Sport

Talenti i ri gjilanas që pritet të shkëlqejë në klube të mëdha futbollistike

„Së shpejti pritet të shkojë për prova në Olimpik Lion, të interesuar për të janë edhe Paris Saint-Germain, Monaco dhe Bordo“, tregon babai i Leon Bajrës

 

Leon Bajra është talenti më i spikatur 16 vjeçar i klubit të Bundesligës austriake FC Altach në ekipin e grummoshave U18 dhe U23.

Bajra dallohet si një mesfushor që luan e godet me dyja këmbët. Ka numrin 10 në fanelën e tij dhe vlerësohet si një nga dribluesit më të dalluar që mbanë topin të „lidhur“ për këmbe. Ai është një mesfushor që ndërton lojën, shënon  gola të bukur nga gjuajtjet e lira dhe jep shumë pasime gjatë një ndeshjeje. Në fitorën e fundit prej tre golave, dy asistime i ka dhënë talenti i rritur në Rheineck të Zvicrës.

„Stërvitjet i zhvilloj dy herë në javë me U18 dhe dy të tjera me U23“, na thotë Leoni.

Ekipi U23 i klubit FC Altach garon në kampionatin e ligës së tretë më të madhe të Austrisë dhe është ekipi i dytë i FC Altachut.  Aktualisht Leoni është lojtar i lirë dhe ka një ofertë nga klubi i tij për të nënshkruar kontratë me ekipin U23.

„Ata duan ta nënshkruajnë një kontratë gjysmëprofesionale me ekipin U23 “, tregon i ati i Leonit, Enver Bajra.

Por Leoni ka nënshkruar kontratë me menaxherin e njohur francez, Jacky Mouyral, i cili i kërkon të mos ngutet, sepse ai është shumë i bindur se Leoni do kalojë në akademitë futbollistike të një klubi të madh francez.

„Së shpejti pritet të shkojë për prova në Olimpik Lion, të interesuar për të janë edhe Paris Saint-Germain, Monaco dhe Bordo“, tregon i ati.

„Gjasat që Leoni të marrë një kontratë profesionale janë shumë të mira“, ka thënë menaxheri i tij. Sipas të atit të Leonit, ai mund të dështojë  vetëm nëse në provat testuese do të shkonte diçka keq.

Talenti gjilanas ka ndëprerë zanatin dhe është koncentruar vetëm në futboll. „Katër herë stërvitje për çdo javë, plus loja dhe puna, u bënë shumë“, plotëson Leoni me pasaportë të Kosovës që në rast interesimi të Federatës kosovare do të mund të aktivizohej mënjëherë. Në fakt familja Bajra është në kontakt me FFK-në por duket që atyre nuk ju ngutet.

„Nuk jemi të entuziasmuar shumë, Federata e Futbollit të Kosovës nuk dukej ashtu si e kam menduar“ thotë babai i Leonit.

Federata e Futbollit të Kosovës nuk ka reaguar as në letrën e klubit FC Altach që për Leonin mes tjerash kanë shkruar: është lojtari apsolutisht me më perspektiv i të rinjëve të klubit tonë. Forca e tij është se luan me dyja këmbët njësoj, është një teknik i mirë me horizont të gjerë në ndërtimin e lojës.

Babai i Leonit ka dëshirë që djali tij të luaj për grupmoshat e reja të Përfaqësueses së Kosovës, por në ëndrrat e Leonit janë ngjyrat kuq e zi. „Kam shumë dëshirë të luaj për Shqipërinë, ata kanë një tifozëri të zjarrtë dhe ëndrra ime është të veshi fanelën kuq e Zi“, thekson Leoni.