Sport

Të luash për Zvicrën është krenari për “Secondot”

Këta lojtarë me origjinë nga Ballkani përbëjnë tashmë krenarinë e një brezi të tërë të emigrantëve. Falë tyre, është mundësuar shtytja e ekipit kombëtar zviceran për të dalë para skenës së futbollit.

Kush do të kishte menduar disa vjet më parë se i biri i një familjeje emigrante shqiptare nga Kosova, me origjinë sociale modeste, do të bëhet një figurë e ngjashme sikurse ajo e Roger Federerit, idol i zviceranëve, si dhe i firmave të mëdha ekonomikë të vendit? Figura e “xhuxhit magjik”, pra ajo e Xherdan Shaqirit, është tashmë e lidhur me vlerat zvicerane. Si ai, ikonat e reja të ekipit kombëtar zviceran, kryesisht me prejardhje nga diversiteti, bashkojnë zviceranët dhe emigrantët, qofshin të rritur apo të vegjël.

Të quajtur Xherdan, Granit, Valon, Blerim ose Pajtim, këta lojtarë të talentuar me rrënjë nga Ballkani kanë gëzuar trajnim cilësor në Zvicër dhe kanë ndihmuar shtytjen e ekipit kombëtar zvicerane  para skenës së futbollit. Ata gjithashtu, në mënyrë të pavetëdijshme, kanë marrë pjesë në një transformim pozitiv të perceptimit të shtetasve të Ballkanit në Zvicër. Shqiptarët, të cilët duhet theksuar së janë të shumtë në Zvicër, që vlerësohet të jenë mbi 200.000 persona – kanë qenë, për shumë vjet, në shënjestrën e disa retorikave politike dhe të mediave lidhur me dhunën dhe kriminalitetin.

Edhe pse disa mendime cinike insistojnë në përkatësinë komunitare të këtyre lojtarëve, duke përdorur termin “Balkangraben”, ndikimi i tyre simbolik në procesin e integrimit është i pamohueshëm. Impakti i tyre në mesin e të rinjve të familjeve emigrante, në drejtim të forcimit të ndjenjës së përkatësisë në shoqërinë zvicerane, është fantastik. Të ashtuquajturit “Secondos të Ballkanit” janë veçanërisht krenarë për këta lojtarë, të cilëve u përngjajnë dhe të cilët i bëjnë të ëndërrojnë. Në sajë të tyre, ata veshin fanellat e kuqe me kryq të bardhë, ndërsa tregojnë simbolin e rrënjeve të tyre me shqiponjën me dy krena, ashtu sikurse idhujt e tyre, të cilët shfaqin me krenari identitetin e tyre të dyfishtë.

Megjithatë, duhet pasur kujdes me euforinë e futbollit, dhe këtë për dy arsye

Së pari, është një fenomen i pasionit, kalimtar dhe më shumë kontekstual. Ekziston gjithmonë një rrezik që emocionet të kthehen një ditë kundër këtyre lojtarëve. Këtë e shohim në Francë, ku ëndrra “Black, Blanc, Beur  e ekipit kampion botëror të vitit 1998 më pas u shndërrua në një retorikë përjashtuese “Bleu, blanc, rouge”. Rreziku ekziston në ate se në rast humbjeje, heronjtë e sotëm mund të bëhen të pabesët e nesërm.

Pastaj, vendosja në një piedestal të suksesit të këtyre lojtarëve vetëm, është sikur se të përhapësh një pamje të gabuar të mobilitetit social në Zvicër. Ndryshimi i  fatit të secilit nuk mund të kalojë vetëm nëpërmes futbollit. Njerëzit me një sfond të migrimit jo gjithmonë kanë rrjetet, mjetet apo qasjet në informactione për të qenë të vetëdijshëm për një mori të mundësive profesionale dhe shkollimi që janë në dispozicion të tyre në Zvicër.

Duke vlerësuar këto figura të futbollit në planin simbolik, platforma Albinfo.ch, e mbështetur nga Konfederata, kryen qe pesë vjet një punë substanciale në drejtim të informimit të mirëfilltë, në shërbim të integrimit harmonik të popullsive nga Ballkani në Zvicër.  Ajo boton çdo ditë në shqip, frëngjisht dhe gjermanisht, realizon dhe prodhon emisione dhe reportazhe video me perspektivë të shumëfishtë dhe kritike, organizon ngjarje inovuese dhe ndërmerr iniciativa qytetare në terren.

Temat shkojnë nga pjesëmarrja politike në Zvicër, në rrugëtimet e arritjeve shoqërore dhe profesionale të emigrantëve, për të mos përmendur problematikat e sfidave me të cilat përballen në rrugën e integrimit, gjerë në temat që kanë të bëjnë me zhvillimin e vendit të prejardhjes. Ky bashkëpunim me gazetën prestigjioze frankofone “Le Temps”, me rastin e Euro 2016, është një mundësi e mirë për të parë nga afër, me një perspektivë të brendshme, dimensionin sportiv, por gjithashtu identitar dhe socio-ekonomik që i rrethon këta lojtarë, vendin e tyre pritës dhe komunitetin e tyre të origjinës. Është kjo një mënyrë për të nxjerrë në pah përzierjen kulturore të ekipeve zvicerane dhe shqiptare në futbolli, por edhe më gjerë.

letemps5
Shkrim i botuar në gazetën Le Temps, në bashkëpunim me Albinfo.ch