Integrimi

Të rinjtë ballkanikë nuk linden më të dhunshëm se të tjerët

Killias: "Të rinjtë nga ish Jugosllavia, nuk e kanë dhunën në gjak, siç thuhet shpesh”, thotë Killias. Por është migracioni, pra kalimi nga një vend në tjetrin, ai që ngarkon familjet,  duke i bërë kështu fëmijët dhe të rinjtë e kësaj kategorie me më shumë gjasa për të rrëshqitur në kriminalitet”

Në një studim të ri, Martin Killias, profesor i njohur zviceran i kriminologjisë, dhe hulumtuesja Anastasia Lukash janë marrë me sjellljet delinkuente të migrantëve, shkruna gazeta “SonntagsZeitung” në numrin e saj të sotëm. Dhe nga studimi i tyre ka rezultuar se të rinjtë nga Bosnja, nga Maqedonia, Kosova dhe nga Serbia nuk janë në vetvete më agresivë se moshatarët e tyre zviceranë. Me këtë, Killias e hedh poshtë tezën sipas të cilës tinejxherët nga Ballkani kanë sjellë këtu një kulturë dhune, transmeton albinfo.ch.

“Të rinjtë nga ish Jugosllavia, nuk e kanë dhunën në gjak, siç thuhet shpesh”, thotë Killias. Por është migracioni, pra kalimi nga një vend në tjetrinpër të jetuar, ai që ngarkon familjet,  duke i bërë kështu fëmijët dhe të rinjtë e kësaj kategorie me më shumë gjasa për të rrëshqitur në kriminalitet”.

Sipas kriminologut të njohur, kjo dëshmohet me faktin se fëmijët e migrantëve janë dukshëm më shumë të përfshirë në delikuencë dhe madje pavarësisht nga nacionaliteti ose prejardhja sociale apo familjare. Kjo, me fjalë tjera domethënë që: fëmija i një zdrukthtari nga Franca të ardhur në Zvicër është po aq i rrezikuar për të devijuar sa edhe fëmija i një mjeku nga Brazili. Madje edhe fëmijët që kanë nënën jo zvicerane e babanë zviceran janë më të privilegjuar se ata që babanë e kanë të huaj e nënën zvicerane.

“Të braktiset vendi bashkë me fëmijën dhe të rritet ai fëmijë në një vend të huaj, është një gjë e vështirë dhe shpesh herë një sfidë”, thotë Killias. Fëmijët që janë të lindur në Zvicër pas migrimit të prindërve të tyre, janë më pak delinkuentë se sa ata që kanë përjetuar vetë kalimin për të jetuar nga një shtet në tjetrin.

Kështu, profesori i të drejtës penale i përmbledh gjetjet e tij me këto fjalë: “Ne nuk kemi një “jugo-problem” (problemi me delinkuentët me prejadhje nga ish Jugosllavia) por kemi  problem të integrimit, transmeton albinfo.ch. Për të realizuar këtë studim, ekipi hulumtues ka anketuar 10 mijë të rinj në mes moshës 13 dhe 16 vjeçare, në Zvicër dhe në Ballkan.

Një përfundim të ngjashëm, thotë gazeta, e nxjerr edhe Ivica Petrusic, ekspert social dhe aktivist politik me rrënjë boshnjake.  Por ky i fundit, nga përvoja e vet personale. Petrusic ka ardhur në Zvicer nga Bosnja në vitin 1991, kur nuk ka ditur asnjë fjalë në gjuhën gjermane. Fati që mësuesit e tij e kishin identifikuar talentin e tij edhe pastaj e kishin ndihmur, ka bërë që të shpëtojë nga devijimi.

Ai thotë se “nëse fëmijët e migrantëve devijojnë ose jo, varet shumë nga ajo se si u uron atyre Zvicra mirëseardhje, përcjell albinfo.ch. Kjo do të thotë se të huajve duhet t`u tregohet si frymon shoqëria e këtushme dhe se çfarë pritet nga ta si të huaj. Ndërsa kur nuk u sqarohet atyre se çfarë pret shoqëria nga ta, kjo është shkatërruese pasi që nxit ndjenjën se ata kurrë nuk e bëjnë të duhurën dhe kurrë nuk bëjnë mjaft.

Ndërsa Dirk Baier, drejtor i Instititit për parandalim të kriminalitetit në Shkollën e Lartë për Shkencat e Aplikuara (ZHAW) e thotë edhe më qartë këtë lidhje. “Frustrimi nga mungesa e perspektivave për integrim shndërrohet shpejt në agresion e dhunë”, thotë ai. Për këtë arsye Baier kërkon që të posaardhurit sa më shpejt të punësohen dhe të vendosen për banim jashtë qendrave të pritjes (pra në banesa private)

.”Kush është me vite i dënuar për të mos bëjë asgjë, një ditë do ta marrë fatin në duart e veta dhe do të provojë të marrë pjesën e tij të mirëqenies, dhe këtu nuk i zgjedh mjetet!”