Integrimi

Të drejtat e fëmijëve dhe gjuha, janë një

Blerta Kadriu, mësuese ambicioze e një shkolle fillore nga kantoni i Aargaut, në një intervistë për Albinfo.ch, na tregon se si i bashkërendon të drejtat e fëmijëve dhe këshillin e klasës në mësimet e saj.

Në javën e kaluar të shtatorit, në vendet gjermanofolëse u zhvillua “Dita Botërore e Fëmijëve”. Në Gjermani dhe Austri, 20 shtatori, datë që synon të tërheqë vëmendjen për mbrojtjen e fëmijëve dhe të drejtat e fëmijëve, festohet gjithashtu si festë publike. Nxënësit në Zvicër nuk kanë pushim në këtë ditë, por këtë temë fëmijët e hasin rregullisht në jetën e përditshme shkollore, veç tjerash, edhe në mësimet e zonjës Kadriu.

Në një intervistë për Albinfo.ch, kjo mësuese ambicioze e një shkolle fillore nga kantoni i Aargaut na tregon se si i kombinon të drejtat e fëmijëve dhe këshillin e klasës në mësimet e saj. Blerta Kadriut i pëlqen të punojë me fëmijët dhe t’i njohë nxënësit përmes lojërave, me të drejtat e fëmijëve.

Albinfo.ch: Zonja Kadriu, a mund të na tregoni për përvojat tuaja me të drejtat e fëmijëve nga pozita e mësueses dhe si i hasni ato në jetën e përditshme shkollore?

Blerta Kadriu: Aktualisht jam mësuese në klasë të tretë, nga e cila mund të përshëndetem në fund të vitit shkollor si klasë e parë (klasa e parë deri në klasën e tretë). Unë si mësuese përmbush të drejtën e fëmijëve për arsimim, sepse edhe mësimdhënia është pjesë e punës sime. Mësimdhënia e diferencuar, mundësitë e barabarta, respektimi i integritetit të nxënësve dhe mbështetja individuale e tyre janë pika kontakti dhe përbërës të të drejtave të fëmijëve.

Kësaj i shtohet edhe përvoja ime si mësuese e specializuar dhe pedagoge kurative në shkollë. Puna ishte shumë e larmishme, qoftë në mbështetjen e mjedisit familjar, zhvillimit fizik dhe psikologjik, shëndetit apo përmbajtjes së përshtatur mësimore për fëmijët.

Albinfo.ch: Të drejtat dhe detyrimet në shkollë janë shpesh një temë me ngarkesë emocionale. A ka ndonjë situatë nga koha e juaj si nxënëse kur ju është dashur të insistoni për të drejtat tuaja?

Blerta Kadriu: Sigurisht që kam rënë në situata të ndërlikuara edhe kur kam qenë në shkollë, ku edhe kam ndjerë se po më trajtojnë padrejtësisht. Kështu për shembull ka ndodhur gjatë viteve të shkollës së mesme teknike në kantonin e Cyrihut. Për fat të mirë kisha privilegjin të isha në një klasë mbështetëse ku ne, nxënësit, mbështesnim njëri-tjetrin. Në gjeneratën time, unë isha një nga të paktët nxënës me sfond migrimi dhe me gjuhë amtare të ndryshme nga gjermanishtja. Kisha përshtypjen se kisha nota dukshëm më të këqija, pavarësisht rezultateve ose gabimeve që i kisha të ngjashme me ë tjerët. Duke qenë se nuk isha e vetmja që isha prekur, kjo ishte bërë temë për të gjithë klasën, prandaj ne, në këshillat e klasave krijuam së bashku idenë  për të shkruar në të ardhmen ese në mënyrë elektronike dhe vetëm me emra fiktivë. Personeli mësimor ishte i hapur ndaj kësaj ideje dhe u pajtua me të.

Kështu, pata marrë nota dukshëm më të larta në lëndën e gjermanishtes, gjë që kishte gëzuar të gjithë klasën dhe mua. Duke i anonimizuar esetë, kam arritur më shumë sesa thjesht nota të larta shkollore. Ky sukses i veçantë në shkollë më dha përsëri besim për mënyrën time të të mësuarit dhe të punës. Mbi të gjitha, unë dhe klasa ime ishim në gjendje të merrnim një vlerësim të paanshëm të lëndës së gjermanishtes. Ky është një shembull i shkëlqyeshëm për të treguar se mund të kundërshtoni pabarazinë e mundësive dhe se si fëmijëve dhe të rinjve u tregohet e drejta për pjesëmarrje.

