vehbi Kryeziu, i specializuar në fushën e teknologjisë dhe të informacionit, ka porositur të gjithë kandidatët që në rast fitoreje besimin e dhënë nga votuesit ta kryejnë me përgjegjësi, se vetëm kështu do të jenë të respektuar së pari vetë ata dhe elektorati i tyre.

Kryeziu diskutimin e tij e ka përmbyllur me konstatimin se vendit, i cili në ditët më kritike na ka ofruar mikpritje dhe ngrohtësi, këto të mira duhet t’ia kthejmë me integrim të mirëfilltë jo vetëm në sport e politikë, por në të gjitha fushat. Një çerek ore z. Ali Mehmeti, si iniciues i këtij tubimi, e kishte lënë në dispozicion për të shpjeguar mënyrën e votimit, posaçërisht për ata të cilët votojnë për herë të parë. Nëpërmjet pamjeve në ekran ai sqaroi çdo paqartësi. Tani secili person me të drejtë vote e ka të qartë procedurën e votimit. Dhe fare në fund, nëpërmjet një aperitivi të organizuar nga Komuniteti Shqiptar i Gjenevës u kalua në bashkëbisedim, ku disa nga ata që kishin hezituar të shtronin pyetje gjatë debatit patën mundësinë që këtë ta bënin nga kontakti sy më sy me të preferuarit e tyre.


LAJME INTERESANTE NGA INTERNETI