Albinfo.ch: Sa të rëndësishme janë të drejtat e fëmijëve në punën tuaj të përditshme dhe si i potenconi të drejtat e fëmijëve në mësimet tuaja.

Blerta Kadriu: Puna ime e përditshme pasqyron praktikisht të gjithë gamën e të drejtave të fëmijëve. Qëllimet dhe temat që lidhen me të drejtat e fëmijëve dhe të njeriut, i përcjell në klasë nga kurrikula21 .

Të gjitha vendet në mbarë botën duhej të integrojnë përmbajtjen e Konventës së OKB-së për të Drejtat e Fëmijës (OKB-CRC) në mandatin përkatës arsimor ose në kurrikulën e përcaktuar nga shteti, përfshirë Zvicrën.

Në shkollën tonë fillore, termi komunikim jo i dhunshëm përbën një pikë referimi për të gjithë të përfshirët në ndërtesën e shkollës. Sepse përmes mënyrës se si flasim me njëri-tjetrin në mësimet e përditshme, ky synim edukativ mund të vërehet edhe nga fëmijët dhe kështu të bëhet i matshëm. Po ashtu edhe regullat ose qasja jonë në lidhje me konfliktet në klasë mund t’i ndihmojnë nxënësit e shkollës që gradualisht të zhvillojnë një ndërgjegjësim për çështje të ndryshme të të drejtave të fëmijëve.

Për mendimin tim, një mundësi shumë praktike mësimore për të drejtat e fëmijëve është këshilli i klasës. Nxënësit me kushte dhe kërkesa të ndryshme përfaqësojnë edhe diversitetin në shoqërinë tonë sot. Në kuptimin figurativ, në këshillin e klasës mësojmë gjithashtu se si duam të komunikojmë me njëri-tjetrin tani dhe më vonë si modele pozitive dhe pjesëmarrës aktivë në shoqëri.

Albinfo.ch: Fëmijët dhe të rinjtë nga të ashtuquajturat familje “larg arsimit” mund të sjellin një kulturë krejtësisht të ndryshme komunikimi në shkollë. A nuk është përmbajtje eksplozive kjo për shkollën dhe si bëhet në mënyrë graduale kalimi në komunikimin jo të dhunshëm në një rast të tillë?

Blerta Kadriu: Unë jam e mendimit që fëmijët dhe të rinjtë e familjeve “të largëta me arsimin” nuk duhet të identifikohen me komunikimin e dhunshëm. Nga dhuna mund të preen një shumëllojshmëri e gjerë familjesh. Në rolin tim si mësuese, do të doja t’i jepja çdo fëmije qasje në kulturën tonë të diskutimit në këshillin e klasës. Prindërit luajnë një rol të rëndësishëm, i cili mund të jetë një mbështetje e madhe për komunikimin jo të dhunshëm.

Nga përvoja ime profesionale mund të them se ky proces mësimi dhe zhvillimi (rruga drejt komunikimit jo të dhunshëm) mund të jetë shumë kërkues dhe ndonjëherë jo i suksesshëm. Në raste të tilla, ne mësuesit mund tu drejtohemi burimeve të ndryshme nga shkolla, specialistëve të jashtëm, institucioneve, punonjësve socialë apo të tjerëve.

Megjithatë, bashkëpunimi me vetë prindërit mbetet jashtëzakonisht i rëndësishëm. Në rrethana ideale, një fëmijë apo i ri duhet të mendojë se familja dhe shkolla veprojnë së bashku. Kjo forcon të gjithë të përfshirët dhe mbi të gjitha forcon fëmijët në procesin mësimor të komunikimit jo të dhunshëm.

Promovimi i bashkëpunimit ndërmjet prindërve, fëmijëve dhe mësuesve është një shtyllë kyçe në sigurimin dhe zbatimin e të drejtave të fëmijëve.


LAJME INTERESANTE NGA INTERNETI